Editorial

Mllefi i Ramës ndaj popullit që po keqqeveris vendin





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:12 - 29/03/20 |
Nga Gentian Gaba

Tashmë është e njëjta supë. Përveç ndryshimeve nëpërmjet të cilave përpiqet ta pasurojë performancën me hile pi-ari; si për shembull telefonata me qytetarët, e cila në fakt është një kopje e ‘Alo Presidente’, që Hugo Chavez përdorte për të mbajtur gjallë regjimin e tij, apo sajimet skenografike me përdorimin e portretit të Ismail Qemalit, përherë në krah në daljet e tij, në përpjekje për të krijuar simbolikën e njësimit me flamurtarin e pavarësisë, mesazhi i Ramës është po ai. Prej të paktën dy javësh përdor të njëjtën kasetë, një grusht fjalësh që kërkojnë të ngulisin në trurin e shikuesit gjendjen e luftës, frikën dhe pasigurinë.


Një fjalor i helmatisur që synon trajtimin e qytetarëve si fëmijë, me udhëzime në dukje atërore të cilat kanë për qëllim ndrydhjen e çdo reagimi. Një qasje që dallohet qysh në mënyrën sesi formulohet nga pikëpamja gjuhësore mundësia e qytetarëve për të dalë nga shtëpia. Ndryshe nga vendet e tjera, ku gjerësisht aplikohet vetë-çertifikimi, një shkresë e firmosur nga qytetarët në të cilën deklarojnë arsyet e lëvizjes, duke i njohur qytetarit të drejtat dhe autoritetin që kanë në gëzimin e tyre, për të dalë një shqiptari duhet të marrë leje.


‘Leje për të dalë’ quhet aplikimi digjital, i cili nga pikëpamja gjuhësore e trajton qytetarin si një të mitur i cili nuk gëzon të drejta por ato i jepen pasi ai ka dërguar një SMS apo plotësuar një formular në telefonin e tij inteligjent. Gjuhë që sigurisht kërkon të formësojë një realitet në të cilin qytetarët të jenë komodë me shtrëngimet që po iu imponohen, dhe të pakujdeshëm ndaj alternativës që nuk po iu ofrohet.


Një gjuhë që kërkon që njerëzit e thjeshtë të bëjnë gosti me frikën, duke shënjestruar të pavetëdijshmen, nëpërmjet kalljes së datës, në mënyrë që të mbizotërojnë emocionet dhe jo argumentat, kësodore çdo gjë që do të vijë në fund të karantinës, do të jetë e papërfillshme në krahasim me rrezikun e sendërgjuar të ferrit në tokë, ku të marrurit frymë do të duket një luks dhe cedimi i lirive një normalitet.


Dhe në këtë klimë tejet të tensionuar, falë politikës së e-mocioneve digjitale ku facebook-u zëvendëson parlamentin, dhe ministri i ngarkuar për menaxhimin ekonomik të pandemisë mëson për shpalljen e fatkeqësisë natyrore nga ekrani në të cilin ndodhet, paradoksalisht, Rama i kërkon plot mllef llogari popullit, sikur të jetë ky i fundit që po keqqeveris vendin.

Sikur shqiptarët të jenë fajtorë për 140 milionë euro që do t’i shkojnë Becchettit, dhe jo shëndetësisë; sikur shqiptarët të jenë fajtorë për 240 milionë eurot shtesë që do të paguhen për gabimet në hartimin e pesë kontratave koncesionare, të cilat mund të shkonin në paga për ata që sot kanë humbur vendin e punës; apo për dëmin ekonomik prej 223 milionë euro që raporton KLSH vetëm për 2019-ën.

Një skemë tashmë e njohur me të cilën, përkrah viktimizimit patologjik, fajtori bëhet agresor për të fshehur mungesat dhe fajet e tij. Rama lan duart me ekonominë dhe shëndetësinë, dhe në pamundësi për të ofruar zgjidhje, kërkon që qytetarët të harrojnë se si kanë jetuar më parë. Sigurisht një kërkesë e leverdisshme vetëm për atë që i shpëton llogaridhënies, mbi të cilën ndërtohet marrëdhënia midis të zgjedhurit dhe zgjedhësve, dhe falë të cilës kërkon të vendosë në harresë dështimet dhe abuzimet gjerësisht të njohura nga publiku.

Një kërkesë që në të njëjtën kohë është hipokrite, sepse ndërkohë që qytetarëve iu bëhet apel t’i dorëzohen harresës dhe njëkohësisht të shtrëngojnë rripin, pasi ‘në luftë nuk konsumohet si në kohë paqe’, Rama vazhdon të hedhë paratë e taksapaguesve në projekte që nuk i sjellin dobi ekonomisë së paralizuar. Shtatë milionë euro për rehabilitim sheshesh vetëm këtë të shtunë, sigurisht një pikë e vogël në atë det që vetëm për Ramën dhe një grusht të vogël njerëzish u bë kos, por që me racionalitet mund të shkonin aty ku lips emergjenca.

Kjo shifër, shtatë milionë euro, në këtë moment krize humanitare dhe ekonomike, është një shumë e vogël por që ekspozon të vërtetën e madhe se, përballë një sfide të re dhe të rrezikshme, Rama ka vetëm përgjigjen e vjetër të propagandës dhe fasadës.


Etiketa:

Pas