KLSH po vlerëson 29 kallëzime dhe indiciet penale të vitit 2019, nga të cilat 23 prej tyre kanë përfunduar dhe dërguar prokurorisë, 2 janë dërguar për vlerësim dhe 4 po shqyrtohen.
Viti 2019 shënoi vitin e dytë të zbatimit të Strategjisë së Zhvillimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për Periudhën 2018-2022. Objektivat strategjikë të institucionit kanë avancuar dhe ecur paralel me objektivat e Planeve Strategjike 2017-2023 të EUROSAI-t dhe 2017-2022 të INTOSAI-t, dy organizatat e komunitetit të institucioneve supreme publike të auditimit në Evropë dhe botë. Monitorimi i zbatimit të kësaj Strategjie ka sjellë konsolidimin e reformës institucionale në KLSH dhe e ka rankuar dhe vendosur KLSH në panelin e institucioneve bashkëkohore e të përparuara të komunitetit të auditimit të jashtëm në Evropë. Bazuar në nivelin e treguesve të Kornizës së Matjes së Performancës së një Institucioni Suprem Auditimi, rezulton se, objektivat e përcaktuara në Strategjinë e Zhvillimit 2018-2022 për dyvjeçarin 2018-2019 janë realizuar në nivelin relativ prej 89 %.
Objektivat
Për qëllim implementimi dhe monitorimi, plani strategjik i KLSH 2018-2022 është i ndarë në 3 prioritete strategjike (qëllime makro), që detajohen më tej në një rrjet prej 21 objektivash themelorë, të integruar dhe shtjelluar analitikisht më tej në 71 aktivitete, nënobjektiva dhe procese kapilare. Këto 71 aktivitete dhe nënobjektiva formësojnë bazamentin e kësaj strategjie dhe nga këto, vetëm 66 aktivitete dhe veprimtari i përkasin mbulimit të spektrit kohor 2018-2019, kurse 5 aktivitete obligohemi t’i zbatojmë pas vitit 2020. Kjo matricë tregon rrugëtimin e detajuar të veprimtarisë së institucionit tonë, për të implementuar strategjinë, aspekte këto që ndiqen çdo ditë, monitorohen dhe raportohen intensivisht sipas afateve të përcaktuara nga departamentet dhe strukturat përgjegjëse.
Më lejoni të theksoj se, mosarritja prej 11 % e disa indikatorëve të Strategjisë Sektoriale, është kushtëzuar nga faktorë objektivë jashtë institucionit tonë, që ndërlidhen dhe kushtëzojnë ritmin e këtyre avancimeve në reformë. KLSH ka programuar disa indikatorë dhe aktivitete të ndërvarur nga veprimi i legjislativit, meqenëse në kohën e hartimit të Strategjisë së KLSH-së, besimi ynë ka qenë për veprime më energjike nga ana e Kuvendit të Shqipërisë për këto ndryshime e përmirësime ligjore të domosdoshme të rekomanduara prej nesh. Në një analizë të fundit, aprovimi i këtyre ndryshimeve sjell përafrimin më të plotë të legjislacionit e fushës së auditimit shtetëror me kërkesat e kuadrit “Acquis Communautaire”, arsye kjo që na ka detyruar t’u drejtohemi sërish strukturave shtetërore kompetente duke rihartuar dhe përcaktuar afate të reja për implementimin e këtyre nënobjektivave dhe aktiviteteve.
Strategjia e Zhvillimit Institucional të KLSH për pesëvjeçarin 2018-2022 është ngritur mbi tri kolona që shënojnë dhe tri qëllimet prioritare mbi këndvështrimet e mëposhtme:
Rritja e impaktit të punës audituese me fokus 6-E. Optimizimi i kapaciteteve profesionale, aftësive audituese, procedurave të punës, logjistikës dhe funksioneve të tjera mbështetëse.
Forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit.
KLSH fokusoi përpjekjet për zhvillim institucional duke vendosur si qëllim të parë strategjik forcimin e pavarësisë në akord me parimet themelore të “magna carta-s” së auditimit, Deklaratës së Limës dhe Deklaratës së Meksiko-s, nëpërmjet përmirësimit të bazës rregullatore të tij, fakt i pranuar edhe nga autoritetet e ndryshme evropiane.
Në linjë me këto prosperime, janë miratuar dhe janë në funksionim një kuadër i brendshëm rregullator administrativ e organizativ, së bashku me Manualet dhe udhëzuesit specifikë në funksion të zbatimit në praktikë të Standardeve ISSAI. Në dorë të audituesve të KLSH numërohen sot mbi 15 guida kryesore dhe manuale metodike sipas tipologjive të auditimit publik, që i shërbejnë zbërthimi të panelit INTOSAI GOV në përditshmërinë dhe praktikën e punës audituese. Zhvillimet profesionale dhe rritja e kapaciteteve audituese mbështetën fuqimisht angazhimet e ndërmarra për përmirësimin e cilësisë dhe shtimin e numrit të auditimeve të performancës. Kuadri i ri ligjor dhe kushtetues ka zgjeruar gamën e auditimeve me lloje e tipologji të reja të përfshira me ligj, të panjohura dhe të paaplikuara gjer atëherë, (si ato të performancës, të përdorimit të fondeve të BE-së, të teknologjisë së informacionit, të auditimit të mjedisit, auditimet e përbashkëta me partnerët etj). Kështu, para pak vitesh u themeluan Departamentit e Auditimit të Performancës dhe ai i auditimit IT dhe për herë të parë iniciohen auditimet e IT (nga 2 angazhime të realizuara gjatë v.2015 dhe 2016, duke mbërritur në 7 auditime në vitin 2018).
Rezultatet
Qasja e institucionit në përmbushje të Objektivit të Dytë Strategjik, Optimizimi i kapaciteteve profesionale, aftësive audituese, procedurave të punës, logjistikës dhe funksioneve të tjera mbështetëse, u udhëhoq nga parimet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.
Në përmbushje të këtij Objektivi, institucioni ka rritur kontributin për qeverisjen e mirë për administrimin e burimeve publike, duke synuar rritjen e transparencës dhe të llogaridhënies, nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit.
Në këtë plan, përgatitja e kallëzimeve dhe indicieve penale është konsideruar një gur themeli dhe një qëndrim konstant gjatë gjithë kësaj periudhe tetëvjeçare. KLSH po vlerëson 29 kallëzimet dhe indiciet penale të vitit 2019*, nga të cilat 23- prej tyre kanë përfunduar dhe dërguar prokurorisë, 2 prej tyre janë dërguar materialet për vlerësim prokurorisë dhe 4 janë në proces shqyrtimi nga KLSH. Veprat kryesore penale për të cilat akuzohen këta persona janë “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, por nuk mungojnë edhe akuza për “Falsifikim dokumentesh”, përveç sa janë rekomanduar masa disiplinore prej “Largim nga puna” dhe deri në “Vërejtje”, si për drejtues ashtu edhe për zyrtarë ekzekutiv.
Në epiqendër të këtyre kallëzimeve penale kanë qenë abuzimet me tenderat nga zyrtarët dhe entet publike e shtetërore, shpenzimet e paargumentuara dhe të ardhurat e munguara, abuzime me pronat publike e zyrtarë të korruptuar, keqmenaxhimi i financave publike, abuzimet dhe shkeljet e ligjshmërisë me prokurimet dhe parregullsitë gjatë procedurave të shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej 645 miliardë lekësh në dy vite, 2018-2019. Përkatësisht, në sektorin publik në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë në menaxhimin e financave publike, dëmi total për dy vitet e fundit arrin në shumën 363 miliardë lekë.
Problematikat e shumta në procedurat e prokurimit në periudhën 2018-2019 kanë regjistruar dëm ekonomik në vlerën 2.8 miliardë lekë. Ndërsa në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit i kalon 280 miliardë lekë. Të tjera fenomene që ushqejnë kategoritë e korrupsionit janë: krijimi i barrierave oligopolistike në ekonomi; ngathtësia dhe paaftësia burokratike; niveli i lartë i papunësisë dhe përpjekje fiktive për ta zvogëluar atë nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të përkohshme të punës; niveli i përgjithshëm i çmimeve i krahasueshëm me vendet e zhvilluara evropiane, ndërsa niveli i pagave i krahasueshëm me vendet e pazhvilluara aziatike; potenciali ende i pa përmbushur i shoqërisë civile etj.
Të gjitha këtyre shkaqeve u duhet shtuar edhe fakti i krijimit të klimës së pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të inkriminuar në praktika mashtruese dhe korruptive. Dënimet penale të parashikuara në legjislacionin tonë për korrupsionin nga zyrtarët publikë janë të përgjithshme dhe krijojnë hapësira për shmangie. Pikërisht për të eliminuar këto hapësira, ne si KLSH prej më se 7 vitesh i kemi propozuar qeverisë dhe Kuvendit të kalojnë ligjin “Mbi përgjegjësinë materiale të zyrtarëve të lartë dhe të mesëm publikë”, i cili do të intensifikonte më tej luftën ndaj korrupsionit. Thënë ndryshe “do të vendoste pikat mbi ‘i’”. Duhet theksuar se sfidat për realizimin e proceseve integruese dhe angazhimeve të Agjendës së vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së (në këtë proces ne si Shqipëri jemi shumë mbrapa), kërkojnë bashkëpunim efektiv të të gjithë aktorëve dhe faktorëve kryesore në vend, me objektiv zhvillimin e qëndrueshëm të vendit përmes mirëqeverisjes, llogaridhënies dhe sinergjizimit të politikave dhe aksioneve kombëtare.
Komunikimi
Nën Objektivin e Tretë Strategjik, KLSH ka integruar elemente moderne të komunikimit dhe ka miratuar Strategjinë e Komunikimit 2017-2019, duke synuar të përçojë zërin e qytetarit dhe të publikut nëpërmjet auditimeve dhe raportimeve për gjetjet dhe rekomandimet e tyre. Strategjia e komunikimit thekson marrëdhëniet e KLSH me publikun dhe Kuvendin, duke përfshirë edhe partnerë të tjerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Këtu mund të ndalemi në disa dimensione të prekshme: Për periudhën shtatëvjeçare 2013-2019 të gjithë audituesit e KLSH-së kanë botuar në total 764 artikuj pothuajse në të gjitha gazetat e vendit. Për të kuptuar dinamikën, mund të përmendim se për vitin 2019, 90 auditues, prej të cilëve rreth 30% janë auditues të rinj, kanë qenë prezentë pothuajse në të gjitha gazetat me 122 shkrime. Shkrimet e audituesve janë botuar në 12 volume dhe përfaqësojnë fytyrën e punës sonë audituese për gjetje dhe problematika të dala gjatë auditimit duke i shërbyer drejtpërsëdrejti qytetarit. Gjatë vitit 2019, shtypi i shkruar ka pasqyruar raportet dhe deklaratat për shtyp të KLSH-së në një numër prej 336 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike.
Komunikimi dhe bashkëpunimi me median vijon me të njëjtën frymë dhe intensitet dhe të gjitha mediat janë ftuar të marrin pjesë edhe në analizat vjetore të Departamenteve të auditimit, duke rritur në këtë mënyrë transparencën e veprimtarisë së KLSH-së. Gjatë tetë viteve të fundit KLSH ka nënshkruar 60 marrëveshje bashkëpunimi, nga të cilat 33 me OJF dhe Universitete Publike e Private, 17 me institucione homologe dhe të tjerat me institucione shtetërore. Bashkëpunime me profesoratin e Universiteteve është vlerësuar maksimalisht nga KLSH, duke bashkëpunuar ngushtësisht me personalitete të fushave të ndryshme, duke përfshirë një pjesë të tyre edhe në auditime specifike, që kërkojnë mendim më të specializuar. Kjo qasje bashkëpunimi me Universitetet konfirmohet edhe për vitin 2019, gjatë të cilit Kryetari i KLSH ka nënshkruar tre marrëveshje të reja bashkëpunimi me Universitete, përkatësisht me Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Universitetin “LOGOS” dhe “Albanian University”.
Edhe në vitin 2019, në zbatim të një prej objektivave të Strategjisë së Komunikimit të institucionit, KLSH organizoi për të tretin vit radhazi Muajin e Hapur për qytetarët në datat 1 nëntor-6 dhjetor 2019. Gjatë muajit të hapur audituesit e KLSH-së morën pjesë në shumë aktivitete brenda dhe jashtë institucionit, Gjatë vitit 2019 ne kemi vendosur në WEB, në kuadër të rritjes së transparencës vendimet e plota të Kryetarit të KLSH-së për auditimet e realizuara përgjatë vitit 2019, në masën 90% (janë vendosur 124 vendime auditimi nga 140 auditime të realizuara, ( nuk janë vendosur sepse janë konfidencialë) dhe janë vendosur gjithashtu edhe raportet respektive të auditimit. Gjithashtu në faqen zyrtare të KLSH gjenden të gjitha raportet që janë hartuar dhe përgatitur nga KLSH gjatë vitit 2019 si Raporti i Aktivitetit, Raporti i Buxhetit, Raporti i Monitorimit dhe Buletinet Statistikorë. Për të qenë sa më afër publikut, KLSH publikon në faqen e saj zyrtare të gjithë librat e kolanës së saj të botimeve.
Sfidat për të ardhmen
Për vitin 2020 e në vijim prioritare për KLSH do të vijojë të jetë implementimi i standardeve ISSAI dhe Kuadrit të Integruar të Praktikave Profesionale (IFPP INTOSAI – INTOSAI Framework of Professional Pronouncements) si një proces dinamik, pasi dhe vetë zhvillimi i standardeve profesionale të auditimit është i tillë, kjo në përgjigje dhe reflektim të shndërrimeve në nivel global. KLSH riafirmon angazhimin konstant në zbatimin e kuadrit të plotë të INTOSAI-t dhe në zbatim të detyrave të Rezolutës se Kuvendit të Shqipërisë, të Korrikut 2018, prioritetet në veprimtarinë tonë audituese do të synojnë: KLSH do të vijojë qasjen e auditimit të jashtëm të bazuar në risk, e iniciuar për herë të parë në qershor 2018. Në zbatim të rekomandimeve të Progres-Raportit të Këshillit të Evropës, do të synohet rritja e numrit të auditimeve të performancës dhe atyre të IT në totalin e auditimeve të KLSH me prioritet të theksuar ndaj tyre. Auditimet financiare do të rezultojnë me opinione të auditimit profesional, duke përfshirë dhe dhënien e opinionit mbi zbatimin e buxhetit të shtetit, proces i filluar që në v.2017. Përmirësimi i cilësisë së auditimit, me qëllimin që aktivitetet e auditimit të zbatohen në përputhje me kërkesat e Rregullores së Procedurave te Auditimit.
Intensifikimi i proceseve të Zbatimit të Rekomandimeve, në frymën e Parimit nr. 7 të Deklaratës së Meksikos dhe Udhëzimit të KLSH-së nr.1, datë 04.11.2016 “Mbi procedurat për ndjekjen dhe dokumentimin e punës, në auditimin e verifikimit të zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, duke reflektuar përmirësimet e kuadrit rregullator dhe funksional të KLSH-së. Zbatimi i dokumentit të politikave mbi Burimet Njerëzore, ku janë përfshirë nëntë elementet e tij përbërëse, dhe mund të nënvizojmë si rekrutimet e audituesve me përvojë, forcimin e kapaciteteve profesionale përmes trajnimit, domosdoshmërinë e kulturës së edukimit të vazhduar, promovimin e vlerave etike të stafit etj.
Në fushën e Kontrollit të Cilësisë për KLSH , roli ynë në përputhje me ISSAI 40, do të jetë duke i dhënë rëndësinë e duhur monitorimit të vazhdueshëm të cilësisë së angazhimeve si dhe realizimit të përvitshëm të procesit të kontrollit të cilësisë në të ftohtë, dhe angazhimit të KLSH ndaj parimeve etike. Në aspektin e metodologjisë dhe zhvillimit, fokusi ynë do të jetë rishikimi dhe përmirësimi i manualeve dhe metodologjive, duke finalizuar në bashkëpunim me SIGMA-n, Udhëzuesin për auditimin e buxhetit të shtetit. Vijimësia e masave për të përmirësuar zhvillimin profesional të stafit të auditues. KLSH në zbatimin e planit të zhvillimit strategjik 2018-2022 dhe strategjisë së komunikimit 2017-2019 synon forcimin e kapaciteteve dhe zhvillimin profesional të audituesve, duke ruajtur akordin e 25 ditëve trajnim profesional mesatarisht në vit, sipas programit të integruar të zhvillimit profesional të miratuar me Vendimin e Kryetarit të KLSH-së nr. 187, datë 31.12.2019.
Organizimi dhe mbajtja e Konferencës VII Ndërkombëtare të KLSH-së me objekt “Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara 2030 dhe Shqipëria”. Avancimi në aplikimin e softwareve në funksion të auditimit (rasti ynë me SIMMPA), si dhe përmirësimi e rishikimi i rregullores së procedurave të auditimit të KLSH, në drejtime të veçanta si mbi formulimin e opinioneve të auditimit dhe standardizimin e letrave të punës etj. KLSH do të vazhdojë impenjimin në shkëmbimin e përvojave ndërkombëtarisht, përmes pjesëmarrjes në tryezat e grupeve të punës së EUROSAI dhe INTOSAI-t; kryerjes se auditimeve pilote, paralele dhe të përbashkëta me SAI partnere, sipas motos së INTOSAI-t, se “nga përvojat e përbashkëta përfitojnë të gjithë”. Nën këtë moto, KLSH konsideron primare shkëmbimin ndërkombëtar të eksperiencave, sipas definimeve të nenit 15 të ISSAI 1, duke qenë një pjesëtar aktiv, nëpërmjet kontributeve dhe angazhimit në grupet e punës së EUROSAI-t dhe në takimet rajonale me dobi të përbashkët. Si institucion suprem i auditimit shtetëror, do të vijojmë përpjekjen e pandryshuar që, “të jemi shërbestarë dhe mbrojtës të interesave të qytetarëve shqiptarë, synojmë përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së institucioneve publike”, si dhe do të vendosim në prioritetet tona të ardhshme direktivën e Kongresit të fundit të INTOSAI-t, sipas së cilës, “SAI-t inkurajohen të edukojnë audituesit e së ardhmes…, dhe të veprojnë si: Aktorë strategjikë, Shkëmbyes të njohurive dhe Prodhues të largpamësisë ”.
*Pjesë nga fjala në analizën vjetore të KLSH për vitin 2019