Motoja e tyre është “Kush guxon, fiton”. Historia e komandos së SAS në Kenia është bërë virale. SAS është një njësi speciale e ushtrisë britanike, të famshëm në mbarë botën për aftësitë e tyre në luftë.
Kur katër terroristë sulmuan një kompleks hotelor në Nairobi të Kenias, për fat aty ndodhej edhe një britanik i SAS. Ai gjendej në Kenia për të dhënë asistencë për policinë vendore. Daily Mail raporton se komandoja nuk ishte në detyrë dhe kishte dalë për pazar.
Por sapo dëgjoi për sulmin, ashtu siç ishte me xhinse, atlete dhe këmishë lejla, veshi pajisjet ushtarake që i mbante në bagazhin e makinës dhe u nis për operacion.
Pasi organizoi të gjithë detajet, ai u fut i pari në aksion duke shkëmbyer zjarr me terroristët. Katër terroristë u futën në kompleks, njëri prej tyre hodhi veten në erë dhe vrau 21 persona. Tre të tjerët humbën jetën gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Mendohet se komandoja i SAS ishte aktori kryesor në eliminimin e tyre. Ai arriti që të nxjerrë dhjetëra persona jashtë kompleksit, duke shpëtuar jetë njerëzish.
“Njerëzit e SAS vihen menjëherë në veprim sapo dëgjojnë krisma. Ai qëlloi gjatë operacionit. Mund të vësh bast se ai i qëlloi shënjestrat. Një SAS nuk del kurrë huq. Nuk ka dyshim se ai shpëtoi jetë. Ai ka shumë kohë si pjesë e regjimentit”, tha një burim.
Autoritetet kanë vlerësuar aksionin e komandos.
Gjatë sulmit ai mbante një maskë që shërben edhe si helmetë balistike, një pushkë të modifikuar kanadeze, një pistoletë Glock 9 mm dhe një thikë për dyluftim.