Janë siguruar nga burime pranë laboratorit kriminalistik, fotot e vetme që faktojnë rrëmbimin e Jan Prengës. Në pamje shfaqet makina e vjedhur më 26 nëntor ditën e tërmetit në Tiranë. Makina hyn në pjesën e kompleksit Golden. Pranë saj shfaqen disa persona që marrin trupin e pajetë të Jan Prengës. Në fotot e siguruara duket momenti kur trupi del nga makina.
Mëposhtë, janë dy foto që tregojnë dinamikën dhe fakton futjen e trupit nga makina Range Rover dhe nxjerrjen e trupit të pajetë. Por një burim i sigurt pranë laboratorit të kriminalistikës i tha gazetares Anila Hoxha se nga këqyrja e kamerave të sigurisë janë nxjerrë të dhëna të sigurta për rolin e secilit prej të dyshuarave.
Madje në një moment pamjet tregojnë autorët me kapele që ndryshojnë veshjet dhe i fusin në qese të zeza. E njëjta gjë duket edhe për fshirjen e gjurmëve, ku shfaqet një nga të arrestuarit duke hedhur në tokë një solucion për të shkatërruar gjurmë të AND.
“Ne“, tha jo zyrtarisht një burim pranë laboratorit të kriminalistikës kemi faktuar hap pas hapi se çfarë ndodhi në garazhin e kompleksit Golden dhe cilët janë personat që kryejnë veprime aktive dhe këto të dhëna ia kemi dorëzuar prokurorisë.
Festim Bixhdili, që është njëri nga pesë personat e arrestuar për rrëmbimin e Jan Prengës gjatë marrjes në pyetje rrëfeu lëvizjet me furgonin e bardhë dhe detajin që implikon drejtpërdrejt pronarin e resortit Altin Hajri (që është në kërkim) dhe një person të familjes Doçi në zhdukjen e trupit të pengut.
Ai tregoi se punonte si kopshtar në kompleksin “Golden” dhe se në datën 17 janar është telefonuar nga Altin Hajri, për të marrë një trup të pajetë me një furgon të bardhë, ai që duket në fotot e siguruara.
Bixhdili tregoi më pas se u largua me furgonin e bardhë dhe disa kilometra nga resorti dhe trupin e pajetë ia dorëzoi Altin Hajrit dhe një pjesëtari të familjes Doçi nga Shkodra, të dy persona të shpallur në kërkim.
Më pas, ai ka treguar se u rikthye në resort dhe dorëzoi furgonin e bardhë, që është fiksuar nga kamerat e sigurisë dhe që është prova kryesore që implikon Hajrajt dhe Doçët. Trupi i i 49-vjeçarit Jan Prenga ende nuk është gjetur nga policia.
Altin Hajri, i dyshuar si një nga personat kryesorë që ka vënë në zbatim planin për rrëmbimin dhe mbajtjes peng të Jan Prengës, rezulton të ketë ardhur në Shqipëri në muajin dhjetor 2019. 18 ditë pasi Altin Hajri ishte kthyer në Shqipëri, ai vihet në veprim me familjen Doçi në Shkodër për të rrëmbyer dhe mbajtur peng,
Jan Prengën, pasi vëllezërit e tij mbanin peng në Angli një sasi prej 283 kg lëndë narkotike kokainë. Nga hetimet për rrëmbimin dhe zhdukjen e trupit të Jan Prengës, janë shpallur në kërkim 10 persona, që dyshohet të kenë marrë pjesë në këtë ngjarje të rëndë kriminale.
Deri në këto momente për ketë ngjarje në kërkim janë Dritan Rexhepi, Gentian Doçi, Ardian dhe Artan Doçi, Altin Hajri, M. Bajri,Gentian ose Nik Bleta dhe disa personave të tjerë, ndërkohë që kompleksi ‘Golden’ i Hajrajve dhe pasuritë e Doçëve në Malësi janë sekuestruar.