Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka bërë një rrëfim të rrallë për jetën e saj.
“Kam kaluar shumë momente të vështira në jetë, me shëndetin, me vajzën Borën kur mjekët na thanë se ka vetëm një javë jetë, pasi mishi i huaj në hundë që kishte iu rrit pas një sëmundjeje gripale dhe çoi në bllokimin e mushkërive. Moment tjetër ishte 26 prilli.
Ndjeva neveri për Lulzim Bashën dhe dhimbje për të rinjtë. Nuk kisha me kë ta flisja, Iliri ishte i pari që do të më thoshte “ja si t’u shpërblye gjithë besimi dhe dashuria për Lulzim Bashën”, tha ajo.
Mes lotëve rrëfeu se për miken e saj Paulën, e cila e ka telefonuar shumë herë në orët e vona të 26 prillit, derisa kishte arritur të fliste me deputeten e cila refuzonte t’i përgjigjej kujtdo në telefon.
Ajo tregoi se Paula është një besimtare e jashtëzakonshme, “Më ka inkurajuar që të pranoja gabimet. ‘Gabimi nuk ishte se ti besove. Edhe Jezus Krishti besoi, por njeriu më i ngushtë e shiti te tradhtarët dhe mos harro që ringjallja vjen pas kësaj që ka ndodhur.
Ndoshta për Shqipërinë ishte shumë shpejt për të patur një grua kryetare partie. Mos u dorëzo! Ke nevojë për të reflektuar. Ke nevojë për të pranuar gabimet e tua’”, kujtoi Monika disa nga fjalët e Paulës, e cila siç tha, i ka dhënë një motivim të jashtëzakonshëm.