Humbja e katërt në pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, ku duhet shtuar edhe eliminimi nga Kupa e Italisë, mund t’i kushtojë vendin Klaudio Ranierit. Numri një i Interit, Masimo Morati, është parë shumë i irrituar në përfundim të ndeshjes kundër Bolonjës dhe mund të vendosë që të ndryshojë teknikun e tij të dytë në këtë sezon dhe t’ia japë skuadrën Luis Figos përpara ndeshjes së Champions League kundër Maresjës. Nata e presidentit zikaltër duket se ka qenë shumë e gjatë dhe e vështirë. Morati ka kuptuar se Ranieri nuk e ka më në dorë skuadrën dhe se, mbi të gjitha, nevojitet një shkundje vendimtare për të evituar falimentin edhe në Europë. Problemi është të zgjedhësh në momentin e duhur. Pas pak ditësh Zaneti me shokë do të luajnë atë që mbetet nga sezoni me Marsejën dhe eliminimi nuk është marrë në konsideratë nga klani interist. Ndaj, çfarë duhet bërë?
Gjithçka rrotullohet këtu sepse Morati, që e ka braktisur stadiumin përpara kohe, duhet të vendosë me shpejtësi nëse duhet t’ia lërë Ranierit skuadrën deri në sfidën me francezët, apo ta shkarkojë menjëherë dhe t’i vendosë zikaltërit në duart e Luis Figos. Portugezi, shumë i vlërsuar në rrugën “Vittorio Emanuele”, mund të jetë trajneri klasik i pritjes së ndryshimeve të mëdha, që mund të jetë një mes Guardiolas, Vilas Boas dhe Kapelos. Por, për nesër ka kohë, edhe sepse Interi duhet të shpëtojë të sotmen. Champions është pas qoshes, mbetet të kuptohet se cili do të jetë në timonin e Interit për të drejtuar anijen zikaltër larg stuhisë.