Partia Demokratike pritet të mbledhë kryesinë e më pas grupin parlamentar, për të përshkallëzuar qëndrimin e saj në mbrojtje të biznesit të vogël dhe të mesëm.
Në takimin e zhvilluar me përfaqësues të biznesit të vogël dhe të mesëm, Basha premtoi se do të jetë bashkë me ata, kur nesër do të mbyllen qepenet nga ora 11.00 deri në 12.00 në shenje proteste ndaj vendosjes së skemes së TVSH.
“…Futja e biznesit të vogël në skemën e TVSH do të çojë në falimentim e biznesit, do të rrisë papunësinë dhe evazionin fiskal…Ky kryeministër urren çdo gjë të pavarur, ndaj kërkon ta shkatërrojë biznesin e vogël. Do ta çojë xhiron e biznesit të vogel në një grusht oligarkësh që po shesin Shqipërinë…”, tha Basha gjatë tryezës me ta.
Vetëm pak orë më pas ai mbledh strukturat me qëllim që mbështetja ndaj kësaj kategorie të jetë e njëjtë në gjithë Shqipërinë.
Por jo vetëm.
Mapo.al mëson se ulja e qepenave do të jetë hapi i parë mbështetës i opozitës. Ditët në vijim pritet një radikalizim i situatës ku përfaqësues të opozitës simbolikisht në shenjë proteste do të protestojne duke “gjuajtur” jo më me fjalë, por me domate, patate, pra me mallra.
“…Ngrihuni! Nuk ka rrugë tjetër. Fjalët e kanë humbur kuptimin, vetëm veprimi do të rikthejë shpresën në këtë vend…”, i tha Basha, biznesit të vogël.