Mosdekretimi i Lleshit: Nuk ka më paqe Rama-Meta

Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së e konsideroi antikushtetues vendimin e Metës për mosdekretimin e Lleshit. Reagon Presidenca: Ka ikur koha kur vendosin Sekretarët e Parë… Lleshi emërohet zëvendësministër me “fuqi” ministri. Rikthehet përplasja e vjetër Rama-Meta.

Pa kaluar as 24 orë nga takimi Meta-Rama për mosdekretimin nga ana e presidentit e kandidaturës së Sandër Lleshit në krye të Ministrisë së Brendshme shpërthen tensioni politik mes palëve. Me gjithë tentativën për të kamufluar përplasjen institucionale dje pati reagime të shumta, ku kreu i shtetit nuk ka folur vetëm në “emër” të Kushtetutës, por në gjuhë politike, duke agravuar gjendjen në një provë “force” të dyshes Rama-Meta apo president-qeveri. Lëvizja e prerë e Metës për të mosdekretuar Lleshin si ministër me argumentimin: “nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z. Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm”, ka sjellë kundërreagimin e Ramës. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste Rama mësohet të jetë shprehur se mosdekretimi nga e Metës e kandidaturës së propozuar të Sandër Lleshit si ministër është në shkelje të Kushtetutës dhe për Ramën Lleshi ka “Top cosmic” (certifikatë sigurie nga NATO). Por nuk ka lënë me kaq, pasi kaloi në atë që njihet si “plani B”, duke e emëruar Lleshin në detyrën e zëvendësministrit të Brendshëm, por me kompetenca të deleguara të një ministri. “Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të Brendshëm. Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendësministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”- shkruan kryeministri. Premtohet debat, e një lloj sulmi politik ndaj Metës në lidhje me atë që socialistët e konsiderojnë se është në shkelje të kushtetutës. Presidenti nuk priti gjatë për të reaguar në deklaratë të fortë, që më sa paku premtohet përplasje e fortë.



Rama-Meta, koha për “armiqësitë” e vjetra…

Përmes zëdhënësit të tij, Kreu i Shtetit shprehet se “konfirmon përkushtimin e tij maksimal në respekt të Kushtetutës, për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet në vend, në interes të stabilitetit, forcimit të institucioneve dhe rritjes të kulturës së bashkëpunimit ndërinstitucional me transparencë dhe konstruktivitet”, thekson se “nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit të institucionit që përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare”. Zëdhënësi thekson se “Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes”, ndërsa shton se “Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”. Në këtë mënyrë kreu i shtetit ka kërcënuar se nuk është në atë post si një “noter” i vendimeve të qeverisë, por një personazh që sikurse e konfirmoi vetë merr vendime “kurajoze”. Refuzimi për të dekretuar gjeneral Lleshin në krye të Ministrisë së Brendshme ishte vendim kurajoz, por tashmë me përplasjet e fundit është kthyer armiqësia e vjetër Rama-Meta. Mes tyre pati një kohë “paqeje” kur ndanë pushtetin në vitet 2013-2017, por vetëm dy muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2017, u rikthyen në pozicionet e mëparshme të konfliktit, ndonëse Meta kishte siguruar presidencën me votat e socialistëve. Për momentin palët i referohen Kushtetutës, duke e interpretuar secili në favor të tij, ndonëse çështja ngjan se është edhe më shumë politike. Mesazhi i qartë i Metës që kujton se koha e Sekretarëve të Parë të Partisë ka ikur është mesazhi i qartë që “shahu politik” që paralajmëroi kryeministri sapo ka nisur të luhet… Në këtë debat nuk ka munguar aq qëndrimi i Partisë Demokratike, që e sheh emërimin e Lleshit si zëvendësministër me kompetencë ministri si të rrezikshëm dhe një mënyrë e qartë që kjo Ministri të kontrollohet nga Rama. “Këmbëngulja e Edi Ramës për emërimin e Sandër Lleshit në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, konfirmon qëndrimin e opozitës se Rama e ka jetike kontrollin e plotë të Ministrisë së Brendshme”-thuhet në qëndrimin e PD-së. Sipas opozitës, “duke qenë vetë de facto Ministër i Brendshëm, Edi Rama ka më shumë mjete për të mbrojtur Olsi Ramën, Vangjush Dakon, Taulant Ballën, Damian Gjiknurin, Arben Ahmetaj dhe këdo tjetër anëtar të bandës së tij në pushtet”.

Kushtetutën nuk ka kush ta interpretojë

Edhe pse debati i fundit presidencë-qeveri lidhet me mosdekretimin nga ana e kreut të shtetit të Sandër Lleshit në postin e ministrit të Brendshëm, interpretimet kushtetuese nëse duhej rrëzuar ose jo kandidatura e tij kanë vijuar edhe ditën e djeshme. Pozicioni i marrë nga Meta për rastin Lleshi ka hapur një konflikt kushtetues dhe një precedent të paregjistruar më parë. Kushtetuta parashikon se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve”, duke mos lënë hapësira për një ndërhyrje të Kreut të Shtetit. Kushtetuta përcakton se “Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete”. Në të vërtetë ai firmosi dekretin për shkarkimin e ish-ministrit të dorëhequr Fatmir Xhafaj, duke iu referuar dhe bazës ligjore. Ndërsa në rastin e Lleshit ende nuk ka një vendim të motivuar zyrtarisht. Në faqen e Presidencës së Republikës nuk gjendet një dekret për mos miratimin e propozimit të kryeministrit, madje as njoftimi i shpërndarë nga zëdhënësi të shtunën në mbrëmjes, i cili flet vetëm për “mungesën e bindjes” nga ana e Presidentit, dhe jo për bazën ligjore ku ai është mbështetur. Ish-presidenti Bujar Nishani i ndodhur në një situatë të tillë për të dekretuar ose jo Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm në fillim të vitit 2017 u shpreh se ndonëse nuk pajtohej me figurën e Xhafajt (i referohej të shkuarës si tij si hetues në kohën e diktaturës), ishte i detyruar ta dekretonte, pasi Kushtetuta nuk ia lejonte refuzimin e dekretit. Dje ish-Presidenti Nishani është shprehur se ka një korrespondencë dhe përgjigje nga Gjykatën Kushtetuese që gjendet në arkivin e Presidencës. Gjykata Kushtetuese nuk e mori në shqyrtim interpretimin që kërkonte kreu i shtetit nenit 78 të kushtetutës, pasi sipas saj nuk mund të shqyrtohej një çështje që nuk kishte ndodhur. Gjithashtu konstitucionalistët me të cilët Nishani u konsultua i sugjeruan që të dekretonte Xhafajn, pasi Kushtetuta nuk ia jepte të drejtën e mosdekretimit. Në situatën aktuale debati Meta-Rama do mbetet në rrafshin politik, pasi për interpretim ligjor mungon Gjykata Kushtetuese që për shkak të Reformës në Drejtësi ka mbetur me vetëm dy anëtarë dhe nuk mund të plotësojnë kuorumin që të shqyrtojnë çështje të caktuara. Kolapsi institucional me Gjykatën Kushtetuese apo Gjykatën e Lartë i shtohet edhe “kaosi” tjetër, gjithashtu, institucional presidencë-qeveri.

 


Fatal error: Uncaught ___C_0: (E_ERROR) Trying to access array offset on value of type bool in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config:252 Stack trace: #0 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(13): ___C_5->_errorHandler(2, 'Trying to acces...', '/home/gazetamap...', 13) #1 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_demo_style() #2 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(74): JNews\Module\Block\Block_9_View->get_image_size() #3 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(63): JNews\Module\Block\Block_9_View->build_column(Array, 'jeg_col_2o3') #4 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/Block_9_View.php(47): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_column(Array, 'jeg_col_2o3') #5 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/Block/BlockViewAbstract.php(17): JNews\Module\Block\Block_9_View->render_output(Array, 'jeg_col_2o3') #6 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Module/ModuleViewAbstract.php(165): JNews\Module\Block\BlockViewAbstract->render_module(Array, 'jeg_col_2o3') #7 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(1265): JNews\Module\ModuleViewAbstract->build_module(Array) #8 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/class/Single/SinglePost.php(205): JNews\Single\SinglePost->related_post(false) #9 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(307): JNews\Single\SinglePost->related_post_hook('') #10 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/class-wp-hook.php(331): WP_Hook->apply_filters(NULL, Array) #11 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/plugin.php(474): WP_Hook->do_action(Array) #12 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/fragment/post/single-post-1.php(66): do_action('jnews_single_po...') #13 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(772): require('/home/gazetamap...') #14 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template.php(716): load_template('/home/gazetamap...', false, Array) #15 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/general-template.php(204): locate_template(Array, true, false, Array) #16 /home/gazetamapo/public_html/wp-content/themes/mapo/single.php(16): get_template_part('fragment/post/s...') #17 /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/template-loader.php(106): include('/home/gazetamap...') #18 /home/gazetamapo/public_html/wp-blog-header.php(19): require_once('/home/gazetamap...') #19 /home/gazetamapo/public_html/index.php(17): require('/home/gazetamap...') #20 {main} thrown in /home/gazetamapo/public_html/wp-includes/js/tinymce/skins/wordpress/images/formatting.config on line 252