Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se kryeministri Edi Rama fsheh me vendimin e maskave, mosmarrjen e masave konkrete ndaj pandemisë Covid-19.
Në një konferencë për mediat nga selia blu, Basha iu kundërpërgjigj fyerjeve të kreut të qeverisë me të njëjtën gjuhë, teksa i mëshoi gjendjes së rënduar të sistemit shëndetësor.
Kryedemokrati e krahasoi Ramën me personazhin e një filmi të vjetër shqiptar “Horizonte të Hapura”: Robert Çamçakëzi.
“Fillon java e tretë e publikimit të planit tonë me 5 pika, kundër krizës ekonomike dhe hapave kundër valës së dytë të infektimeve nga COVID. Dy javë me radhë, unë, ekspertët dhe ju media, përmes gazetarëve që raportojnë, e keni bërë këtë plan të ditur dhe e keni shprehur se çfarë propozon PD dhe opozita.
Ne kemi denoncuar gjendjen që sa vjen e rëndohet të shëndetësisë, të mjekëve dhe infermierëve, rritjen e pacientëve të të infektuarve me COVID-19, ndërkohë që i vetmi që i bën bisht përgjegjësisë është njeriu që ka në dorë të ndihmojë njerëzit në nevojë, pacientët, shqiptarët. Shumica dërrmuese e të rinjve se mbajnë mend një film ku një person, endej nga kantieri në kantier, ku ishte personazhi i ‘Robert Çamçakëzi’.
Edi Rama është Robert Çamçakëzi. Ai pyetet; A e njihni planin e PD dhe çfarë po bëni për të ndihmuar njerëzit?! Duhet t’i kujtojmë shqiptarëve që çdo dhimbje s’vjen vetëm për shkak të pandemisë, por për shkak se Rama i ka katandisur. Rama fryhet si gjel e kakaris si pulë, tjetër gjë s’bën. Ai s’ka mbajtur asnjë premtim për t’i dhënë bonus mjekëve e infermierëve”,- tha Lulzim Basha.
Duke filluar nga nesër, qytetarët do të jenë të detyruar të mbajnë maska, si në ambiente të hapura dhe të mbyllura, në të kundërt do të gjobiten tek faturat e dritave.