Lajmi i ditës është sigurisht statusi zyrtar i José Mourinho në stolin e Romës, duke filluar nga sezoni i ardhshëm.
Disa shenja kishin arritur tashmë javën e kaluar, kur portugezi në një intervistë zbuloi se përfundimisht do të pranonte të kthehej në Itali, por jo domosdoshmërisht tek Interi, por te rivalët e tij.
Deklarata që ish-numri një i zikaltërve, Massimo Moratti, i komentoi si vijon:
“Trajnerët janë të tillë dhe nuk duhet ta paragjykojmë këtë zgjedhje. Ne gjithmonë do ta duam Mourinho, çfarëdo zgjedhjeje që të bëjë. Nëse do të kthehej në Itali do të ishte një gjë e mirë. Ai do të ishte në gjendje të argëtonte dhe stimulonte të gjithë botën e futbollit, siç ka bërë kudo. I uroj gjithë të mirat”.
Mourinho është shumë i afërt për Interin, pasi fitoi tripletën më 2010 dhe tifozët zikaltër nuk e kanë harruar kurrë atë. Sidoqoftë, tani, “Special One” do të kthehet si kundërshtar në “San Siro”. Do të jetë e nevojshme të shohim se çfarë mirëseardhjeje do të marrë atje nga njerëzit e Interit. Ndërkohë, Massimo Moratti u shpreh kështu, pas zyrtarizimit të luzitanit në stolin e Romës:
“Ai më befasoi, por jam shumë i lumtur për të. Kampionati bëhet i bukur dhe më interesant. Këtë herë ishte e vështirë për të që të kthehej në stolin e Interit, duke marrë parasysh se me trajnerin Conte fituam kampionatin. Zgjedhja, si nga Mourinho, edhe nga Roma, duket interesante”.
Mourinho vjen nga një sezon, që sigurisht nuk është i paharrueshëm, pasi u shkarkua nga Tottenham më 19 prill. Marrëdhëniet midis portugezit dhe Moratit kanë qenë gjithmonë të mira. Edhe kohët e fundit kanë shkëmbyer disa fjalë:
“A jemi dëgjuar? Po, por nuk kemi biseduar për këto gjëra. Unë e telefonova Jose kur u shkarkua nga Tottenham”.
Tani do të jetë me siguri interesante të shohim përsëri Mourinho kundër Conte, si në Premier League:
“Ndeshja kundër Conte sigurisht që do të jetë interesante, me një ngarkesë të veçantë nga të dy. A do të jetë një stimul edhe për Conte? Do të ishte e pakëndshme, nëse ai do ta kishte këtë dyshim, shpresoj që jo. Unë mendoj se nuk ka dyshim se është e drejtë që ai të qëndrojë në stolin e Interit. Personalisht gjykoj se vetëm po pret të sqarojë situatën, e cila sigurisht do të sqarohet pozitivisht”.
LEXO EDHE:
“Erdha te Roma prej pasionit të tifozëve”-Mourinho: Të ndërtojmë projekt fitues