22-vjeçari Redi Balla ka dhënë dëshminë e tij në polici pas ngjarjes së ndodhur te Komuna e Parisit, ku i riu i u plagos në këmbë.
“Po shkoja në shtëpi. Parkova makinën dhe po merresha me celularin kur dikush u afrua dhe me qëlloi. Nuk e pashë se kush ishte sepse mbulova kokën me duar. Nuk e di kush më ka qëlluar”, është shprehur ai.
Burime nga policia thonë se 22-vjeçari nuk ka precedentë të mëparshëm penal. Policia po punon me kamerat e sigurisë për të marrë të dhëna që do të çojnë në identifikimin e autorit.
Po ashtu po pyeten rrethi shoqëror dhe familjar i Redi Ballës për të kuptuar nëse ka pasur konflikte.
Nuk dihet nëse autori i plagosjes ka qenë në të njëjtën makinë me 22-vjeçarin. Pas ngjarjes uniformat blu rrethuan zonën dhe ushtruan kontrolle për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentin e plotë të saj. Ngjarja ndodhi ndërkohë që i gjithë fokusi, përfshirë edhe policinë, ka qenë në ndeshjen Shqipëri-Poloni, që po luhej në stadiumin “Air Albania”.