fbpx

Ekonomi

Mungesa e investimeve të huaja, a s’është shkak për ikjen e Ramës?





               Publikuar në : 08:59 - 06/03/19 |
mapo.al

Për një ekonomi të vogël si e jona investimet e huaja janë si oksigjeni. Nëse ka një dështim spektakolar të qeverisjes Rama ai është rreziku me të cilin përballet Shqipëria, që është rënia drastike e IHD


Tjetër propaganda e qeverisë e tjetër realiteti. Në gjashtë vite qeverisje të Edi Ramës, asnjë brand i huaj nuk ka preferuar të vijë në vendin tonë për të investuar. Arsyeja kryesore është e thjeshtë: në një vend që gëlon nga korrupsioni askush nuk ofrohet të hedhë paratë e veta kot. Por situata është shumë më komplekse. Qeveria e socialistëve e drejtuar nga Rama që në fillimet e veta u vu përballë investitorëve të huaj, duke ushtruar presion mbi to. Nuk mund të lihen në harresë reagimet e shumta të përfaqësive të biznesit amerikan e gjerman në Tiranë. Ndonëse asnjëherë nuk u tha publikisht, largimi i koncesionarit të Aeroportit të Rinasit, një kompani gjermano-amerikane dhe kalimi i pronësisë te një kompani kineze, dhe e njëjta gjë e përsëritur edhe me investitorin e madh në shfrytëzimin e naftës Bankers, u nxitën edhe nga presioni qeveritar. Mesazhi që u përcoll për të tjerët që mbase e kishin ndërmend të vinin nuk kishte se si të ishte më negativ.



Kjo klimë e papërshtatshme për të investuar në Shqipëri, e bashkëshoqëruar edhe me një mungesë të konkurrencës së vërtetë, me një drejtësi që mbetet e mbytur në një reformë që po zgjat pa fund dhe që vetëm drejtësi nuk jep, me një sistem fiskal që ndryshon pa paralajmërim dhe sipas orekseve të kompanive pranë pushtetit kanë krijuar një ndotje toksike që do të largonte edhe investitorin më optimist.


Qeveria Rama i ka të hapura preferencat e saj për sektorë dhe biznese të caktuara. Para që vijnë nga drejtime shpesh të dyshimta shkojnë në ndërtim pallatesh, i vetmi sektor ku investimet pikërisht për këto shkaqe nuk kanë munguar. Edhe në ndërtimin e rrugëve qeveria i ka kompanitë e veta të preferuara, për të cilat opozita nuk ka reshtur së denoncuari për kosto krejtësisht të ekzagjeruara, siç ishte rasti i Unazës së re në Tiranë. Pra, ndërtimi është një treg i mbyllur, madje jo vetëm aq por edhe rrethi i kompanive që punojnë aty është i paracaktuar.

Kjo që ndodh me ndërtimin është një copy-paste edhe për sektorë të tjerë të ekonomisë. Ajo që mund të shtohet është se ashtu si për shërbimet publike, edhe për ata sektorë, ku në kundërshtim me ligjin nuk bëjnë përjashtim as bankat, qeveria nuk ka nguruar të shprehë preferencat e saj për një rrjet kompanish të regjistruara në parajsat fiskale, dhe që pronësinë e tyre askush nuk e di. Pra marrja e një leje koncesionare, apo për të investuar ka devijuar në xhepa të dyshimtë privatësh të panjohur jo vetëm për publikun por edhe për ndonjë investitor serioz që mund të vinte në Shqipëri.

Në këtë mënyrë qeveria ka gatuar me duart e saj një dështim spektakolar në tërheqjen e investitorëve të huaj. Tashmë jemi në atë situatë kur asnjë kompani e njohur botërore nuk ka në plan të vendoset në Shqipëri, pasi ajo në këto vite ka parë se edhe ata që ishin u larguan.

Se sa spektakolar është dështimi i qeverisë Rama, dhe se sa e errët është perspektiva e investimeve të huaja në vendin tonë e tregojnë shifrat e vitit që kaloi.

Sektori që ka mbajtur peshën më të madhe të investimeve të huaja ka qenë energjetika. Në tremujorin e tretë të vitit 2018 investimet e huaja në energji ranë 47% njoftonte Banka e Shqipërisë. Ndërkohë po sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë në tremujorin e dytë, investimet e huaja direkte ishin 212 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 70 milionë euro në krahasim me tre muajt e parë të vitit. Kjo tendencë në rënie është një situatë që raportohet që prej gati dy vitesh. Arsyeja?

Zvogëlimi i investimeve të huaja direkte vjen për shkak se dy projektet e mëdha të energjisë (TAP dhe kaskada e Devollit) po shkojnë drejt fundit. Në këto kushte edhe Komisioni Europian në raportin e tij të publikuar në korrik të vitit të kaluar i ka ndezur sinjalet e rrezikut për qeverinë. Ndërkohë për të njëjtin shkak FMN në raportin e fundit të tetorit të vitit të kaluar uli parashikimin për rritjen ekonomike të vendit në 2019-n, nga 3.8% në 3.7%. Më rëndë se aq nuk ka ku të shkojë.

Por situata nuk duhet lexuar thjeshtë si një dështim i rëndë i kësaj qeverisjeje. Investimet e huaja janë si ajo pema e këshillës së gjyshit “mbollën të tjetër hëngra unë, mbjell unë që të hanë të tjerët”. Për rreth katër vite, investimet e huaja direkte qëndruan në nivele të larta për shkak të dy projekteve të mëdha në energjetikë, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga Statkraft dhe gazsjellësi TAP, projekte që të dyja të negociuara dhe të filluara që në kohën e qeverisë së Berishës. Së bashku, të dy investimet llogariten të kenë sjellë në ekonomi rreth 2 miliardë euro, nga të cilat 1.5 miliardë euro janë për gazsjellësin TAP. Statkraft ka investuar në kaskadën mbi Devoll mbi 300 milionë euro. Austriakët e Verbund sollën qindra milionë euro tjera në HEC Ashta, tashmë në prodhim. Frytet e asaj që “mbolli” Berisha i korri Rama, i cili nga ana e tij sa u takon investimeve të huaja lë pas një tokë të djegur. A nuk është kjo një arsye e fortë për të ikur?


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas