Nga Ervis Iljazaj
Ka dalë apo jo raporti i DASH për klimën e biznesit për Shqipërinë, nuk është problemi i ekonomisë shqiptare. Çfarë përmban ai dhe si lexohet nga palët këtu, është një debat politik i ditës. Kjo gjë ndodhi edhe dje, ku në një konferencë për shtyp, Partia Demokratike denoncoi mungesën e investimeve të huaja në Shqipëri. Në fakt, investime të huaja në Shqipëri ka patur gjithmonë, edhe në ditët më të këqija të ekonomisë sonë. Sepse, pa investime të huaja, ekonomia e brishtë shqiptare do të ishte në prag falimentimi. Çështja është se, cilat investime dhe në çfarë niveli duhet të jenë ato për të patur një ndikim cilësor në mirëqenien e shqiptarëve.
Një nga problemet thelbësore për sa iu përket investimeve të huaja për gjatë gjithë tranzicionit, ka qenë mungesa e përhershme e korporatave ndërkombëtare dhe multinacionaleve në tregun shqiptar. Për shumë arsye. Për arsye se investojnë në financa, në teknologji, në rritjen e kulturës së biznesit, në rritjen e punësimit dhe kushteve të tij, apo edhe në zhvillimin e kapitalit human.
Përgjatë gjithë tranzicionit askush nuk mban mend, me përjashtim të ndonjë rasti të vogël, një logo apo një emër të madh të korporatave të rëndësishme botërore. Të gjitha investimet e huaja, vijnë si pasojë e bizneseve jo të rëndësishme të cilat përfitojnë shpeshherë nga kontesti politik dhe nga paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe pa patur një ndikim ekonomik afatgjatë.
Pothuajse asnjë nga multinacionalet e rëndësishme nuk ka shkelur asnjëherë në tokën shqiptare si Nestle, Ikea, McDonalds apo ndonjë tjetër. Meqë jemi dhe në periudhën e turizmit bregdetar, është e udhës të përmendin faktin se asnjë nga operatorët e rëndësishëm turistikë nuk ndodhet në Shqipëri, me gjithë potencialin e saj.
Atëherë si shpjegohet ky fakt?
Sipas të gjitha teorive të ekonomisë ndërkombëtare dy janë faktorët që ndikojnë në investimet e huaja.
I pari është faktori i tregut: dimensioni i tij, kostot, subvencionet, sistemi fiskal dhe një krah pune që më shumë se i lirë kërkohet të jetë i specializuar.
Për të gjithë nga këta faktorë gjithsecili mund të japë mendimin e tij se në çfarë niveli Shqipëria i ofron ato. Ky është një diskutim që kërkon më shumë se sa një editorial gazete.
Ndërsa, për sa i përket faktorit të dytë që ndikon në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare ka të bëjë me kontekstin. Në këtë drejtim janë të rëndësishme cilësia e institucioneve, një administratë publike efikase, sistemi i drejtësisë si dhe korrupsioni.
Andaj, nëse duam që të jemi tërheqës për korporatat ndërkombëtare, të cilat me të vërtet kanë impakt në zhvillimin ekonomik afatgjatë, të gjithë këta indikatorë duhet t’i kemi në nivelet më të larta se çdo vend tjetër fqinj. Në të kundërt, diskutimet mbi investimet e huaja në Shqipëri do të vazhdojnë të jenë pjesë e konsumit politik të përditshëm dhe jo si një strategji makro për t’i tërhequr ato.
Shumë nga këta indikatorë dukshëm Shqipëria i ka në nivele shqetësuese. Mjafton këtu të përmendim sistemin e drejtësisë, efikasitetin e administratës publike apo krahun e punës, të cilin e kemi vetëm të lirë dhe shpeshherë të pakualifikuar për të kuptuar se përse mungojnë investimet e mëdha ndërkombëtare.
Megjithatë ka dhe një faktor tjetër të rëndësishëm i cili pengon korporatat e mëdha ndërkombëtare në tregun shqiptar. Është pengesa që i ka bërë klasa politike e jona sa herë që është afruar një e tillë. Sepse të kesh në tregun ekonomik korporata të rëndësishme ndërkombëtare, për një politikë miope si kjo shqiptare do të thotë të kesh më pak ndikim. Korporatat e mëdha vështirë se mund t’i fusësh nën ndikimin e politikës, ashtu sikurse në mënyrë konstante kërkon të bëjë politika etatiste shqiptare.