“Të përditshmet e televizionet, edhe ato më të rëndësishmet që deri ca kohë më parë kanë qenë shkolla të gazetarisë (New York Times, Washington Post, CNN etj.), janë shndërruar gjithnjë e më shumë në makina propagandistike”.
Në intervistën për MAPO, Mustafa Nano kthehet pas në hyrjen e tij në gazetari, duke e përdorur këtë përvjetor për të riparë nga sot rrugëtimin e tij dhe medias shqiptare në 20 vitet e fundit. Fiksimi për t’i nënshkruar artikujt me një formë më perëndimore të emrit të tij, dëshira për të zhdukur një pjesë të shkrimeve ose siç thotë vetë të “krimeve” të tij, që në fund të fundit është një proces që iu ndodh të gjithëve dhe dorëzimi për gazetarinë e lirë dhe të pavarur, e cila nuk ekziston.
…vijon nga numri i kaluar
Ç’mendim keni për gazetarinë e sotme? Cili është efekti i gazetarisë online?
Shikoni, unë kam besuar për një kohë të gjatë, se e keqja ishin pronarë të caktuar, apo të gjithë pronarët. Kam besuar se shtyp të lirë duhet të ketë. Dhe se shtyp të lirë ka. Kam qenë naiv. Giorgio Bocca nuk ishte. “Giornali indipendenti non ne esistono…”, ka shkruar ai në librin e vet “E’ la stampa, bellezza!”, në të cilin përshkruan aventurën e vet në gazetari që zgjati… një jetë të tërë. Thënë me fjalë të tjera, nuk ka shtyp të lirë e të pavarur në këtë botë. Noam Chomsky, që është një nga mendjet më të ndritura të kohës së sotme, ka denoncuar kontrollin e masmedias prej elitës sunduese, ka dhënë prova se masmedia nuk është e lirë dhe e pavarur, ka lënë të kuptohet se një masmedia e lirë dhe e pavarur në shërbim të së vërtetës e të një bote më të drejtë është e mundur, mirëpo kam frikë se libri i tij i famshëm “Manufacturing Consent”, si bashkautor i të cilit është Edward S. Herman, është i përgënjeshtruar nga zhvillimet e mëpasshme. Ai ka shpresuar se mediat alternative ndaj mendimit mainstream do të ishin një lloj shpëtimi, por nuk duket se është kështu. Ja, media alternative, e pakontrolluar prej tycoon-ëve që Chomsky i ka aq shumë zët, e që i kundërvihet asaj që Chomsky e quan “propaganda model” të masmedias tradicionale, ka lindur tanimë. Ka emrin “Rrjetet sociale”. Por masmedia nuk është bërë më e mirë. Përkundrazi.
Dukeni si i dorëzuar….
Në një farë mënyre, po. Gazetaria nuk duket se ka shumë marzh korrektimi. Me fjalë të tjera, me gjithë ndërhyrjet që mund të bëjmë, e duhet të bëjmë (mbi të gjitha për të ulur mundësinë e përdorimit të gazetave e televizioneve për interesa privatë e për propagandë), gazetaria mund të përmirësohet në funksionin e saj, por nuk mund të bëhet e lirë dhe e pavarur. Hidhini një sy asaj që ndodh sot në SHBA! Të përditshmet e televizionet, edhe ato më të rëndësishmet që deri ca kohë më parë kanë qenë shkolla të gazetarisë (New York Times, Washington Post, CNN etj.), janë shndërruar gjithnjë e më shumë në makina propagandistike. Gara e programeve të informacionit mes televizioneve amerikane është një garë propagandistike. Dhe këto programe të përditshme u janë besuar gazetarëve luftarakë të tipit Sean Hannity, Tucker Carlson (Fox News), Anderson Cooper, Jake Tapper (CNN), Joe Scarborough, Mika Brzezinki, Rachel Maddow (MSNBC) etj. Shqiptarët lëkurëhollë e të ndjeshëm ndaj programeve televizive propagandistike në Tiranë do duhet të provojnë të ndjekin një program të Sean Hannity-t apo të Tucker Carlson-it, që janë programe amerikane të përditshme në prime time, dhe do të kuptojnë se këtyre të fundit, që shihen çdo ditë prej miliona vetësh, vetëm e vërteta nuk u intereson. Një të pabërë, madje edhe një krim, të Donald Trumpit, do ta fshihnin pa asnjë brerje ndërgjegjeje. Ndërsa në krahun mediatik liberal, në CNN, MSNBC, etj., po tregojnë se nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, veçse të demonizojnë Donald Trumpin.
Një ilustrim. Në dhjetor 2017 u mbajtën në Alabama zgjedhjet për një vend në senat, që mbeti bosh pasi Jeff Sessionsi u largua për të marrë postin e Prokurorit të Përgjithshëm në qeverinë e Trumpit. Programi “Hannity Tonight” u mor gjatë gjithë kohës së fushatës me këtë garë, duke u rreshtuar hapur, në mënyrën më luftarake të mundshme, në favor të kandidatit republikan Roy Moore, ndonëse ky i fundit u akuzua në një duzinë rastesh për ngacmime seksuale ndaj vajzave të mitura e ndaj grave vetëm pak javë para datës së zgjedhjeve. Fushata ishte një nga më të ashprat që Amerikë. Dhe Roy Moore i humbi këto zgjedhje, që u mbajtën më datë 12 dhjetor. E dini se si nisi programi “Hannity Tonight” të nesërmen e ditës së votimit? Ja, mbani vesh: “Mirëmbrëma të gjithëve. Jemi në Fox News. Mirëserdhët në ‘Hannity Tonight’, ku do të merremi me mediat liberale që kanë dalë fare nga binarët, teksa po stisin lajme e po përhapin rrena si kurrë ndonjëherë më parë. CNN-i e kanale të tjera televizive janë duke krijuar krizën e informacionit, që prek e lëndon çdo amerikan. Është kaq e dukshme, kaq e dëmshme e kaq e rrezikshme kjo krizë për ju të dashur amerikanë, sa e bëri Presidentin Donald Trump ta quajë ‘një njollë mbi Amerikën’. Ne do të ndalemi pikërisht në këtë çështje sot, do të ndalemi te kjo përpjekje për të dëmtuar e baltosur Presidentin tonë, Presidentin që ju e keni zgjedhur”. Asnjë fjalë për garën e një dite më parë, me të cilën ishin marrë për një muaj me radhë. Asnjë fjalë për humbjen e kandidatit republikan në një shtet tradicionalisht të kuq. Për 45 minuta të plota Hannity u mor me konkurrentët që kritikonin Presidentin Trump. Epo, sikur të mos shquheshin për një lloj delikatese etike e për një lloj qibre intelektuale, këta do duhej t’i merrnin të keqen atyre që mbajnë portale në Tiranë. Dhe kur them këtë, nuk është se bëj shaka. Kush ka patur rast t’i ndjekë Sean Hannity-n e Tucker Carlson-in, me siguri më jep të drejtë.
Po portalet amerikane i keni parë? Disa prej tyre të lënë pa gojë me militantizmin e tyre. Portalet tona nuk kanë asnjë arsye të ndihen keq krahasuar me websitet e tipit Breitbart.com e Huffpost.com. Disa sosh deri edhe komentet i mbajnë të pamoderuara. Sepse nuk duan t’ua mohojnë lexuesve të tyre të drejtën për t’u shfryrë, që kanë zënë ta shohin si një mjet e mënyrë për të qenë pjesëmarrës në demokraci. Kam frikë se, ja, edhe pak, e do të vijë koha që websitet e fisme e qibare do të dorëzohen. Kam frikë se, shumë shpejt, në The Guardian (harrojeni për një çast orientimin ideologjik të sajin) nuk do ta shohim më në diskutimet online që ata organizojnë në fund të opinioneve të autorëve të tyre atë shënimin që synon shkurajimin e troll-ëve: “This comment was removed by a moderator because it didn’t abide by our community standards; replies will also be deleted”.
Cila është receta, atëherë?
Nuk ka një recetë për këtë. Interneti dhe rrjetet sociale (facebook, twitter, instagram, youtube etj.) e kanë bërë lirinë e shprehjes apo shtypin e lirë, që të jetë, përveçse një avantazh e një e mirë publike, edhe një rrezik. Rrjetet sociale janë një media e pakontrolluar, e me gjasë, e pakontrollueshme. Në pamje të parë, duket si një gjë e mirë që neutralizon fuqinë e tycoon-ëve, dhe të elitës sunduese në përgjithësi, duke iu bërë ledh propagandës që, siç thotë Chomsky, është për demokracinë si dhuna për diktaturën, e duke krijuar kushtet për një media alternative (mund të shihen si një media e tillë rrjetet sociale të marra së bashku.) Përveç kësaj, ka edhe risqe të tjera. Informacioni është banalizuar. Shpifja dhe fyerjet janë set free. Gjuhës së urrejtjes i janë hapur dyert katërkanatash. Lexuesit e shikuesit janë bërë përtacë dhe të plogësht, pa atë kreativitetin e konsiderueshëm (remarcable creativity) që Chomsky ua atribuon paksa me hatër njerëzve të zakonshëm (ordinary people), që përbëjnë 80% të popullsisë. Internautët janë vetë lexues, e shpesh edhe vetë gazetarë. Kjo nuk do të thotë se ata nuk i ndjekin mediat tradicionale. Jo, i ndjekin që ç’ke me të. Veçse më shumë ndjekin njëri-tjetrin. Mirëpo, në vend që rrjetet sociale të shërbejnë si një media alternative, ato janë bërë një zgjatim i mediave tradicionale të kontrolluara nga elita sunduese. Dhe e kanë përkeqësuar situatën. Dikush që do të sulmojë një njeri apo institucion publik kuturú, pa fakte, me fyerje, mund të refuzohet nga një media e respektuar tradicionale, por kjo nuk është se e dëshpëron më shumë sesa duhet. Sot ai e ka fare të lehtë të publikojë filipiket e veta në facebook, madje edhe të gjejë mënyra për t’i bërë të aksesueshme për aq shumë lexues, sa në versionet print nuk do të ishte kurrë e mundur. Përfytyroni tani me miliona mesazhe e shkrime të tilla (të cilave nuk u bën askush fact-checking) që qarkullojnë në twitter e në facebook gjatë fushatave elektorale. Të marra veç e veç, efekti i tyre mund të jetë i papërfillshëm. Por të marra në tërësi, ato dominojnë skenën, prodhojnë një mesazh të caktuar, ose bëjnë që peshorja të anojë nga njëra anë. Efekti i tyre elektoral është i jashtëzakonshëm.
Po pra, Much, sapo ke hyre ne udhen e berjes njeri.
Por serish je ne ngut te kot-se-kotshem: je dhurate per tu dorezuar me ne fund te dhuruesi.
E di qe ti s’e pranon kete, por do te duhet ta shkelesh edhe kete cope rruge.
Te duket se eshte zbulimi yt te dorezuarit?!
Te duket se keto qe po na thua tani jane fjala e me-ne-fundme?!
Po a s’ishe ti qe, me te drejte, “u zhgenjeve” per ca gjera te tjera pak kohe me pare, dmth edhe para disa ditesh, edhe perpara disa javesh edhe para pak muajsh, se te zhgenjehe per para disa vitesh eshte fare kollaj!
Sa me shume te dish, aq me qarte meson se sa pak ke ditur, e ke ditur edhe ti kete.
Se qenka shtypi i brishte, edne jo gati te jete totalisht i lire, i pavarur, dhe ti e merrke vesh sot kete?! Se ti e more vesh aq vone se liria nen enverin ishte skandaloze, sic habitesh ti tani vone, apo qe Saliu vinte nga radhet e Partise jo te opozites qe pritej, edhe kete e more vesh me vonese, dhe deri sot ke menduar qe vetem enveri e saliu e cenojne lirine e fjales e te shtypit?!
Por, serish gabohesh, Much: kjo eshte udha e lirise, e pafundme, e nderprershme, e brishte. Por e pafundme, e destinuar per tu pershkuar, deri ne fund…
Ti gabon rende ndaj vetes, se te tjere e dine vete, kur ben “disfatistin”, Jam i Dorezuar!
Vetem dorezimi nuk ndodh. Dorezohesh ti, por tjeterkush e vazhdon udhen, mustafa…
Ti, mos kij merak, ulu e shlodhu pak, medito dhe kthjellohu ne berjen tende…
O nano, po ti ke lindur I dorezuar o ditezi, edhe kur Ben te zgjuarin,ralle ndodh, je budalla,