Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, paralajmëroi sot se “së shpejti” do të ketë ndryshime në qeverinë e tij.
Paralajmërimin ai e bëri duke folur rreth deklaratës së ministrit serb në qeverinë e tij, Aleksandar Jabllanoviç, dhe situatës së krijuar pas protestave në kërkim të shkarkimit të tij.
Sipas Mustafës, qëndrimi i mëtejmë i Jabllanoviçit në postin e ministrit, pas deklaratave të bëra nuk do t’i bënte mirë as vetë as atij.
“Kjo çështje është politizuar shumë nga partitë politike për qëllimet e tyre të caktuara”, tha kryeministri Mustafa sot gjatë një vizite në Rahovec.
“Por pasi protestat dy herë kanë degraduar dhe qytetarët kanë shprehur pakënaqësinë e tyre përmes protestave, kjo nuk do të ndikojë mirë as në raportet ndërmjet komunitetit shqiptar dhe serb dhe qëndrimi në ministri nuk do t’i bënte mirë as ministrit Jabllanoviç”, u shpreh Mustafa.
“Do të ketë shumë shpejt ndryshime, pasi me deklaratën e tij janë fyer nënat gjakovare dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa, i cili javët e fundit ka qenë nën presion të madh publik për ta shkarkuar ministrin serb.
“Ndryshimet do të vijnë”, tha Mustafa duke mos pranuar të japë një kohë se kur do të largohet Jabllanboviçi nga posti ministror.