Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj ka komentuar gjestin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Samitin e Brdo-Brijunit zhvilluar sot në Tiranë, ku pasi takoi organizatorët e samitit, presidentin shqiptar, atë slloven dhe atë kroat, u largua pa bërë fotografi me ta, siç bënë liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Për Mustafajn një gjest i tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë, edhe kur vendet nuk kanë pasur marrëdhënie me njëri-tjetrin.
“Vuçiç i dha dorën Metës edhe Presidentes kroate dhe pastaj nuk bëri fotografi me ta. Ai e bëri këtë si karshillëk ndaj presidentes kroate. Gjesti do përgojohet shumë, do përflitet. Nuk ishte një gjë dinjitoze e presidentit, unë nuk e kam parë kurrë. Kanë qenë shtete pa marrëdhënie diplomatike me njëri-tjetrin, që nuk flisnin, por fotografinë e kanë bërë”, është shprehur Mustafaj në analizën e tij të së enjtes në “News 24”.
Gjithashtu, ai ka kritikuar dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, teksa ka theksuar se ai nuk është koherent dhe ndryshon qëndrim sipas situatës.
“Thaçi ka treguar se nuk ka koherencë. Kthesat e tij janë të zakonshme, ai ndryshon qëndrimin sipas situatës. Replikat mes dy presidentëve vijnë se Thaçi e ka parë se kuotat e tij në Kosovë kanë rënë dhe bashkë me të kanë rëndë dhe pritshmëritë e PD së Kosovës, që është repart i Thaçit dhe që s’ka asnjë shans të marrë mandat të dytë. Këto lloj replikash vijnë për të rikuperuar. Thaçi po përpiqet të rikuperojë elektoratin e humbur në Kosovë”, ka thënë Musrafaj.