Politikani dhe shkrimtari Besnik Mustafaj analizon situatën politike që po kalon vendi pas 30 qershorit. Duke komentuar votimet, Mustafaj tha se ato u bojkotuan nga një numër i madh votuesish të majtë. Sipas tij, me rezultatin që mori në votime, qeveria “Rama” është delegjitimuar.
“Janë edhe votuesit e majtë nuk dolën në votime, ata janë votues seriozë dhe jo aventurierë. Por këta votues i refuzuan votimet. Dhe janë votues që votojnë për programin, votojnë për ideologjinë. Ne jemi në kushtet ku opozita ka vetëm rrugën për të bërë politikë. Hapësira e vetme që i ka ngelur opozitës për të bërë politikë është vetëm protesta. Qeveria u deligjitimua me rezultatin që pati në 30 qershor. Kjo qeveri tregoi është e gatshme të vjedh edhe vetëveten.
Opozita ka arritur një fitore dhe duhet ta kapitalizojë politikisht. Ligjërimi i saj duhet të përmirësohet dhe të përshtatet me situatë, që t’i drejtohet edhe pjesës më të madhe, e cila është kundërshtuese e qeverisë. Opozita duhet të përgatitet për zgjedhjet e ardhshme. Elektorati “Gri” është me rëndësi të veçantë për opozitën. Ne nuk kemi një mundësi për të kryer me shpejtësi një studim sociologjik se kush nuk shkoi dhe pse nuk shkoi të votonte. Protestat janë e vetmja rrugë, unë nuk shoh zgjidhje tjetër”, tha politikani dhe shkrimtari, Besnik Mustafaj.
Në studion e News 24, ish-ministri i Jashtëm tha se kryedemokrati Lulzim Basha duhet të bëjë të qarta kushtet e opozitës për dialog. Ai tha se është e palogjikshme të thuash nuk dialogoj me Edi Ramën kryeministër, ndërsa shtoi se dialogu duhet të jetë ai mes forcave politike dhe jo opozitës e qeverisë. Sipas tij, në rastin kur dialogu do të bëhet me partitë politike, në këtë rast me PS-në, Edi Rama është i pashmangshëm.
“Nuk është logjike të thuash që nuk dialogoj me Edi Ramën kryeministër. Basha duhet të bëjë të qarta kushtet. Nëse ka një dialog me partitë politike, Edi Rama është i pashmangshëm, nëse ka dialog me qeverinë atëherë po nuk duhet të ketë dialog me Edi Ramën. Për këtë PD duhet ta përdorë me efikasitet raportin e ish-zv/kryeministres Ledina Mandija në 2017-ën për të treguar sesa e paaftë ishte prania e demokratëve në qeverisje, sepse Edi Rama nuk i mori parasysh ata edhe pse ishin në qeveri. Kjo tregon se Edi Rama si kryeministër është i papërshtatshëm për të qeverisur në periudhën zgjedhore sepse angazhon faktorë ekstraligjorë për të manipuluar zgjedhjet”, tha ai.