Aktualitet

Myqerem Janina, aristokrati i osmanishtes u dënua në moshën 88 vjeç







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:46 - 08/10/20 |
mapo.al

Në vitet më të bukur të rinisë, teksa studionte letërsi e histori në Stamboll, mes vrulleve e pasioneve të moshës, i zhytur në botën e librave dhe i grishur drejt arteve dhe historisë, ai nuk do ta mendonte kurrë të ardhmen e tij dramatike, që e priste në atdheun e prindërve që dekada më vonë do të binte në duart e komunistëve. Një varg plagësh të atdheut do i merrte edhe ai vetë e do t’i përjetonte në moshën e tij më të vështirë.


Myqerem Janina ishte mes të 20-tave, kur jetonte mbase ditët më të bukura të jetës në Stamboll. Ai tërhiqte vëmendjen e të gjithëve me pamjen prej aristokrati, aftësitë e veçanta në komunikim, në përvetësimin e gjuhëve të huaja, pasionin për kërkimin shkencor dhe hulumtimet në fushën e osmanishtes.


Kishte lindur në vitin 1890 në Stamboll nga dy prindër që vinin nga familje aristokratësh, i ati Azmi bej Janina, historian e politikan dhe e ëma Lalinur Vrioni nga familja e madhe e Vrionëve të Beratit.



Për Myqerem Janinën e ri, një prej historive që do t’i linte shenjë në jetë ishte lidhja me një prej princeshave, mbesën e Sulltan Hamitit, të cilën e kishte sjellë për të jetuar disa kohë edhe në Shqipëri. Mes xhelozive e pasionit historia e tij me princeshën do të mbyllej shpejt e aristokrati i pashëm do të vijonte jetën e tij mes Turqisë, Francës, Italisë dhe Greqisë. Në vitin 1943 ai do të linte Italinë për t’u kthyer në Shqipëri.


Fundi i luftës e gjen pikërisht këtu dhe fati i tij do të ndryshonte njëherë e përgjithmonë pas vendosjes së pushtetit prej komunistëve. Arrestohet prej regjimit të ri, që në vitin 1946 me akuza për lidhje me elementë të reaksionit ndërkombëtar e të brendshëm dhe u dënua me 5 vjet burg dhe internim, së bashku me një varg të tjerë intelektualësh. Ndërkohë gjatë viteve të luftës vëllain e vogël Muamerin, në rrethana enigmatike e kishin pushkatuar forcat partizane.


Pas vuajtjes së dënimit, në vitin 1952 Myqerem Janina kthehet në Berat, i privuar nga të gjitha pronat dhe pasuria familjare. Kish mbetur krejt vetëm, duke u marrë kryesisht me lexim dhe përkthime.

Pikërisht në këtë kohë, kur ai mbase mendonte se do të mund të jetonte më në fund ditë të qeta e larg trazirave, regjimi e kishte shtuar vigjilencën mbi të.

Në këtë dokument të Ministrisë së Brendshme, të datës 19 shkurt 1954, ku listoheshin një varg intelektualësh që propozoheshin për internim, renditet sërish emri i Myqerem Bej Janinës, të cilit i hartojnë edhe këtë minibiografi të stilit të “Sigurimit”, ku të dhënat nuk përkojnë me variantin e konfirmuar përmes rrëfimeve e dokumenteve të lëna nga vetë Janina.

Ja çfarë shkruhet në dokument:

“Myqerem Janina, i biri i Hazbiut dhe i Selimese, i datëlindjes 1900, lindur në Stamboll e banues në Tiranë, i shtresës së pasur (bej), i martuar me mbesën e Sulltan Hamitit në Turqi (princeshë).

Ka studiuar në universitetin e Turqisë dhe është kthyer nga Turqia më 1940. Nuk dihet funksioni i tij në Turqi. Gjatë okupacionit u lidh me Ballin Kombëtar dhe e ka ndihmuar atë moralisht dhe materialisht deri në fund.

Ka pas lidhje me Lungotenencën dhe direkt me Jakomonin me të cilin ka shkëmbyer telegrame urimi në raste festash. Mbas çlirimit qëndrimi i tij ka qenë armiqësor, ka fol kundra pushtetit duke agjituar në elementin e tij dhe ka mbajt korrespondencë të vazhdueshme me Turqinë”.

Nga dokumentet e kohës nuk jepen më, të dhëna të tjera për fatin apo aktivitetin e Janinës, ndërsa jeta e tij do të merrte një kthesë pozitive në vitin 1960.

Edhe pse nuk e priste, e thërrasin në Tiranë dhe e emërojnë si përkthyes i osmanishtes në Institutin e Historisë. Ishte 70 vjeç, e përkundër moshës së tij, ai iu vu punës dhe me kontributin e tij për 18 vite me radhë la trashëgimi për shkencën shqiptare, një pasuri të rrallë dokumentare të kësaj periudhe.

Ai përktheu një korpus të tërë prej mijëra faqesh me materiale shumë të rëndësishme të dokumentacionit osman në ndihmë të hartimit të historisë së Shqipërisë të periudhës së Mesjetës të shekujve XV-XVII. Pjesë e këtij korpusi që përktheu është dhe “Defteri ose Regjistri i Sanxhakut të Shqipërisë së viteve 1431-1432”, i përgatitur dhe i botuar nga historiani i njohur turk H. Inalçik.

Pikërisht 18 vite më vonë dhe pas gjithë kësaj pune vetëmohuese regjimi do t’i qëndronte gati për t’i hedhur hekurat edhe pse mjeshtri ishte në ditët e tij të fundit të pleqërisë.

Ishte shtatori i vitit 1978. Ai, një i moshuar 88-vjeçar do të arrestohej e burgosej sërish me akuzën absurde “agjitacion e propagandë”.

Për afro një vit do të vuante pasojat e hetuesisë, provokimet, kërcënimet dhe fyerjet e hetuesve, torturat psikologjike e fizike për ta mposhtur. Pas një procesi të tillë hetimi, një vit pas arrestimit, në moshën 89-vjeçare, Myqerem Janina nxirret në gjyq dhe dënohet për “agjitacion e propagandë”, me dëshmitarë të rremë me 8 vjet burg, për të cilat, regjimi i Hoxhës do të kujdesej që i moshuari t’i vuante deri në ditën e fundit.

Edhe pse i mplakur e i rrënuar nga burgu, Myqerem Janina do ta përqafonte sërish lirinë. Jeta do t’i falte ende, edhe për pak vite kënaqësi të vogla. Në vitin 1989, ende pa e kuptuar mirë, se atij regjimi gjakatar po i vinte fundi, në moshën 99-vjeçare Eqerem Janina mbyll sytë përgjithmonë, pa mundur ta shijojë përmbysjen e komunizmit që e mbajti mbërthyer, nën diktat, për afro gjysmë shekulli.

Jeta e tij ishte si një film, me aventurat, dramat dhe shkëlqimin e rinisë pasuar me vitet ekstremisht të paimagjinueshme që përjetoi në Shqipërinë komuniste derisa vdiq. A e kishte imagjinuar vallë djaloshi i pashëm, i viteve ’20, veshur gjithë sqimë, teksa ecte rrugëve plot shkëlqim të Stambollit, një fund të tillë për jetën e tij??? Me shumë gjasa jo!


Etiketa: ,

Pas