Në Myzeqe ka nisur sezoni i korrje-shirjeve, por këtë vit fermerët thonë se po marrin më pak grurë për shkak të përmbytjeve. Tokat me grurin e mbjellë prej disa javësh qëndruan të mbuluara me ujë dhjetorin e kaluar.
Dhe ndodhi ajo së cilës i trembej ky fermer që sot po merr gjysmën e prodhimit të një viti më parë.
Përveç rendimentit të ulët, prodhimi i këtij viti është pa standard. Shumë fermerë thonë se do ushqejnë shpendët me këtë grurë.
Drejtuesit e Qendrës së transferimit të teknologjive bujqësore në Lushnje thonë se për shkak të reshjeve gruri është nën nivelin mesatar.
“Në periudhën e tanishme në bazë të kallëzimit temperaturat kanë qenë të larta, mbi 30 gradë Celcius, gjë e cila ka shpejtuar fazat e zhvillimit dhe pjekjen e grurit.
Po me ecurinë dhe vrojtimet që kemi bërë në të gjitha zonat e vendit, 5-7 ditë është më herët pjekja e grurit”,- tha Vladimir Malo, drejtori i QTTB Lushnjë.
Sipas drejtorisë së bujqësisë në rrethin e Lushnjës këtë vit u mbollën rreth 9500 hektarë me grurë, një sipërfaqe më e vogël se vitet e kaluara.