Mapo Letrare

Na jemi fryt i nji paqe dinake – Cikël poetik nga Primo Shllaku








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:32 - 14/11/20 |
Primo Shllaku

Vdekja si dashnore


 


Shpendë të turrshëm



rrugën ma presin


e me krahët si thika,


ballin ma përgjakin.

 

Turre të thekshme

trupin ma rrëmbejnë

e, në atë theqafje,

ballin ma djegin.

 

Nji plumb i ftofun

ballin ma rrmon

e, si brumbull i trembun,

gjen rrugë e mshefet.

28.03.04

          

 Pa titull

 

Jo,jo

na nuk jemi

dashunia e prindëve tanë

gjatë luftës.

Na jemi fryt i nji paqe dinake

ku brini i errët i dhisë

ishte edhe majë,

edhe thikë.

Mos vdis edhe pak.

Jeta âsht për ty po aq

e vlefshme sa kapërcimi.

Tashti e ke rastin.

Ville o pshtyje shpirtin,

ta lexoj.

Mos ik i padeshifruem

 

se unë do të kujtoj

se prap  po del fjala fjala ime.

 

Pefki,18.03.2006

 

  1.   Kështjella

 

E pushtova mbramë

për të satën herë.

Iu futa mbrendë,

ia përgjaka muret,

e dogja, e zharrita

dhe rashë me fjetë

konkuistador.

 

Të nesërmen

e gjeta veten

zhabë dhije të hjedhun përjashtë

në pluhun

para derës së madhe të mbyllun.

Kshtjella ishte atje

e përjetshme

me muret e naltë

me rojat ndër bedena

si oreksi im i amshuem

për ta pushue prap atë kshtjellë.

 

I nisun prej vetdijes

së zhabës së dhisë të hjedhun në pluhun

para derës së madhe përjashta

para derës së mbyllun me nji mijë shula

para derës së naltë me roja ndër bedena

si nëpër mjegull

fillova planin

për nji të satin

ripushtim.

 

Ky lepur me sy ngjyrë rozë

 

 

Sa keq që s’mundet me këndue

ky lepur me sy ngjyrë rozë si t’engjujve.

Po të kishte za

e zani i tij të kish ngjyrën rozë

që sytë e tij e kanë,

qielli do të hapej

për të hjedhë mbi tokë

nji lule të pamundun.

 

Ai vrapon,veç,

dhe ndoshta vrapi i tij

a mënyra si vrapon

asht kanga e tij

e zani që nuk ka.

 

Ktu, nën xhamin e vitrinës së mishtarit,

ky lepur ka shum të tjera mangut,

bie fjala : gëzofin me pushin si borë,

bishtin cubel

e deri kambët e poshtme.

 

A e dini ju se ky lepur

me sy ngjyrë rozë prej engjujsh

(që s’i mungojnë)

s’mundet me vrapue ma?

 

 Shans

 

Rri në zall

e ata lypin gurë

prej meje.

 

Jam shtrî i mbytun

e ata lypin ujë,

saktsisht ujin

që shkaktoi mbytjen time.

Ma andej

nji jevgë

fërgon diellin

në tigan.

 

Rast ideal për ringjallje.

 

 

Vetmi në dhomë

 

Dyshemja i afrohet rrezikshëm

tavanit

dhe llogaria e nji truni të rrafshët

quhet komoditet.

Muret i afrohen njeni tjetrit

dhe ideja e petëzimit nuk asht ma

projekt.

Prej birave të trupit

nji lukuni kaktusash

qet kryet e lulëzon.

Dhomës i mungon boshti, rrota

dhe nji i shtrimë

e gjaku i tij i mpiksun

që kthehet në lang përsëri.

Tavani i afrohet rrezikshëm

dyshemes

dhe unë kam kohë me numrue

deri në njiqind.

Fleta e bardhë

Do të jetë bora

që ka me ra

e vetulla e hollë e mbramjes gurkali

o deti i frymë si hipogastër gulshues,

apo fleta e bardhë do të jetë,

e sigurtë fleta e bardhë.

Ajo mund të jetë

gjithçka që unë mund të jem,

aspak çka duhet,

por çka s’e di se jam

e  vesht do ta marr

kur ajo s’do t’jetë e bardhë.

 

Takim i vështirë me fletën e bardhë

prej majës së këtij hark ure

që më lëshon pingul  në ujnat e cekta,

e bardha, e forta

të fletës ,të fletës së bardhë,

sigurisht të bardhë, sigurisht

të fletës,

sigurisht i dërrmuem eshtnash,

i thyem pa gjak,

sigurisht me gjakderdhje të bardhë

mbi fletën sigurisht eshtën-dërrmuese

ku unë nji ditë mund t’shfaqem

para vetes së njoftun si nji i panjoftun,

me ‘i hap të lëshuem përpara

me ‘i dritë të naltë verbuese

mbi vorrezën që përmbaj

tash ka mot

vajtueshëm ditën e klimaksit

kur mitrat mund të

valviten si balona të ngecuna ndër tela.

As mbramja gurkali

as gastarja e hollë e qiellit mbi liqen

as ernat e dritës drejt boshtit të syve të mi

s’ma japin sigurinë e rrëzimit prej harkut të urës

drejt ujit të bardhë të fletës së sigurt

që më përpin si qumësht i bardhë skëterre.

 

 

Era e luginës

 

(elegji për tim atë)

 

Kur ishe ti,

era e luginës

nuk mbërrinte deri te unë,

e kisha shqytin.

 

Silueta jote po valvitet

si pëlhurë e kalbun

e sendet po t’u shifkan

tejpërtej trupit.

 

Në këtë çast të rrallë

që lëkura më pushon

e qepalla ime i ndan hemisferat

në me diell e në me hanë

s’më del kohë me mendue,

se tash e kam unë radhën…

 

  E kur të vij…

 

E kur të vij

me t’i pa vizatimet

mbi qylyma, tavana e qiell,

të therun do ta gjej veten

prej majës së lapsit tand.

 

Katedralja e kuqe

lehtas do ta presë rrugën

e me ujvarë

ka për t’i derdhë hiret

në prehnin tim humnerë.

 

Nata do të ketë nji shami blu

e lule e lajle plot

për sytë e tonë gjysmakë

që as këtë herë

s’u ndeshën.

 

Nji hanë e moçme

prej papirusi

lyen buzët me të kuq

e kahdo hapet

fryme e saj prej grahme.

 

Mija sy kureshtarë prej hyjesh

hapen dhe përgjojnë

si e si me na pà lakuriq.

 

  S’KA MA HYJ

S’ka ma hyj

që këputen netve të gushtit

e bien

mbi pllambën e pritjes.

Mes nesh ka vetëm shi,

shi kambëngulës,

që shtrin horizontin.

Edhe kur të vijë moti e mirë,

edhe kur të dalë vera,

dielli do të jetë i ftoftë

e drita e tij e lagët.

Mund të jenë veç do lule të vogla,

çilun para kohe,

aq para kohe,

sa s’mundën me pasë aromë.

Ky shi e përlau të tashmen

dhe unë vetëm të kam dashtë…

Me dashtë nëpër shi

asht e pamundun…

Me jetue nëpër shi

domethanë mos me të takue

kurr në të tashmen.

Ke ikë nëpër shi

dhe shi do të jesh ba

 

 Kutia e konservës

 

Po kalbej kutia e konservës në mes të zallit.

“ – Si s’erdhi kurr ndonji kandërr e vogël

a ndonji kafshë rrëshqanëse

me bujtë nji herë nën çatinë time?

– Jam shpi e errët – mendoi.

Dhe vazhdoi me u kalbë.

 

Nji ditë kaluen andejpari nji grup ushtarësh,

e morën në shenj kutinë

dhe e banë shoshë me plumba.

Kutia u plagos randë dhe i hyni drita.

 

Errësina ishe ti

 

Fola me ty

Fola me errësinën.

Errësina ishe ti.

Errësina ishe ti.

 

Mes meje e teje pikla drite.

Nata e ka ftyrën pikaloshe.

 

Nata vrapon drejt agimit

Unë po të humbas

Unë po të humbas.

Sepse

errësina ishe ti.

Të kam pasë pyetë pra…

 

Të kam pasë pyetë njiherë,

Si s’u pamë në pranverë,

Si kaloi kjo pranvera,

E si na iku edhe vera

Si rrëshqiti vjeshta

E si na hangri dimni.

 

 


Etiketa:

Pas