Studentët kanë vendosur të ngrihen në protestë, një ditë pasi komiteti i ekspertëve komunikoi vendimin për të zhvilluar mësimin online.
Të rinjtë do të dalin të hënën, në orën 10:00, përpara Ministrisë së Arsimit, për t’i thënë “JO” mbylljes së universiteteve dhe mësimit online.
“Nuk është normale, pasi mësimi online nuk ka qënë fare efektiv. Ne e provuam një herë. Me pak fjalë, na kanë braktisur. Tthjesht na thonë që mësimi do të bëhet online, por argjë për mënyrën se si do t’i sigurojmë paratë për internetin”, shprehet një studente për Panorama.
Vendimi i Ministrisë së Arsimit duket se ka irrituar më tepër studentët e rretheve, të cilët ishin akomoduar në konvikte dhe kishin marrë banesa me qira, me bashkëmoshatarë.
Edhe vetë drejtoria e rezidencës studentore nuk është e qartë për mënyrën se si do të procedohet me pagesat. “Administrata nuk jep kurrfarë informacioni”, raporton Panorama.
“Nuk dimë çfarë do të ndodhë me ne. Askush nuk di të thotë asgjë, përveçse pagesat që bëmë për muajin nëntor do të shtyhen për në dhjetor. Gjithnjë në rast se universitetet hapen. Gjithçka është në dëmin tonë. Krahas faktit që do të bëjmë mësim online, i cili nuk funksionoi, kemi angazhime të tjera në Tiranë që nuk do të mund t’i ndjekim për shkak se nuk kemi ku të qëndrojmë tashmë”, thotë një studente e vitit të dytë, e porsa regjistruar në një nga konviktet e Qytetit Studenti.
Të rinjtë e konsiderojnë mbylljen e konvikteve një vendim jo të drejtë, për kohën kur u mor, pak ditë para nisjes së shkollës.
Edhe fakultetet që kishin njoftuar oraret mësimore të leksioneve e seminare këtë të premte, me qëllim shmangien e hyrjeve në grup, u tërhoqën, duke rikthyer mësimin online për të gjitha vitet, përmes një platforme elektronike që thuhet se do të jetë e unifikuar.
Universitetet mbyllën dyert si pjesë e masave shtrënguese të qeverisë, për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.