Kryesore

“Na mbyti mor”/ Banorët e Velipojës i ankohen Bashës për Ramën: Enver iku, Enver erdhi





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:46 - 03/07/20 |
mapo.al

Bizneset: Xhiroja ka rënë gjysëm për gjysëm, turistë nuk ka. Basha: Diskutime me kryeministrin e Kosovës për të hequr çdo pengesë për rritjen e numrit të turistëve.


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vizitoi Velipojën, ku u njoh me gjendjen e rëndë të biznesit, rënien e madhe të blerjeve nga qytetarët dhe numrin shumë të ulët të pushuesve.


“Në krahasim me vitet e tjera, 50 përqind e xhiros është deri tani. Është dobët, nuk ka turistë. Këtu puna varet te turistët”,– u shpreh Pal Preka, pronari i një ushqimoreje në Velipojë.


Kreu i opozitës u shpreh se çështja e turizmit, heqja e pengesave për të të do të jetë një nga temat kryesore në takimin e pritshëm me kryeministrin e Kosovës, Abdullah Hoti. “Natyrisht, pengesat më të mëdha janë në këtë anë, po, në çdo rast, të bëjmë të mundur që qytetarët nga Kosova ta kenë sa më të lehtë për të ardhur në plazhet e Shqipërisë”- tha Basha, i cili theksoi 2 të këqijat më të mëdha për turizmin tani, përveç frikës nga koronavirusi.


“Ka viruse të tjera që duhen larguar. Për të udhëtuar nga Kosova në Shqipëri ka dy pengesa të mëdha, çmimi i naftës që është më i lartë se në Kosovë dhe taksa e Rrugës së Kombit. Këto janë dy çeshtjet që sot, ndoshta, nuk zgjidhen dot, po nesër, në qeverisjen tonë do të zgjidhen. 240 lekë taksa që është vendosur mbi karburantin gjatë këtyre 7 viteve do të hiqet dhe taksa e Rrugës së Kombit do të hiqet, siç e kam premtuar. Kjo, pa diskutim, që do ta ulë dhe koston për turistët nga Kosova, do të bëjë të mundur që më shumë qytetarë të Kosovës t’i drejtohen bukurive të plazheve të Velipojës, plazheve të Shëngjinit dhe plazheve të tjera të Shqipërisë, në Sarandë, Dhermi e kudo”– tha Basha.

Pronari i ushqimores ndau me Bashë shqetësimin për taksat e larta që paguan, si taksat kombëtare, edhe ato lokale, të tabelës, pastrimit. Kreu i opozitës e njohu me programin e PD për të lehtësuar biznesin nga taksat.

“Në planin tonë ekonomik, 140 milionë lekë të vjetra e poshtë do të jenë të gjithë biznes i vogël. Dhe biznesi i vogël do të paguajë vetëm 1 taksë, vetëm 1 detyrim, 0.5% të xhiros. Do të thotë as taksë tabele, as taksë gjelbërimi, as taksë pastrimi, 0.5% e xhiros do të jetë tatimi i vetëm që do të paguajë biznesi i vogël. Këto para natyrisht do t’i shkojnë pushtetit vendor. Ndihma ndaj sipërmarrjes, ndihma ndaj biznesit të vogël është dhe ndihmë ndaj punësimit, është ndihmë ndaj mirëqenies, ndihmë ndaj konsumit”– u shpreh Basha.

Kreu i opozitës vizitoi edhe zonën e shkatërruar nga fadromat pak ditë më parë, kryesisisht biznese të vogla që punonin në kohën e sezonit turistik. Qytetarët u shprrhën të revoltuar për trajtimin diskriminues nga qeveria, e cila godet ata që nuk kanë mbështetje dhe mbron biznese me të ardhura të dyshimta.

“Na mbyti mor, Enver iku, Enver erdhi”– u shpreh një qytetar, të cilit Basha iu përgjigj: “Nuk kemi për ta lënë. Do të bëhemi bashkë e do ta ndryshojmë”.

Mesazhi i plotë i Bashës
“Të kthehemi tek problemi tjetër që përjetohet kudo në bregdet nga Velipoja në Dhërmi, në veccanti targetohen zona, të cilat perceptohen se ka edhe kundërshtarë politikë të kësaj qeverie, që është një nga rekordet më të zeza: të diskriminosh njerëzit mbi bazën e bindjeve politike në këto kohë, nuk është thjesht kriminale, është e neveritshme, është primitive.

Le të themi, për një moment, se disa prej këtyre objekteve që u shkatërruan, si t’i ketë shkatërruar pushtuesi në një zonë lufte, në mes të pandemisë, me gaz lotsjellës, me dhunë brutale ndaj grave, le ta zemë se disa prej tyre mund të kenë pasur problem me letrat, por kjo është rruga? Pse në këtë moment? Pse u vendos të ndërhyhej në mes të pandemisë, pse u vendos të ndërhyhej para se të fillonte sezoni turistik, në qoftë se mund ta quajmë sezon turistik këtë gjendje të mjerë të bregdetit, e cila ka qenë kritike dhe është bërë edhe më kritike për shkak të virusit. Atëherë pse?

Padiskutim që këtu prapë ka interesa korruptive, interesa korruptive, sepse edhe goditja është bërë selektive, është bërë selektive për të favorizuar një grup njerëzish.

Dihet që Velipoja prej kohësh vuan nga thundra e krimit të organizuar, njerëz që vendosin se kush merr lejet e ndërtimit, kujt duhet t’i prishet prona që të lirohet toka, që t’i marrin ata prapë lejet e ndërtimit, emra të njohur tashmë jo thjesht për Policinë Shqiptare që rri duarkryq e nuk i prek dot se janë ortakë politikë të pushtetarëve, të partisë në pushtet në Shkodër dhe në Tiranë, por emra të njohur edhe për Europolin edhe për Interpolin.

Mafja e ndërtimit me paratë e trafiqeve të paligjshme është një nga arsyet kryesore pse prishen këto objekte në këtë mënyrë, pse goditen njerëzit e pafajshëm e të mbrojtur në këtë mënyrë ndërkohë që të pushtetshmit ndërtojnë pa leje kat përmbi kat, pa i pyetur askush se çfarë parash kanë, me çfarë parash po ndërtojnë, paratë e çfarë trafiqesh po pastrojnë. Dhe siç e thashë më kriminalja e të gjithave është që zgjidhet kjo për t’i bërë mu në prag të fillimit të sezonit turistik për t’i deprivuar, për t’u hequr edhe bukën e gojës.

Jua kam thënë atë ditë kur pamjet e dhunës ndaj njerëzve tronditën gjithë Shqipërinë, të dhunës ndaj grave të gazit lotsjellës dhe dua t’jua përsëris edhe sot këtu nga terreni: se çdo kush që ka ushtruar dhunë të paligjshme ndaj grave ndaj baballarëve, ndaj fëmijëve si, në aksionin e terrorit këtu në Velipojë, edhe kudo tjetër, do të përgjigjet para ligjit. Do të përgjigjet se nuk kanë vepruar për hesap të ligjit, e kanë përdorur ligjin si alibi për të goditur njerëz të pafajshëm për hesap të oligarkëve dhe bandave të krimit të organizuar që bëjnë ligjin sot në Velipojë si kudo në vijën bregdetare të Shqipërisë .

Gjithçka bëhet pra për të ndihmuar oligarkët, për të ndihmuar banditët, jo për t’i shërbyer ligjit. Janë sebepe të tjerat. Vetëm sebepe sepse ka edhe të tjera ndërtime të paligjshme që hedhin shtat këtu në Shkodër, në Durrës edhe në bregun e Jugut, por ato nuk preken se ato janë pronë të krimit të organizuar, pastrohen paratë e drogës dhe është në ortakëri me pushtetin.

Ato janë pronë të oligarkëve që, po kështu, hanë e pinë me pushtetarët dhe ndajnë me ta aferat e pista korruptive, PPP-të dhe konçesionet.

E pra kjo do të marrë fund. Kjo është gjëja e parë që ne do të vendosim. Unë jam i vendosur ta bëj realitet.

Me forcën e ligjit dhe ligjshmërinë më absolute – dhe ju e njihni sepse e kam demonstruar edhe kur kam qënë ministër i brendshëm dhe pa të cilën s’do të kishim të mundur dot të hiqnim vizat për qytetarët shqiptarë- sot jua premtoj se nesër, si kryemnistër, me të njëjtën vendosmëri, me ndarjen totale nga krimi, me një ministër të brendshëm, po kështu të pastër nga lidhjet me krimin, gjëja e parë që do të vendosim është ligji dhe rendi nëjsoj për të gjithë.

Nuk do të ketë më një grusht horrash, kriminelësh që diktojnë nga Divjaka në Velipojë e kudo në Jug se kujt i prishet objekti apo biznesi e kush ndërton me leje të marrë në mënyrë klienteliste apo edhe pa leje.

Bashkë me të do të hedhim edhe hapat e tjerë atë që kam prezantuar gjatë gjithë kësaj jave, platformë taksash të ulëta, taksën e sheshtë 9%, uljen e çmimit të karburantit, me taksën 0.5% për biznesin e vogël. Investimet që do të bëjmë me këto para, nuk do të jenë investime fasadash për të mbushur xhepat e kontraktorëve të miqve pushtetarëve, por dhe investimet që do të ndihmojnë vetë ekonominë, në rastin e turizmit, rrugë aksesi, ujësjellës kanalizime, rindërtim të rrjetit elektrik, se nuk mund të ketë turizëm, ku nuk ka rrugë, kur qelben kanalet me ujrat e zeza, do të jenë investime që me të vërtetë do ndihmojnë ekonominë. Në rastin e turizmit rrugë aksesi, ujësjellës, kanalizime, rindërtim të rrjetit elektrik.

7 vjet të humbura. 800 milion euro të harxhuara vetëm me rilindje urbane dhe Tirana s’ka ujë 24 orë. Kemi sheshe, në pamje të parë me pllaka të reja kudo, po qytetet ku ndodhen këto sheshe nuk kanë ujë, rrjeti i kanalizimeve është pothuajse inekzistent, energjia elektrike dhe rrjeti i energjisë elektrike është i amortizuar dhe tashmë ka filluar të amortizohet edhe rrjeti rrugor, sepse paratë shkojnë për investime fasadë. Kësaj do t’i japim fund.

Paratë e taksave të shqiptarëve, taksave të ulëta që do të paguajnë dhe nuk do të paguajnë vetëm ata që s’kanë akses te pushteti, por do t’i paguajnë të gjithë njësoj, do të shkojnë për investime që ndihmojnë shqiptarët, në veçanti, që ndihmojnë ekonominë.

Dhe e treta që gjej rastin të përsëris, Velipoja, por jo vetëm Velipoja, e gjithë vija bregdetare shqiptare duhet të ndjejë në këtë kohë të vështirë të pandemisë të paktën një mbështetje nga bashkëpunimi me Kosovën. Përtej gjithë problematikës politike me të cilën po përballet Kosova, të cilën do ta trajtoj edhe gjtë takimit sot pasdite me Kryeministrin Hoti, një gjë nuk mund të mos jetë prioritet absolut për Tiranën dhe Prishtinën, do të bëjmë gjithçka që është e mundur që pushuesit nga Kosova ta kenë sa më të lehtë, qoftë në kuptimin e lëvizjes, qoftë në kuptimin e kostos për të ardhur në plazhet shqiptare, për të qëndruar ne hotelet shqiptare, për të qëndruar ne restorantet e vijës bregdetare të Shqipërisë që është edhe vijë bregdetare e Kosovës, vija jonë bregdetare, në këto muaj të nxehtë dhe për ta bërë sa më të mundur që nga njëra anë njerëzit të kenë mundësi të relaksohen pak nga stresi i jashtëzakonshëm i pandemisë.

Sa më shumë njerëz shpresoj ta kenë të mundur këtë, sepse gjendja ekonomike është shumë e vështirë dhe nga ana tjetër industria jonë e turizmit, sipërmarrja jonë, bujqësia, e cila po kështu është e lidhur ngushtësisht me turizmin, të ketë mundësinë të ngrejë pak kokën, të paktën të ketë një injeksion nga turizmi i brendshëm, nga turizmi kombëtar, nga turizmi Kosovar, i shqiptarëve të Maqedonisë e kështu me radhë.

Sot është e premte, pashë disa autobuza që po parkonin, nga Kosova. Disa pushues nga Kosova që po mberrinin në plazh dhe për fat të mirë, siç e shikoni, plazhi andej është bosh fare, po këtu ka disa pushues. Do të bëjmë gjithçka që ky realitet mos të jetë vetëm në fundjavë, por të jetë gjatë të gjithë javëve deri në fund të sezonit turistik.

Ju përshëndes nga Velipoja, ku do të vazhdoj takimet me sipërmarrjet, me hotelerinë, me restorantet dhe ju uroj një fundjavë sa më të qetë.”


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas