Aktualitet

Nacionalist part time






               Publikuar në : 21:26 - 10/10/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Kryeministri Rama që ka shkaktuar më e pakta shumë habi me një vizitë në Novi Sad, ku nuk dihen mirë qëllimet dhe përfitimet e saj, teksa shfaqet atje plot humor dhe si pjesë e një klubi të vjetër miqsh, në krah të presidentit serb Vuçiç, me të mbërritur në Tiranë ka ngritur një dallgë të fortë nacionalizmi, duke mallkuar e nxjerrë vrer ndaj akademisë suedeze të çmimit Nobel, për shkak se ata vlerësuan sot një shkrimtar austriak që paska adhuruar Millosheviçin.



Ramës i vjen për të vjellë nga kjo, siç thotë, po ndërkohë ai është fare indiferent për sekëlldinë që ka krijuar me vizitën serbe, bash në kohën kur Kosova po kalon një moment lavdie, me zgjedhjet që mbajti, standardet që krijoi dhe me aftësinë shtetformuese që demonstron çdo ditë pas votimeve.

Ndërkohë që Serbia ngelet problemi më i madh i saj, Rama në dukje ka një axhendë tjetër.

Marrëdhëniet e mira me fqinjët janë padyshim një vlerë. Por me takimin në Novi Sad, edhe Rama edhe Zaev thjesht i dhanë kredite Beogradit, duke e faktorizuar edhe më shumë si qendër e rëndësishme rajonale.

Nuk ka asnjë dyshim se në nënshtresat e kësaj kuturisje në Novi Sad, Rama ka dashur të tregojë para Europës që është në prag të vendimit për negociatat, se ai është djali i mirë nga Ballkani. Po aq, ka synuar të jetë bashkë dhe i pashkëputur nga Zaev, në një kohë kur dendur po thuhet se Maqedonia e Veriut mund të hapë menjëherë negociatat, ndërsa Shqipëria më vonë, dhe me kushte.

Por e gjitha kjo në vetvete është një kontradiktë e madhe që krijon konfuzion tek njerëzit.

Paradite sillesh si rockstar me udhëheqësin serb, i cili ka punuar dikur për Millosheviçin, ndërsa pasdite të vjen për të vjellë se një akademi si e Nobelit ka çmuar shkrimtarin që paska ushtruar simpati për Millosheviçin.

Ky lloj patriotizmi part time, të ngjall krupën. Padyshim bëhet për PR dhe për politikë të brendshme, kur me siguri i kanë thënë se njerëzit nuk e kanë mirëpritur aspak shëtitjen në Novi Sad.

Po ato që bën në Serbi janë akte dhe me pasoja, këto që bën në Tiranë kundër shkrimtarit pro-serb, janë thjesht fjalë dhe blasfemi, me synimin për t’i shitur në publik.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas