Tenisti spanjoll Rafael Nadal ka mbetur i mahnitur nga lajmi se nga dita e hënë është rikthyer në krye të renditjes botërore për meshkuj.
“Të jem i sinqertë, nuk e dija që isha rikthyer në krye të renditjes, ma thanë të tjerët. Vjet u gëzova shumë që u riktheva i pari”, u shpreh Nadal për mediat spanjolle, në prag të ndeshjeve të Kupës Davis që luhen këtë fundjavë.
“Pres që trupi im të reagojë mirë dhe të luaj më shumë ndeshje. Nga turneu i Shangait kanë kaluar 5 muaj dhe situata nuk ka qenë fort e mirë për mua. Në Meksikë doja të luaja dhe kam qarë nga dëshpërimi për dëmtimin. Kam shumë dëshirë për t’u rikthyer në fushë dhe do ët luaj me kombëtaren për të provuar veten. Të shohim se si do të shkojnë gjërat deri në fundjavë”, deklaroi Rafael Nadal.
Në lidhje me të ardhmen e tij, spanjolli shton: “Ëndrra ime është të jem i lumtur, në shëndet të plotë dhe pranë njerëzve që i dua shumë. Dhe të luaj tenis për sa kohë të kem mundësi. Tani nisin ndeshjet në fushat me dhè dhe shpresoj që të triumfoj sa më shumë”, deklaroi Rafael Nadal, që prej ditës së hënë është rikthyer në krye të renditjes botërore./TeleSport