Çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare vazhdoi sërish rënien, duke arritur në nivelin më të ulët në pesë vite.
Ndërkohë BBC raporton se vazhdon të shtohet frika për mbifurnizim në tregje.
Banka Morgan Stanley parashikon se çmimi i naftës mund të bjerë deri 43 dollarë për fuçi vitin që vjen, nga 64 që është tani.
Ky do ishte rekord i frikshëm, ndaj analisti Adam Longson thtoë se OPEC duhet të ndërhyjë.
Ndërkohë çmimi i karburantit në pikat e shitjes në vendin tonë ka vijuar rënien e lehtë edhe ditët e fundit, duke u tregtuar në pikat e karburantit me 172, deri në 169 lekë për litër.
Me uljet e shënuara javët e fundit, çmimi në vend ka zbritur 8% krahasuar me fillimin me vitit, ndërsa në tregun europian rënia është mbi dy herë më e madhe, pra 15%.
Këto çmime ende të ngurta, vijnë për shkak të një tregu gati monopol, ku vetëm tre kompani importojnë realisht dhe të gjitha të tjerat furnizohen prej tyre, duke përcaktuar pothuajse të njëjtin çmim shitje në pikat e karburantit.
Këtë e vë në dukje Autoriteti i Konkurrencës, në një hetim paraprak të kryer për katër vite rresht në tregun e karburantit. Autoriteti vëren se kompanitë e importit dhe tregtimit ruajnë lidhje periodike mes tyre, permes shitblerjes brenda vendit.
Ato kanë varësi mes tyre pasi në periudha të ndryshme kthehen në blerës dhe shitës me shumicë për njëra-tjetrën.
Ndërmarrjet që zotërojnë tregun me shumicë aplikojne çmime të njëjta ose me diferencë shumë të vogël mes tyre, sipas Autoritetit.
Që tregu po shkon drejt monopolit vërehet edhe nga të dhënat e Ministrise se Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku rezulton se vitin e kaluar, tre kompanitë kryesore zotëronin rreth 85% të tregut të karburanteve.
E gjithë kjo situatë pengon uljen reale të çmimit dhe i intereson edhe arkës së shtetit. Sa më i lartë çmimi, aq më të larta të ardhurat nga totali i taksave mbi karburantin.