Naftëtarët e Ballshit janë mbledhur sot përpara rafinerisë, një ditë pas takimit të tyre me kryeministrin Edi Rama.
Ata pranuan propozimet e shtruara dje nga kreu i maxhorancës, konkretisht mbështetjen financiare- ndërkohë që bëhet fjalë për 15 paga të pamarra- si dhe rifillimin e punës në rafineri, pasi Rama u shpreh se ndodhet momentalisht në kontakt me një investitor.
Kryetari i Sindikatës së Naftëtarëve, Sokol Dautaj u shpreh se ky vendim erdhi si pasojë e kushteve të rënduara ekonomike. Ndërkohë, Dautaj bëri gjithashtu të ditur se naftëtarët do t’i drejtohen Strasburgut për pagat e pamarra.
“Sot kemi zhvilluar një takim me pjesën më të madhe të kolegëve naftëtarë. Duke parë gjendjen e vështirë në të cilën ndodhen, ata kanë pranuar që të rikthehet një përgjigje pozitive për pagën. Për problemet tona për pagat e prapambetura do të vazhdojë rruga gjyqësore. Duke mos arritur një zgjidhje dje me qeverinë, e cila ia delegoi këto paga kompanisë private, ne do ta vazhdojmë betejën gjyqësore deri në Strasburg“, tha Dautaj.
Kryeministri Edi Rama, pas takimit me naftëtarët e Ballshit, që u mbajt në zyrat e Bashkisë së Fierit, tha se çështja e pagave është e komplikuar dhe nuk i përket qeverisë.“Është kompania private që ka pasur rafinerinë që u detyrohet atyre”, theksoi ai ndërkohë që i mëshoi mbështetjes financiare, e cila mendohet se do të jetë përafërsisht në vlerën e një page.
Ky takim mes palëve vjen pas daljes së grevistëve nga ngujimi thuajse 1 mujor, dhe thirrjeve të vazhdueshme të Ramës për bashkëbisedim.