Ish-deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj shprehet se qeveria gënjen pa turp lidhur me dhënien e pagave të naftëtarëve të rafinerisë së Ballshit. Ajo rendit 4 arsye që e bëjnë gënjeshtare qeverinë Rama.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Mehmetaj thotë se mazhoranca jo vetëm mashtron, injoron, përbuz dhe ushtron dhunë ndaj naftëtarëve, por as interesohet për jetët e tyre.
Reagimi i ish-deputetes së LSI-së vjen pas protestës që naftëtarët zhvilluan sot përpara rafinerisë së Ballshit, ku dhe lajmëruan për grevë urie.
Postimi i Kejdi Mehmetajt në “Facebook”:
Pas dhunës policore që përjetuan në protestën e zhvilluar në Tiranë, ku naftëtarët kërkonin me të drejtë t’u jepeshin pagat e prapambetura prej një viti, sot vendosën të futen në grevë urie si e vetmja rrugë që u ka mbetur për të fituar të drejtën e tyre.
Qeveria gënjeshtare e Edi Ramës, pasi i mashtroi, i injoroi, i përbuzi dhe në fund i rrahu tani as nuk interesohet për jetët e tyre. Jetët e mbi 900 naftëtarëve, jetët e mbi 900 familjeve që jetojnë me ato paga që nuk jepen.
Qeveria gënjen pa turp kur heq veten nga përgjegjësia e dhënies së pagave të naftëtarëve të rafinerisë sepse:
- Naftëtarët kanë kryer të gjithë proceset e nevojshme gjyqësore dhe i kanë fituar ato, pra institucionet përgjegjëse shtetërore duhet të sigurohen se vendimet e gjykatave do zbatohen duke vendosur në lëvizje të gjithë mekanizmat që lejon ligji. Por jo, qeveria nuk lëviz as gishtin e vogel për të zgjidhur problemet e naftëtarëve edhe pse nuk heziton të ngrejë krahun për t’i goditur ata.
- Edi Rama dhe rilindasit e tjerë të tij, jo një herë por në shumë raste, publikisht e brenda zyrave të ministrive të tij (ku patjetër takimet regjistrohen) u kanë premtuar naftëtarëve se do i marrin pagat. I kanë siguruar naftëtarët se kompanitë e njëpasnjëshme që kanë blerë ARMO-n janë serioze e të fuqishme. Fjalë bosh! Mashtrime! Thjesht oligarkët e rradhës që përfitojnë në kurriz të shqiptarëve.
- Shteti vazhdon të jetë aksioner i ARMO Sh.a me rreth 15% të aksioneve, pikërisht për t’u siguruar se pasuria jonë kombëtare do të menaxhohet drejtë e qytetarët do të marrin atë që u takon. Sot, as në rafineri nuk është investuar, as pasuria jonë nuk po trajtohet si duhet e më e keqja as qytetarët tanë nuk po mbrohen.
- Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar një ligj për Statusin e Naftëtarit, çfarë bëhet sot me atë ligj? A zbatohet ai? A mund t’i mbrojë sot statusi naftëtarët që nuk paguhen prej një viti, e që kanë humbur vendet e punës?
Sa përmenda më sipër janë pak krahasuar me të zezat që gjenden nëse kërkon të zbulosh çka ka ndodhur me ARMO-n, por sot e rëndësishme është ajo që do të ndodhë me naftëtarët. Sot e rëndësishme është që ata të marrin pagat e të kthehen tek familjet e tyre. Sot e rëndësishme është që qeveria t’i lërë mashtrimet, t’i harrojë oligarkët e t’u zgjidhë hallin atyre qindra punonjësve që kanë bërë një punë të vështirë e me rrezik për jetën.