Shefja e spitalit Infektiv, Najada Çomo u ka bërë një apel qytetarëve për të qenë të kujdesshëm dhe të kujtojnë që COVID-19 është ende midis nesh.
Në një video-mesazhi, Çomo theksoi sa i rëndësishëm është kujdesi dhe zbatimi i masave, në mënyrë që t’ua bëjnë edhe mjekëve punën më të lehtë.
Mesazhi i Çomos:
“Jemi në sezonin e verës, kanë kaluar pesë muaj dhe fluksi i të shtruarve në Spitalin Infektiv ka ardhur duke u shtuar, me të sëmurë rëndë dhe me humbje jete. Kam një apel për të gjithë qytetarët që gjithë këto muaj pune intensive në shërbimin infektiv janë lodhje dhe punë e jashtëzakonshme. Kam një apel që ju lutem respektoni masat e thëna. Frekuentoni sa më pak vende publike apo situata ku grumbullohen njerëz sepse janë vendi më i rrezikshëm për t’u infektuar. Virusi është midis jush dhe midis nesh që ju shërbejmë juve. Ne jemi për t’ju shërbyer juve, ju jeni për të mbrojtur shëndetin tuaj.”