Napoli hedh një hap shumë të rëndësishëm drejt sigurimit të një bilete për në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin e pastër 1-4 në transfertën ndaj Spezias dhe të ngjitet përkohësisht në vendin e dytë me 70 pikë.
Skuadra e drejtuar nga Gennaro Gattuso nuk e vuri në dyshim për asnjë moment fitoren dhe zhbllokoi sfidën që në minutën e 15’ me anë të Zielinskit, ndërsa më pas deri në fund të pjesës së parë Osimhen mbylli llogaritë duke shënuar dy herë dhe duke çuar shifrat në 0-3.
Spezia provoi të reagojë në pjesën e dytë me anë të Piccolit, që shënoi në minutën e 64-t, por më pas në të 80-ën ishte meksikani Lozano që shënoi edhe golin e katërt për Napolin, duke vulosur suksesin e të kaltërve.
Me këtë sukses Napoli është gjithmonë e më pranë sigurimit të një bilete në zonën Champions, pasi ka në favor edhe kalendarin deri në fund, ndërsa Spezia ka komplikuar totalisht objektivin e mbijetesës në elitën e futbollit italian.
Sfida mes Udineses dhe Bolognës përfundoi në barazim 1-1, me friulianët që kaluan në avantazh në pjesën e parë me kapitenin De Paul dhe emilianët që u kundërpërgjigjën në minutën e 82-të me anë të Orsolinit, që ekzekutoi saktë një 11-metërsh.