Napoli, me shumë fat ka mposhtur Cagliari-n 2-1 në “San Paolo”. Vendi i dytë në renditje ka përmbysur në fund të takimit duke regjistruar fitoren e 22-të të sezonit. Napoli ishte ekipi që dominoi ndeshjen që nga minuta e parë, por skuadra e Carlo Ancelotti-t e kishte shumë të vështirë të krijonte mundësi të mira shënimi.
Pas pushimit, miqtë kanë shënuar në mundësinë e parë të pastër që iu paraqit. Ishte Pavoletti ai që shënoi golin e avantazhit për Cagliari-n krejt befasisht në minutën e 63’ të takimit. Vendasit nuk u pajtuan me këtë rezultat të pamerituar dhe Mertens ka shënuar golin e barazimit në minutën e 85’ të ndeshjes.
Në kohën shtesë arbitri pas konsultimit të gjatë me VAR-in, ka akorduar një penallti të dyshimtë në favor të vendasve. Ishte Lorenzo Insigne ai që nuk ka gabuar nga pika e bardhë duke i dhënë tre pikët e radhës napolitanëve.
Sulmuesi italian ka pasur një mesazh për tifozët, pasi u ka bërë me gishta simbolin e zemrës. Mesa duket ai kërkon të qëndrojë te Napoli.