Shqipëria ka fituar bindshëm me rezultatin 0-4 ndaj Moldavisë, ndërsa Kosova ka mposhtur 2-0 Malin e Zi në përballjet e kësaj mbrëmje. Shqipëria renditet në vendin e 4 në kuotën e 12 pikëve, ndërsa dardanët renditen në vendin e tretë në kuotën e 11 pikëve.
***
Pas humbjes minimale dhe jo të merituar (1-0) të premten (11 tetor) ndaj Turqisë, Shqipëria zbriti sot në fushën e Moldavisë, duke marrë fitoren 0-3. Kujtojmë se edhe në katër përballjet e mëparshme Shqipëria nuk ka humbur asnjëherë ndaj moldavëve.
Kombëtarja shqiptare nisi tepër vrullshëm ndeshjen e mbrëmjes. Në minutën e 22’, Cikalleshi gjeti golin e avantazhit, duke zhbllokuar kështu rezultatin në 0-1. Kuqezinjtë materializuan dominimin e tyre ndaj vendasve, duke u shpërblyer me një gol të rëndësishëm edhe për objektivin e radhës.
Vetëm 12 minuta më pas, Shqipëria shënoi golin tjetër ndaj Moldavisë, falë Bare në minutën e 34’. Topi në këmbët e tij erdhi si dhuratë nga super-asisti i Gjasulës. Rezultati shkoi në 0-2.
E papritura ka ardhur nga Trashi në minutën e 40′. Futbollisti i Partizanit, duke përfituar nga gabimi i kundërshtarit ka gjuajtur në diagonale në hyrje të zonës duke realizuar golin e tretë për Shqipërinë.
Një gol në debutimin e tij si titullar me kombëtaren, që e bën këtë ndeshje të paharrueshme për Trashin e Partizanit kampion në fuqi i Shqipërisë.
Pjesa e parë përfundoi me rezultatin 0-3. “Stadionul Zimbru” u “ndez” nga brohorimat e tifozëve kuqezinj.
Pjesa e dytë e shoqëruar me pasime të gjata nga Moldavia, e cila dukej se po kërkonte me ngulm një gol, nuk arriti të prekë rrejtën e kuqezinjve. Jo vetëm kaq. Shqipet shënuan në minutën e 91′ falë Manaj.
***
Kosova triumfon 2-0 ndaj Malit të Zi
Shqipet e Kosovës dolën shumë shpejt në avantazh. Mjaftuan vetëm 10 minuta lojë për të zhbllokuar rezultatin. Kjo u arrit falë Rrahmanit. Qendërmbrojtësi kërceu mbi të tjerët pas një goditje këndi duke shënuar bukur me kokë. Nuk përfundon këtu. Porta e malazezëve preket sërish në minutën e 34’ nga dardanët, falë supergoditjes së V.Muriqi, goditje e cila ishte vendimtare për rezultatin e ndeshjes, pasi rrjetat nuk u prekën më pas./MAPO.AL/