Aktualitet

Nata e tmerrshme e Sevastisë, kur kërkonte trupin e pajetë të të birit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:45 - 07/05/21 |
mapo.al

Kalvari i Sevasti Qiriazit nën persekutimin e egër komunist, rrëfyer nga mbesa e saj Viktoria Dako Ruli. Si ia vranë në hetuesi të birin, Gjergjin e ia burgosën Aleksandrin, djalin tjetër. Internimi i Robertit, Viktorias e Dianës, fëmijë të Aleksandrit… Jeta e mundimshme e gruas që i dha shumë Shqipërisë e mori prej saj vetëm vuajtje.






Robert Dako ishte foshnje e porsalindur kur u internua në Tepelenë. Dy motrat e tij, Viktoria dhe Diana, motrat e Robertit ishin më të rritura, por shumë të mitura për të kuptuar pse jeta e tyre po merrte atë kthesë të rëndë. Roberti sapo kishte ardhur në këtë botë, që ai s’kishte si ta dinte pse fati i tij do të ishte kaq i vështirë e kjo botë në të cilën sa kishte ardhur, ishte kaq e ashpër. Ishte djali i Aleksandër Dakos, i biri i Sevasti Qiriazit dhe Kristo Dakos.


Gjyshja e Robertit, Sevastija, kishte qenë ndër vashat e para shqiptare të mirarsimuara e ndër të parat vasha, që kishte investuar gjithçka kishte, për të sjellë arsim ndër të tjera vasha shqiptare.







Kristo Dako ishte gjyshi i Robertit, një ndër rilindasit e shquar shqiptarë. Aleksandër Dako, babai i Robertit dhe i biri i Sevastisë e Kristo Dakos, ishte diplomuar në Oxford, Angli, në degën e inxhinierisë. U kthye në Shqipëri në vitin 1940. Ishte martuar me një italiane dhe nga martesa e tyre lindën tre fëmijë, Oberti, Vitoria dhe Diana. Aleksandër Dako kishte qenë pjesë e misionit të UNRRA-s për Shqipërinë. Në tetor 1946, pas prishjes së raporteve diplomatike me SHBA, u arrestua nga komunistët me akuzën si “agjent amerikan”, ndërsa kryente detyrën e koordinatorit. Gjyqi zhvillohet pas dy vjetësh arrest dhe dënohet me 7 vjet burg.



Ndërkohë, i vëllai i Aleksandrit, Gjergji, një mjek kirurg i talentuar, i kishte përfunduar studimet në SHBA për mjekësi. Kur erdhi në Korçë, në valën e sulmeve të komunistëve kundër nënës së tij, Sevasti Qiriazi dhe babait Kristo Dako, Gjergji arrestohet në vitin 1947 dhe vdiq në hetuesi si pasojë e torturave. Ai vdiq në hetuesinë e Tiranës më 18 shkurt 1949. Trupi i tij nuk iu kthye së ëmës Sevastisë, e cila ishte gjithashtu në burg, e arrestuar nga komunistët.



Nata e tmerrshme e Sevastisë

E ka rrëfyer Vitoria, e motra e Robert Dakos, e mbesa e Sevasti Qiriazit. Është një ndër ato netët e tmerrshme të Sevasti Qiriazit. I kishin vrarë djalin dhe nuk ia jepnin trupin e tij. “Sevastia shkoi për të marrë trupin e të birit. Të paktën do ta shikonte të vdekur, por atë nuk ia dhanë. Sevastia mundi të zbulonte se ata që vdisnin në burg, çoheshin në Lumin e Tiranës. Kështu, natën ajo u nis bashkë me Marien në bregun e lumit për të gjetur trupin e Gjergjit dhe trupin e gjetën të mbështjellë me një hasër.

Ndërkohë, po gdhinte mëngjesi dhe kishin frikë se mos dikush i diktonte, kështu që ato e fshehën trupin në anë të tokës dhe u kthyen në shtëpi, me qëllim që të ktheheshin në mbrëmje dhe të merrnin trupin e tij. Por kur u kthyen, e gjetën tokën të punuar nga traktori dhe trupi ishte zhdukur, për të mos e gjetur më kurrë. Sevastia, megjithëse në jetë kishte kaluar shumë telashe e peripeci, e karakterizuar nga një fortësi dhe kurajë, kësaj here dhimbja qe mbi forcat e saj dhe ra në një depresion të thellë, u end plot pesë muaj nëpër zyrat e qeverisë, me qëllim që të mund të rimerrte trupin e djalit të saj të dashur 36-vjeçar, por asnjë nuk iu përgjigj”, rrëfen Vitori Dako.

Varrimi i Sevastisë

Gjashtë muaj pas vdekjes së të birit, Sevasti Qiriazi, u nda nga jeta me brengën e madhe, prej dëshpërimit që e humbi djalin e saj të dashur e kurrë nuk ia gjeti as eshtrat.
Sevastia vdiq më gusht 1949. Nuk iu bë asnjë ceremoni varrimi, sepse regjimi e ndalonte një të tillë për kundërshtarët e tij. E mbesa, Vitore, e rrëfen kështu ditën e fundit të Sevastisë mbi tokë. “Nuk iu bë asnjë ceremoni varrimi, kështu u varros nga familja.

Ne e çuam në varreza me një karrocë me kalë në “Shesh Tufinë”, në veri të Tiranës, që në atë kohë ishin të vetmet varreza në qytet. Ne e çuam dhe e varrosëm atje të shoqëruar nga teto Parashqevia, mamaja ime Rozi, motra e saj Maria, që ishte e shoqja e Gjergjit dhe nga ish-kuzhinierja e shkollës “Rukie Tafaj”, e cila ishte prej një familje të vjetër dhe autoktone tiranase dhe unë që isha fëmijë e vogël. Babai, Aleksandri, ishte në burg. Në vitin 1964, varrezat u prishën se do të ngriheshin pallate banimi, kështu eshtrat e Sevastisë u transferuan në varrezat e “Sharrës” në jug të Tiranës në lagjen e “Kombinatit”. Në atë kohë Sevastia ishte dekoruar pas vdekjes në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Kështu që, transferimin e bëri shteti dhe më vonë, mbas vdekjes së teto Parashqevisë, shteti për to bëri një varr të përbashkët për “Motrat Qiriazi” në parcelën e veçantë caktuar për personalitetet e shquara të kombit. Në zhvarrimin e eshtrave të Sevastisë ishim teto Parashqevia, babi im, Aleksandri, dhe unë”, rrëfen Viktori Dako, në një letër publike botuar në media dy vite më parë.

Marrë nga: Kujto.al 

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas