Dikur

Nata kur SHBA bombardoi një ambasadë kineze







               Publikuar në : 08:30 - 08/05/19 |
mapo.al

Nga Kevin Ponniah dhe Lazara Marinkoviç, BBC


Po afrohej mesnata dhe Vlada, një inxhinier serb, po nxitonte drejt apartamentit të tij në Beograd. Ai kishte dalë me djalin e tij 20-vjeçar atë natë, por në kryeqytetin jugosllav nisën të bien bombat. Energjia iku dhe ai donte të kthehej në shtëpi.

NATO, aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, po e godiste Jugosllavinë nga qielli që prej marsit, në përpjekje për të ndaluar krimet e kryera nga presidenti Sllobodan Millosheviç kundër shqiptarëve etnikë në provincën e Kosovës. Ishte 7 maji i vitit 1999 dhe fushata ajrore e dominuar nga SHBA po bëhej gjithmonë e më intensive.

Familja e Vladas kishte kaluar shumë net gjatë javëve të fundit, së bashku me të tjerët, në bodrumin e apartamentit të tyre, duke u lutur që ndonjë raketë ‘qorre’ nuk do godiste shtëpitë e tyre, ndërsa sirenat e sulmeve ajrore vikasnin jashtë.

Ata mendonin se ishin me fat, pasi jetonin pranë ambasadës kineze- një mision i rëndësishëm diplomatik. Fakti që ishin aty pranë, nënkuptonte mbrojtje.

Por teksa Vlada dhe djali i tij po u afroheshin dyerve të xhamta të godinës në errësirë, avionët amerikanë B-2 ishin në qiellin sipër Beogradit. Avionët ‘stealth’ marrin koordinata precize për objektivin dhe vendimin final e jep CIA. Gjithçka dëgjoi Vlada ishte zhurma e një rakete që po vinte. Nuk kishte kohë për të lëvizur. Dyert u thyen, xhamat u përhapën drejt tyre.

“Forca e bombës së parë na ngriti në ajër dhe ramë… Më pas një tjetër, pastaj një tjetër- bam, bam, bam. Të gjitha dritaret e pallatit u thyen”.

Ata u terrorizuan, por nuk u plagosën. Të pesë bombat kishin goditur ambasadën, 100 metra më tutje.

SHBA dhe NATO ishin nën kritika për shkak të viktimave civile gjatë fushatës së bombardimit, të nisur pa autorizimin e OKB dhe të kundërshtuar fuqishëm nga Kina dhe Rusia. Tashmë ata kishin sulmuar simbolin e sovranitetit kinez në zemër të Ballkanit.

Në anën tjetër të qytetit, Shen Hong, një biznesmen kinez me lidhje të forta, mësoi se ambasada ishte goditur. Ai nuk e besonte dot. Pak ditë më herët, babai i kishte telefonuar nga Shangai dhe ishte tallur duke i thënë se duhej ta parkonte Mercedesin e tij të ri tek ambasada, në mënyrë që të ishte i sigurt.

“Telefonova një polic që njihja dhe ai më tha: Po, Shen, është goditur vërtet. Ai më tha që të shkoja menjëherë, kështu që e kuptova se ishte e vërtetë”.

Ai mbërriti në një skenë kaosi. Ambasada po digjej, punonjësit ishin të mbuluar në gjak dhe pluhur dhe po ngjiteshin nëpër dritare për të shpëtuar. Politikanët pranë Millosheviçit, që ishte akuzuar dy javë më parë për krime kundër njerëzimit në një tribunal ndërkombëtar- po mbërrinin në vendngjarje për të denoncuar bombardimet si shembullin e fundit të barbarisë së NATO-s.

“Nuk mund të futeshim brenda. Kishte shumë tym, nuk kishte elektricitet dhe nuk mund të shihnim asgjë. Ishte e tmerrshme”, thotë Shen.

Ai vuri re atashenë kulturore, një burrë që e njihte, i cili kishte lidhur bashkë perdet për të dalë nga dritarja e katit të parë. “Nuk e pamë që ishte plagosur dhe as e vumë re. Vetëm kur i shtrëngova dorën, e kuptova se duart e mia ishin të mbuluara me gjak. I thashë: ‘je plagosur, je plagosur’- por kur ai e pa këtë, i ra të fikët”.

Ditën tjetër Shen mësoi se dy miqtë e tij të afërt- gazetarët e sapomartuar Xu Xinghu, 31 vjeç dhe Zhu Ying, 27 vjeç, ishin vrarë nga një bombë teksa po flinin në ambasadë. Trupat u gjetën poshtë një muri të shembur.

Çifti punonte për gazetën “Guangming”- një gazetë e partisë komuniste. Xu ishte diplomuar për gjuhësi dhe fliste rrjedhshëm serbisht. Ai kishte dokumentuar bombardimet në Beograd gjatë një serie raportimesh speciale të quajtur: “Jeta nën zjarrin e armëve”.

Zhu kishte punuar si editore kulture në gazetë. Mamaja e saj u shemb kur mësoi lajmin e vdekjes së të bijës dhe u dërgua në spital. Babai i Zhu udhëtoi drejt Beogradit i vetëm për të parë trupin.

Një gazetare e tretë, 48-vjeçarja Shao Yunhuan, e agjencisë së lajmeve Xinhua, vdiq po ashtu. I shoqi, Cau Rongfei, u verbua. Atasheu ushtarak i ambasadës, që mendohej se drejtonte një qelizë inteligjence nga godina, u dërgua në Kinë në gjendje kome. Në total, 3 persona u vranë dhe të paktën 20 u plagosën.

Për Shen, ky ishte një akt lufte. Ditën tjetër ai udhëhoqi protestat në rrugët e Beogradit me një pankartë ku shkruhej: NATO, Organizata Terroriste Naziste Amerikane.

Ishte një shenjë e asaj që do vinte.

Brenda pak orësh nga bombardimi, dy narrativa të ndryshme nisën të shfaqen. Ato do forcoheshin në muajt në vazhdim dhe do të formonin bazën se si incidenti- që vazhdon të ndikojë në marrëdhëniet SHBA-Kinë- do të debatohet edhe sot.

Bombardimet nxitën spekulime dhe nuk pati mungesë të pyetjeve pa përgjigje dhe copëza që përdoreshin nga disa për të ngritur një konspiracion të madh. Intrigat vazhduan mbi incidentin edhe në muajt në vazhdim. Dy gazeta të respektuara europiane sugjeronin se goditjet ishin të qëllimshme.

Por, siç theksojnë ish-zyrtarët e NATO-s, në 20 vite nuk ka dalë asnjë provë në dritë, që të provojë atë që beson Kina dhe që e mohon vazhdimisht Amerika, që sulmi ishte i qëllimshëm.

Në orët e para pas rënies së bombave, SHBA dhe NATO nuk humbën kohë për të deklaruar se ishte një aksident. Kurse përfaqësuesi i Kinës në OKB e denoncoi si një akt lufte dhe një krim barbar.

Në Bruksel, Jamie Shea- zëdhënësi britanik i NATO-s, që u bë fytyra publike e luftës- u zgjua në mes të natës dhe i thanë se duhej të përballej me shtypin botëror në mëngjes. Informacioni në orët e para të mëngjesit ishin i pakët, por ai duhej të jepte shpjegimet e para të asaj që kishte ndodhur, së bashku me një ndjesë. Avionët luftarakë, tha ai nga podiumi, kanë goditur godinën e gabuar.

“Është si një aksident me tren apo një përplasje me makinë- ti e di se çfarë ka ndodhur, por nuk e di si ka ndodhur”, thotë ai 20 vjet më vonë. “U desh kohë për ta kuptuar. Por ishte e qartë që në fillim, shënjestrimi i një ambasade të huaj nuk ishte pjesë e planit të NATO-s”.

U desh më shumë se një muaj që SHBA të jepte për Pekinin një shpjegim të plotë: se si një seri gabimesh bazike kishte bërë që pesë bomba të drejtuara me GPS të godisnin ambasadën kineze- përfshi edhe njërën që goditi çatinë e rezidencës së ambasadorit pranë godinës kryesore, por nuk shpërtheu, duke i kursyer jetën me shumë gjasa.

Shënjestra reale, thanë zyrtarët, ishin zyrat qendrore të Drejtorisë Jugosllave për Prokurimet dhe Furnizimet (DJPF)- një agjenci shtetërore ushtarake që importonte dhe eksportonte pajisje ushtarake. Një godinë ngjyrë gri është akoma aty edhe sot- qindra metra më poshtë rrugës së ambasadës.

NATO kishte shpresuar fillimisht se fushata e bombardimeve do të zgjaste pak ditë derisa Millosheviç të dorëzohej, të tërhiqte trupat nga Kosova dhe të lejonte paqeruajtësit. Por në kohën kur u godit ambasada, kishin kaluar më shumë se gjashtë javë. Në përpjekje për të gjetur qindra objektiva për të mbështetur sulmet ajrore, CIA- e cila nuk përfshihej normalisht në përzgjedhjen e objektivave- tha se duhej të goditej DJPF.

Por agjencia kryesore e inteligjencës amerikane thotë se përdori një hartë të keqe.

“E thënë thjesht, një nga avionët tanë goditi shënjestrën e gabuar për shkak se udhëzimet e bombardimeve ishin bazuar në një hartë të vjetër”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, William Cohen dy ditë pas bombardimeve. Ai i referohej një harte amerikane, e cila me sa dukej nuk tregonte vendndodhjen e saktë të ambasadës kineze apo të DJPF.

Oficerët e inteligjencës amerikane kishin një adresë për DJPF- 2 Bulevar Umetnosti- dhe një teknikë bazike ushtarake u përdor për të përafruar koordinatat. Kjo teknikë ishte kaq joprecize, pati thënë më vonë shefi i CIA-s, George Tenet, sa nuk duhej përdorur për të përzgjedhur një objektiv për sulm ajror.

Për ta përmbledhur gabimin fillestar, tha Tenet, baza e të dhënave që përdorej nga inteligjenca dhe ushtria, nuk e kishte vendndodhjen e ambasadës së re, pavarësisht faktit se shumë diplomatë amerikanë kishin qenë vetë në atë godinë.

Nëse dikush në terren do të kishte vizituar vendin ku do bëhej bombardimi, do kishin gjetur një godinë pesëkatëshe të rrethuar, një pllakë bronzi në fillim që lajmëronte prezencën e ambasadës dhe një flamur të kuq kinez më shumë se 10 metra në ajër.

Por thelbi i shpjegimit të CIA-s ishte i vështirë për t’u besuar nga shumë njerëz: ushtria më e përparuar në botë paska bombarduar një anëtar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një nga kundërshtarët më të zëshëm të fushatës ajrore të NATO-s për shkak të një gabimi në hartë? Kina nuk i pranonte asnjë nga këto. Sipas saj, historia nuk ishte bindëse.

“Qeveria kineze dhe njerëzit e saj nuk mund të pranojnë konkluzionin se bombardimi ishte një gabim”, tha ministri i Jashtëm gjatë një takimi me një zyrtar amerikan, i dërguar në Pekin për të shpjeguar atë që kishte ndodhur.

Por përse do e sulmonte SHBA qëllimisht Kinën?

***

Nuk kishte shumë që kishte dalë dielli në Pekin, të shtunën e 8 majit 1999, kur David Rank, një diplomat amerikan, u ngrit nga krevati.

Ai ndezi televizorin dhe po ndiqte CNN-in. Rrjeti amerikan po transmetonte pamje live nga ambasada e shkatërruar kineze në Beogradin e mbuluar nga errësira.

Atë pasdite, mijëra kinezë të irrituar do të protestonin përpara. Por Rank ishte i qetë. Ai i telefonoi shefit të tij, kreut të seksionit politik: “Ju thashë Jim, kjo është gjëja më e dëmshme”.

Diplomati nxitoi nga rezidenca e tij tek ambasada në fund të rrugës, ku zyrtarët amerikanë po përpiqeshin të kuptonin se çfarë kishte ndodhur. Diçka nuk kishte shkuar siç duhet, por ky duhej të ishte një gabim tragjik.

“Ishte dukshëm një aksident lufte i mjegulluar. Në atë moment nuk e mendova se do ishte problem i madh. Natyrisht ishte një problem i madh, por jo një incident kaq konvulsiv sa doli të ishte”, thotë Rank.

Gjatë orëve në vazhdim, forma se si do reagonte qeveria kineze dhe njerëzit e saj, u bë e qartë.

Rank nisi të merrte telefonata nga miqtë e tij liberalë kinezë, që ishin tërbuar nga bombardimi. Gazetarët amerikanë morën telefonata të ngjashme nga kontaktet kineze me pikëpamje proamerikane, duke shprehur shok dhe një ndjenjë tradhtie.

Media shtetërore kineze e kishte bërë tashmë të qartë narrativën- SHBA kishte thyer ligjin ndërkombëtar duke bombarduar një post diplomatik kinez. “Gjuha që dëgjoja nga shumë e shumë kinezë ishte identike. Ishte i njëjti zemërim”, thotë Rank.

Atë pasdite, mijëra studentë u derdhën në rrugët e Pekinit. Ata u mblodhën jashtë ambasadës dhe shumë shpejt gjërat u bënë të dhunshme.

“Ata nisën të hiqnin pllakat e trotuareve. Në fakt trotuaret në Pekin kanë disa pllaka të mëdha, dhe ata po godisnin muret”.

Shumë prej këtyre copave të betonit po godisnin dritaret e godinës ku ishin dhjetëra punonjës, mes tyre edhe ambasadori James Sasser. Makinat e ambasadës po shkatërroheshin.

Mesazhi ishte i qartë: bombardimi ishte i qëllimshëm. Slogani ishte: “Gjaku i kinezëve duhet paguar”. Protesta vazhdoi edhe ditën tjetër, me më shumë njerëz në rrugë- disa raportime flasin për 100 mijë- të cilët sulmuan me gurë, bojë dhe vezë ambasadat amerikane dhe britanike.

“Ndiheshim si pengje”, tha në atë kohë Bill Palmer, një zëdhënës i ambasadës.

Demonstratat e kësaj shkalle nuk ishin parë në Kinën e kontrolluar rreptësisht që kur studentët u ngritën në protestat prodemokratike në sheshin Tiananmen në vitin 1989. Këtë herë zemërimi nuk ishte ndaj Partisë Komuniste, por në 10-vjetorin e shtypjes së protestave të studentëve, qeveria duhej të mbante një balancë mes nxitjes së zemërimit publik dhe ruajtjes së kontrollit.

Në një dalje të rrallë publike, zëvendëspresidenti Hu Jintao mbështeti protestat, por edhe paralajmëroi që ato të mbeten në përputhje me ligjin.

Zemërimi nuk mbeti vetëm në Pekin. Turmat dolën në rrugë edhe në Shangai dhe qytete të tjera. Në Chengu, konsullatës amerikane iu vu flaka.

Weiping Qin, në atë kohë student 18-vjeçar në një kolegj, tha se demonstruesit nuk ishin të informuar se NATO kishte kërkuar falje për atë që e quante incident. “Qeveria po e mbante të fshehur këtë mesazh të rëndësishëm. Ata nuk na thanë- kështu që të rinjtë ishin të zemëruar. Vetëm donim të dilnim në rrugë dhe të protestonim kundër SHBA”.

Ai tha se fillimisht studentëve të kolegjit u kishin thënë të qëndronin në konvikt. Por 24 orë pas bombardimeve, drejtuesit e universitetit i kishin thënë se duheshin 30 mijë studentë për të rrethuar konsullatën amerikane. Studentët u futën nëpër autobusë dhe atyre iu dhanë deklarata për t’i lexuar. Deklaratat ishin me fjali të gjata me stil zyrtar. “Në rrugë nuk mund të thërrasësh fjali të gjata”, thotë ai. Në vend të kësaj, nisi të thërriste për djajtë NATO dhe SHBA.

“Ne ishim të rinj dhe të zemëruar. Emocionet ishin si valë”, thotë Qin, që tani jeton në SHBA dhe kritikon qeverinë kineze.

David Rank e pranon se zemërimi ishte i sinqertë. Që prej vitit 1990, Kina kishte nisur një fushatë të orkestruar për të injektuar nacionalizmin dhe edukimin patriotik në popullatë. Narrativa e vendosur nëpër libra dhe në media ishte se Kina- ky qytetërim i madh dhe dashamirës, ishte nënshtruar dhe poshtëruar nga fuqitë perëndimore. Bombardimi i ambasadës në Beograd përputhej me historinë.

“Zemërimi që ndjenin qytetarët e zakonshëm kinezë mund të kuptohet në një kontekst historik, në kuadër të një neverie ndaj Perëndimit”, thotë Peter Gries, një profesor i politikave kineze në Universitetin e Mançesterit, i specializuar në nacionalizmin kinez.

Për Liu Mingfu- një kolonel në pension i Ushtrisë Çlirimtare Popullore, i njohur për qëndrimet e ashpra ndaj SHBA- bombardimi i ambasadës ishte pjesë e një serie ngjarjesh që provuan se SHBA ishte e angazhuar në një Luftë të re të Ftohtë kundër Kinës.

“Ishte totalisht e qëllimshme. Ishte një bombardim i planifikuar, më shumë se një aksident”, thotë ai.

Kina do merrte 28 milionë dollarë në kompensim nga SHBA për bombardimet, por duhej të jepte 3 milionë dollarë për dëmet e shkaktuara ndaj pronave diplomatike amerikane në Pekin dhe vendet e tjera. SHBA u pagoi 4.5 milionë dollarë familjeve të viktimave dhe të plagosurve.

***

Por çfarë aktivitetesh po ndodhnin në ambasadën e Kinës në Beograd në atë kohë?

Ditën e bombardimit, Dushan Janjiç, një akademik dhe avokat i pajtimit etnik në Jugosllavi, po hante drekë në një restorant në qendër të Beogradit me një person, që konsideron mik të mirë. Ren Baokai ishte atasheu ushtarak në ambasadën kineze dhe Janjiç thotë se ai ishte çuditërisht shumë i hapur për faktin se Kina po spiunonte NATO-n dhe operacionet e tjera të SHBA duke gjurmuar avionët. Atasheu e kishte ftuar për darkë në ambasadë atë natë, pasi e dinte se ai e pëlqente ushqimin kinez.

“Nisa të bëja shaka: Hajde tani, ju e dini se do bombardoheni! Nuk do vij”, kujton Janjiç. Ai po bënte shaka pasi nuk mendonte se ambasada do të goditej.

Megjithatë Janjiç nuk shkoi për darkë në ambasadë atë natë, kur raketat fluturuan mbi godinë, duke e hedhur Ren fillimisht në tavan e më pas në një krater të lënë nga një bombë. Ai u gjend në koma në bodrum vetëm mëngjesin tjetër.

Pesë muaj pas bombardimeve, në tetor të vitit 199, dy gazeta- ajo britanike ‘Observer’ dhe danezja ‘Politiken’- sugjeruan se aktivitetet e mbikëqyrura nga atasheu ushtarak mund të kenë nxitur një bombardim të qëllimshëm amerikan.

Duke cituar burime të NATO-s, ato raportuan se ambasada po përdorej si një stacion ritransmetimi për komunikimet e ushtrisë jugosllave dhe si rezultat ishte hequr nga lista e ndalur e objektivave. Por Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e kritikoi lajmin duke thënë se ishin dokrra, kurse Sekretari i Jashtëm britanik, Robin Cook tha se nuk ka asnjë provë të vetme për ta mbështetur.

Por dy dekada më vonë, Jens Holsoe, një korrespondent i Politiken në Ballkan nga vitin 1995 deri në vitin 2004, dhe John Sweeney, ish-gazetar i Observer, aktualisht te BBC, thotë se i qëndrojnë raportimit se bombardimi ishte i qëllimshëm.

Holsoe tha se investigimin e nisën pasi shefi i CIA-s, George Tenet tha publikisht se imazhet satelitore nuk tregonin asgjë se aty kishte ambasadë- nuk kishe flamuj, vula, asnjë shenjë e dukshme- kur në fakt të tria ishin prezente.

Një nga burimet e tij- një figurë e lartë ushtarake daneze- thuajse e deklaroi me zë se bombardimet ishin të qëllimshme. “Ai më pas u tërhoq dhe më tha diçka tjetër për këtë histori, duke theksuar se rrezikonte jo vetëm ta pushonin, por edhe të ndiqej penalisht”.

Holsoe thotë se ishte e qartë në atë kohë se kishte një bashkëpunim ushtarak mes forcave serbe dhe atyre kineze- dhe se ai personalisht kishte parë mjete ushtarake teksa hynin e dilnin nga ambasada kineze. Zyrtarët amerikanë i thanë NY Times se pas bombardimet, ata mësuan se ambasada ishte platforma më e rëndësishme e inteligjencës së Kinës në Europë.

Ren Baokai mbijetoi dhe më vonë u bë gjeneral. Ai nuk dha një intervistë për BBC, duke theksuar se tashmë është në pension.

Ambasadori kinez, që i shpëtoi për pak sulmit, Pan Zhanlin, mohon në një libër që ambasada ishte përdorur për ritransmetim dhe se Kina në shkëmbim kishte marrë pjesë nga avionët luftarakë amerikanë F-117 që nuk kapen nga radarët, të cilët ishin rrëzuar nga forcat serbe në fillim të fushatës.

Supozohet gjerësisht se Kina mori pjesë të avionit për të studiuar teknologjinë. Gjithashtu, spekulohet se Kina po përdoret fushatën ajrore të NATO-s për të testuar teknologjinë që pikas avionët e fshehur, që nuk dalin normalisht nëpër radarë.

Por edhe nëse të gjitha këto histori janë të vërteta, pyetja mbetet: A do të rrezikonte SHBA të bombardonte qëllimisht një ambasadë kineze?

Edhe në mesin e ish- të brendshmëve jugosllavë nuk ka konsensus. Një ish-oficer i inteligjencës ushtarake i tha BBC se besonte se bombardimi ishte i qëllimshëm dhe se shpjegimi i CIA-s ishte qesharak. Kurse një kolonel në pension tha se besonte historinë e Amerikës.

“Kur ndodh diçka e keqe, të gjithë mendojnë se duhet të ketë një arsye të fshehtë- jo një karrem, por një konspiracion”, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s, Jamie Shea. “Më duket një absurditet i plotë- ishte një gabim në leximin e hartës. Një gabim i keq”.

***

Një ditë me diell në fund të prillit, më shumë se një duzinë me buqeta ishin vendosur në një gur memoriali, por Shen Heng vendosi t’i rregullonte. Ai vjen këto rregullisht, në vendin e bombardimit të ambasadës, për të kujtuar miqtë që vdiqën. Por këto ditë ai nuk është i vetëm. Autobusë me turistë vijnë thuajse çdo ditë nga Kina për të parë memorialin dhe statujën e filozofit Konfuci, që qëndron aty pranë.

Një çift i ri kinezësh ishin në Beograd për muajin e mjaltit dhe vendosën të vizitojnë memorialin. Ata kanë thuajse atë moshë që kishin Xu dhe Zhu kur u vranë në vitin 1999. “Tre bashkatdhetarë tanë vdiqën këtu. E dinim këtë që kur ishim fëmijë, ndaj erdhëm të shohim”.

Yang, një guidë e turistëve kinezë, thotë se ndalesa tek ambasada është e detyrueshme. “Ambasada jonë u shkatërrua nga amerikanët. Çdo kinez e di këtë”.

Në vitin 1999, Kin nuk ishte gjiganti ekonomik, ushtarak dhe teknologjik që shohim sot. Në atë kohë ishte fokusuar te pasurimi dhe politika e jashtme nuk ishte shumë vizibël. Por 20 vjet më vonë, vendi e di se janë në garë me Amerikën dhe ambiciet e tyre në mbarë botën e reflektojnë këtë.

Ambasada e Beogrdit tani do kthehet në një qendër kulturore kineze dhe do jetë një nga më të mëdhatë në Europë. Simbolizmi bie qartë në sy: Një vend i poshtërimit dhe tragjedisë kombëtare do të rilindë si një godinë me shkëlqim në historinë e lavdishme të Kinës.

Është një shenjë se Kina nuk ka në plan të harrojë bombardimin, që e lejon atë të vizatojë SHBA-në si një fuqi imperialiste që kërkon të dëmtojë Kinën. Diplomatët që kanë shërbyer në Pekin thonë se incidenti trajtohet rregullisht në biseda.

Por edhe ata që bënin thirrje për hakmarrje të menjëhershme në vitin 1999, tani e kuptojnë se ishte me fat që reagimi i Kinës nuk doli jashtë kontrollit: asnjë amerikan nuk u vra gjatë protestave dhe marrëveshja e kompensimit lejoi Pekinin të heqë një vijë- qoftë edhe të hollë- poshtë incidentit.

“Ne ishim vendi me zhvillimin më të shpejtë në botë, çdo vit ekonomia jonë rritej me dy shifra. Nëse kjo do ndalonte për shkak të luftës, ne do humbitnim shumë”, thotë Shen, kur një grup turistësh ndalojnë në memorial.

“Nga natyra jam radikal, jam gjithmonë më shumë për luftë, sesa për bisedime. Por kur kthehem pas, e kuptoj që kanë bërë një gjë të mirë, pasi tani mund të ulemi si të barabartë me amerikanët”.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas