Aktori i mirënjohur Fuat Boçi është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.
Ai ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij në qytetin e Fierit dhe është përcjellë në banesën e fundit sot në mesditë.
Ai do të mbahet mend për shumë role mes të cilave mund të përmendim: Lipe Shtogun e Belul Gjeraqina. Për rolet e spikatura dhe punën e tij, Fuat Boçi është nderuar me titujt “Artist i Merituar” dhe “Qytetar Nderi” i qytetit të Fierit.
Fuat Boçi lindi në Voshtinë (Pogoniani) të Greqisë më 4 mars. 1931. Me 1938, familja e tij u shpërngul në Fier, Shqipëri. Mbeti jetim që në moshën 15 vjeçare.
Punoi fillimisht si portier dhe më pas kinomekanik në kinemanë e qytetit. Spikati për talentin e tij si aktor komik dhe si këngëtar në vitet e ushtrisë (1951-1953). Pasi kreu shërbimin ushtarak punoi si drejtues i qendrës së zërit (e quajtur ndryshe Radio-Lokale). Këtu iu dhanë edhe shanset për t’u aktivizuar në shfaqje të ndryshme teatrore.
Është aktor themelues i Estradës së Fierit, më 1957. Në vitin 1965, vijoi studimet në liceun artistik “Jordan Misja”, pa shkëputje nga puna.
Boçi dhe pse në moshë të thyer nuk i humbi humori dhe kontakti me njerëzit.
Fuat Boçi mbetet një nga emblemat e qytetit të Fierit, dhe jo vetëm në fushën e skenës artit dhe kulturës! Ai ka mbetur tashmë në historinë e humorit shqiptar.
Ai kishte dy vajza, Teuta dhe Diana të cilat banojnë në Fier, ndërsa bashkëshortja ishte ndarë nga jeta vite më parë.