Bashkëshorti i këngëtares së madhe Vaçe Zela, Pjetër Rodiqi është ndarë sot nga jeta. Lajmi është bërë i ditur nga vajza e tyre Irma Rodiqi, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”. Ajo e ka përshkruar të atin si një njeri fisnik dhe me virtyte të rralla, ku kryesonte dashuria e pastër për atdheun.
“Me pikëllim të thellë, sot kam barrën e rëndë t’ju njoftoj për largimin nga kjo jetë të babait tim të shtrenjtë, Pjetër Rodiqi. Zoti e dinte dashurinë e tij të pafund për atdheun e dashur, prandaj edhe ia mundësoi ta kalojë këtë sëmundje të rëndë në Shqipërinë e tij të shtrenjtë, që nuk ia zevëndësuan dot kurrë as bukuritë e Vjenës, ku pat lindur, e as të Bazelit, ku për hir të dashurisë e përkushtimit ndaj familjes kaloi 21 vite të jetës së tij.
Unë e quaj veten vajzën më me fat në botë, që pata e do të kem gjithmonë në zemrën e në shpirtin tim një baba fisnik e me virtyte të rralla si ai. Me dashuri e mirënjohje të pafund për gjithçka që babai im i shtrenjtë përfaqëson për mua e për këdo që ka patur fatin ta njohë”-ka shkruar Irma Rodiqi krahas një fotos së publikuar, ku shihen në një qiell të kaltër re në formë zemre.
Risjellim në vëmendje se Vaçe Zela ndërroi jetë pesë vite më parë në Bazel të Zvicrës, ku ishte zhvendosur me familjen për t’u kuruar gjithashtu nga një sëmundje e rëndë.