Aktualitet

Ndalimi i fluturimeve – Kontrollorët në grevë, Rama e quan grusht shteti dhe reagon me ushtri














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:05 - 08/04/21 |
Armand Maho

Kontrollorët e trafikut ajror në Rinas kanë shpallur dje grevën e paralajmëruar duke futur Rinasin në paralizë me ndalimin e fluturimeve. Rama e quan grusht shteti të frymëzuar nga Meta dhe Berisha dhe reagon me ushtri. Kontrollorët kërkojnë pagën që kishin para pandemisë, Balluku i kërcënon me prokurori dhe i quan vegla politike. Meta: Balluku për 10 muaj nuk gjeti kohë për kontrollorët, por koncesionet nuk vonon t’i firmosë





Nga Armand Maho


Konflikti mes punonjësve të Albcontrol dhe Ministrisë së Infrastrukturës kulmoi dje kur 68 operatorët e kullës, ndërprenë punën në shenjë proteste pas shkarkimit që iu bë pesë prej punonjësve që deklaruan paaftësinë në punë. Greva ishte paralajmëruar një ditë më parë. Kërkesat e operatorëve kanë qenë kryesisht ekonomike, pasi që prej fillimit të pandemisë pagat e tyre janë reduktuar nga ana e qeverisë deri në 70%. Përgjigjja e qeverisë për dhjetë muaj me radhë ka qenë heshtja, ndërsa dje nuk ngurroi të dërgonte në aeroportin e Rinasit policinë dhe ushtrinë që u vendosën në zyrat e Albcontrol dhe te kulla operacionale e drejtimit të avionëve. Brenda tyre ishin operatorët të cilët refuzonin të kryenin detyrën, në kushtet e paaftësisë për punë, një veprim që sipas avokatit Rezart Kthupi e kanë si detyrim në Kodin e Punës. Pra, kur deklarojnë paaftësi, ata s’mund të ushtrojnë detyrën e kontrollorit të trafikut ajror.




Pagat
Siç tha dhe ministrja Belinda Balluku në një dalje për mediat, kontrollorët e trafikut ajror, por dhe e gjithë administrata e Albcontrol, paguhen nga tarifat e trafikut ajror të kompanive që operojnë me aeroportin e Rinasit. Megjithëse në këtë kompani është pronar shteti, ajo operon me të ardhurat e veta. Zonja Balluku tha se trafiku ajror ka rënë me rreth 57 % dhe për këtë arsye, ka ardhur dhe reduktimi i pagave. Por një letër e Presidentit të Unionit të Kontrollorëve të Trafikut Ajror Europian “ATCEUC”, Volker Dick, dërguar jo vetëm zonjës Balluku por edhe vetë Kryeministrit flet për të kundërtën. Sipas tij, Shqipëria realizon në një javë 67 % të trafikut ajror të para pandemisë, dhe është një nga vendet më optimiste evropiane në këtë drejtim. Kjo do të thotë, se humbjet janë në masën 33% dhe jo në masën 57% siç deklaron Ministria. “Ne jemi informuar se trafiku ajror në Shqipëri është rritur ndjeshëm në muajt e fundit, aktualisht mesatarja lëvizëse javore është afërsisht 67% e para Covid trafiku i mbërritjes / nisjes. Albcontrol duket se është gati të jetë një nga ANSP-të kryesore në Evropë dhe jo vetëm që do të përmbushë, por do të tejkalojë parashikimet më optimiste të Eurocontrol në lidhje me numrat e trafikut. Përkundër kësaj situate, Albcontrol duket se është i vetmi ANSP në Evropë që ka ulur pagat dhe përfitimet në mënyrë të njëanshme, pa caktuar një datë për të kur do të restaurohen”, thuhet në letrën që gazeta MAPO e disponon të plotë.


Trajtimi politik
Përgjigjja që do vinte nga qeveria do e fuste çështjen në hullinë e politikës. Fillimisht do ishte ministrja Balluku që do akuzonte kontrollorët për grusht shteti. Një akuzë që rëndom përdoret kur tentohet ndërrimi me dhunë i qeverisë, por në rastin e kontrollorëve duket si një akuzë e pavend. Sipas saj aeroporti është marrë peng nga një çetë militantësh të opozitës. Menjëherë pas Ballukut, kërcënimi do vinte dhe nga kryeministri Rama, që për këtë çështje akuzoi ish-kryeministrin Berisha dhe Presidentin Ilir Meta. Të parin për një status në rrjetin social Facebook, ku paralajmëronte grevën e punëtorëve të Albcontrol, dhe të dytin, pra Presidentin se në 31 mars 2021, priti një përfaqësi të tyre në selinë e tij. “Berisha ka dalë hapur prej ditësh duke e nxitur këtë gjë. Meta ka hedhur një gur leshko pasi ka fshehur dorën e ka lënë të kuptohet pa dashje se është pjesë. Çdo shqiptar e kupton sigurisht se si Ilir Meta dhe Berisha janë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë akt”, u shpreh kryeministri me anë të një reagimi në rrjetet sociale. Më tej ai shtoi se, përgjegjësit do të shkojnë për ndjekje penale, kërcënim që më parë e bëri dhe zonja Balluku në daljen e saj.


Kontrollorët
Por në këtë rast, duket se qeveria i ka duart e lidhura. Edi Rama, por dhe ministrja Balluku e cila ka qenë për disa vite drejtoreshe e Albcontrol e di fare mirë se numri i operatorëve është tejet i kufizuar. Shqipëria, aq ka gjithsej 68 operatorë të trafikut ajror dhe në rregulloren botërore, ata e kanë ndaluar të importojnë çdo lloj stresi familjar apo administrativ në vendin e punës. Janë si të thuash pilotët e tokës, që orientojnë uljen apo ngritjen e avionëve. Trajnimi i tyre është tejet i kushtueshëm dhe shkon deri në 500-600 mijë euro dhe zgjat me vite. Shkarkimi i cili sjell pamjaftueshmëri të numrit të kontrollorëve në aeroport mund të shoqërohet me sanksione nga Eurocontrol. Kontrollorët kanë deklaruar se do e vazhdojnë grevën deri ditën e sotme në orën 10 megjithëse kjo është ende e paqartë. Kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një statusi në Twitter, iu bëri thirrje kontrollorëve të Aeroportit të Rinasit, që të ndahen nga ata që i futën në lojën e çmendur me zjarrin. “Apel për kontrollorët e Rinasit: Ndahuni nga ata që ju futën në këtë lojë të çmendur me zjarrin! Braktisini në rrugën e tyre qorre organizatorët e kallëzuar penalisht! Kush nuk kthehet në punë nesër, nuk do gjejë më vend në Albcontrol. Koha e Rrumpallës ka vdekur dhe nuk kthehet!”

Ministrja Balluku kërcënon me ndjekje penale kontrollorët
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi pasditen e djeshme në një intervistë se disa kontrollorë ajrorë që sipas saj janë të lidhur me fushatën, janë denoncuar në Prokurori. Balluku i mëshon versionit se pas grevës së kontrollorëve ajrorë në aeroportin e Rinasit, qëndron politika. Ministrja ripërsëriti se kontrollorët edhe në kohë pandemie, pavarësisht reduktimit në 70% të pagës, marrin pagë mbi 2 mijë dollarë. Duhet theksuar se sipas të dhënave, vetë ministrja Balluku kur drejtonte këtë institucion paguhej 6.5 milionë lekë të vjetra. “Kjo është një grevë e jashtëligjshme pasi pamundësia për të punuar nuk u ndodh të gjithëve në të njëjtën orë, janë munduar të mos shkelin ligjin, por ai është shkelur me të dyja këmbët. Dhe kjo është patjetër politike, pasi kemi dëgjuar që mbrëmë në darkë mallkimet dhe sharjet e Berishës se si duhet të paguheshin njerëzit dhe pse duhej të mbyllej Rinasi, “ju keni bërë tendera dhe nuk keni dhënë rrogat”. Ne i kemi dërguar në Prokurori, janë njerëz që janë të lidhur në këtë moment me politikën dhe po ndikojnë në jetën e të gjithë shqiptarëve” , – tha Balluku.

Kontrollorët ajrorë të cilët ndodhen në grevë dhe kanë bllokuar fluturimet ajrore në aeroportin e Rinasit, janë prononcuar për mediat si dhe i janë përgjigjur kryeministrit Edi Rama. Përfaqësuesi i tyre, avokati Rezart Kthupi, deklaroi se ata nuk e kanë braktisur detyrën. Kontrollorët ajrorë, sipas Kthupit, ndodhen momentalisht në vendin e punës veçse nuk ushtrojnë detyrën. Ai theksoi se çështja e ngritur nuk ka të bëjë me përfshirjen në debat politik, por me uljen e pagës së kontrollorëve dhe ndryshimin e nevojshëm të procedurave operacionale. “Nuk jemi në kushtet e braktisjes së punës, kontrollorët vijojnë të shkojnë në vendin e punës por nuk ushtrojnë detyrën. Braktisja e vendit të punës është mos shkuarja në punë pa asnjë arsye. Kjo nuk është një çështje politike, nuk kemi asnjë lloj interesi të përfshihemi në politikë”, – tha avokati Kthupi. Kërcënimeve të Ramës, se kontrollorët ajrorë duhet të ushtrojnë një orë e më parë detyrën në të kundërt do të përgjigjen para ligjit, avokati iu përgjigj duke thënë se: Qëndrimi i punonjësve është konform ligjit dhe kësisoj nuk ka hapësirë ligjore për ndjekje penale. “T’i shtosh stresin kontrollorëve, do t’i thotë t’i shtosh stresin pilotit që ka në avion qindra pasagjerë”, – vijoi avokat Kthupi teksa komentoi reagimin e kryeministrit si të pabazë, nxitës gjithashtu të reagimit të ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Greva e Albcontrol – Meta nxit dialogun mes palëve
Teksa ndodhej në një vizitë në qytetin bregdetar të Vlorës, presidenti Ilir Meta i ktheu përgjigje akuzave të kryeministrit Edi Rama i cili deklaroi se presidenti bashkë me ish-kryeministrin Sali Berisha janë nxitës të grevës së kontrollorëve në Aeroportin e Rinasit që kanë bllokuar fluturimet në qiellin shqiptar. Meta tha se kryeministri në detyrë duhet t’i thërrasë mendjes pasi nuk jemi në Amerikën Latine ndërsa e ftoi atë, ministren Balluku dhe sindikatën e kontrollorëve në dialog për zgjidhjen e këtij ngërçi, që siç theksoi ai, veç të tjerash pengon stërvitjen si vend anëtar i NATO-s. Presidenti tha se i është drejtuar me një shkresë atyre për zgjidhjen e situatës por nuk ka parë asnjë hap për dialog, duke theksuar se në shenjë presioni disa prej punonjësve janë pushuar nga puna. Meta gjithashtu theksoi se pas takimit të zhvilluar pak ditë më parë, iu ka kërkuar kontrollorëve të kthehen në punë. Ai i drejtoi dy pyetje ministres Balluku në lidhje me faktin që prej 10 muajsh nuk ka gjetur kohë për të biseduar me kontrollorët dhe lidhur me koncesionin për Aeroportin e Rinasit. “Kam një pyetje për ministren që sot (dje) doli për të provokuar presidentin. Si shpjegohet që prej 10 muajsh nuk gjete kohë të takoheshe me kontrollorët që prej 20 vitesh janë të trajnuar për këtë çështje dhe si shpjegohet që ato letrat për koncesionin e Rinasit u bënë për një ditë kur duheshin gjashtë muaj apo një vit. Çështja e pagave është çështje biznesi. Shpreh keqardhjen për veprimin e kontrollorëve, qoftë të atyre që janë larguar nga puna por në radhë të parë dua t’i bëj thirrje kryeministrit në detyrë t’i thërrasë mendjes se nuk mund të bëjë lojëra të tilla. Nuk jemi në Amerikën Latine këtu. Unë nuk e humbas durimin dhe nuk shqetësohem nga provokimet që kanë vetëm një problem, dramën e zgjedhjeve pluraliste që do bëhen dhe nuk e luan topi. E ftoj kryeministrin, ministren dhe sindikatën në dialog”, u shpreh Meta.

BIRN: Nuk u ankua për pagat e larta në 6 vite, Albcontrol në krizë nga Balluku
Greva e pashpallur e punonjësve të kompanisë Albcontrol vuri në dukje vështirësitë ekonomike të një kompanie nën pronësi publike, e cila është në pozicion monopol në treg, ofron një shërbim të domosdoshëm dhe megjithatë, prej vitesh rezulton me humbje. Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se kompania ishte detyruar të ulte pagat e punonjësve për shkak se të ardhurat e kompanisë kanë rënë si pasojë e pandemisë. Ajo e shpalli grevën “një grusht shteti”, ndërsa i deklaroi rrogat e punonjësve të kompanisë [4,400 dollarë në muaj] si shumë të larta. Balluku ka qenë drejtoreshë e kësaj kompanie që nga dita kur socialistët erdhën në pushtet në vitin 2013 dhe deri në ditën kur ajo u bë ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në janar 2019. Ajo nuk ka ngritur ndonjë pretendim për pagat e larta në kohën që drejtoi Albcontrol. Të dhënat e Albcontrol të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit sugjerojnë se kompania është përdorur nga të gjitha partitë politike në pushtet, si një vend në bordin e së cilës mund të vendosësh njerëz pa ndonjë lidhje të dukshme me trafikun ajror.

Të dhënat financiare të kompanisë tregojnë gjithashtu se kriza financiare nuk është si pasojë e vetëm pandemisë, por është më e vjetër. Këto të dhëna tregojnë gjithashtu se shpenzimet e kompanisë për paga dhe trajtime të tjera për punonjësit nuk kanë ndryshuar gjatë viteve, të ardhurat kanë qenë në rritje, ndërsa humbjet janë krijuar nga rritja e shpenzimeve në një zë enigmatik të quajtur “shpenzime të tjera”. Albcontrol është kompania me numër identifikimi J61908011H dhe që ofron shërbimin e menaxhimit të trafikut ajror. Shqipëria është në një pozicion ku shumë avionë kalojnë tranzit dhe secili prej tyre paguan një tarifë për sistemin e radarëve dhe të kontrollorëve që koordinojnë lëvizjet e tyre për të shmangur përplasjet. Të ardhurat e kompanisë ishin 3.6 miliardë lekë (afro 29 milionë euro) në vitin 2019, viti i fundit kur bilanci është i disponueshëm për publikun. Të ardhurat janë rritur gradualisht; p.sh., në vitin 2014 ato ishin 3.2 miliardë lekë. Afro 1/3 e të ardhurave të kompanisë ose 1.3 miliardë lekë shkojnë për “shpenzime personeli”. Kompania realizoi fitime neto në masën 208 milionë lekë në vitin 2014 (rreth 1.7 milionë euro me kursin e sotëm), ndërsa në vitin 2017, fitimet e saj ranë në 48 milionë lekë (392 mijë euro).

Në vitin 2018, kompania humbi afro 1 milion euro, ndërsa në vitin 2019 humbjet u rritën në 2.3 milionë euro. Të ardhurat e kompanisë raportohet se janë goditur rëndë nga anulimi i mbi gjysmës së fluturimeve ajrore në Shqipëri dhe në botë, për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. Por telashet financiare të kompanisë kanë filluar së paku që nga viti 2018. Siç ndodh zakonisht në bordet e ndërmarrjeve nën pronësi publike, funksionarë të ndryshëm politikë janë ulur në këto borde, ndërkohë që lidhja dhe aftësia e tyre në çështje të menaxhimit të një kompanie kaq specifike nuk janë shumë të qarta. Të dhënat e publikuara në QKB tregojnë se Spartak Braho, ish-deputet i LSI dhe më pas socialist, ka qenë anëtar bordi në këtë kompani në kohën kur LSI ishte në aleancë me PD. Besart Kadia, i cili u bë zëvendësministër financash nga Rama, u bë edhe anëtar bordi i kompanisë më 25 nëntor 2020. Genci Gjonçaj, sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe gjithashtu ish-përfaqësues i Partisë Socialiste në KQZ, është anëtar bordi që nga viti 2017. Anëtare bordi janë edhe Albana Koçiu (drejtoreshë e DAP) apo Mirlinda Karçanaj, drejtoreshë e AKSHI.

Unioni Europian: Çështjet nuk zgjidhen me qasje totalitare
Unioni Europian i Kontrollorëve të trafikut Ajror ka reaguar pas grevës së nisur nga Albcontrol që ka sjellë dhe pezullimin e të gjithë fluturimeve. Në reagim, ATCEUC bën thirrje për ndalimin e sulmeve mbi kontrollorët e trafikut ajror dhe apelon për zgjidhje me dialog, jo me qasje totalitare. Ndër të tjera në kërkesën e unionit Evropian të Kontrollorëve përveç rastit të Shqipërisë kanë dhe thirrje për Poloninë ku është e njëjta situatë. “Në Shqipëri, pesë kontrollues të trafikut ajror (ATCO) janë pushuar nga puna sepse, për shkak të stresit të rëndë me të cilin kanë jetuar gjatë vitit të kaluar, përkeqësuar nga ulja e njëanshme e pagave deri në 70%, shkarkimi i tyre ndodhi pasi ata deklaruan paaftësi të përkohshme për shkak të këtyre streseve në përputhje me skemën e kompetencës së ATCO-s shqiptare.

Pasi të pestë u pushuan nga puna, ATCO-të shqiptare u mblodhën për të diskutuar sjelljen e ANSP-së shqiptare me ministrin e tyre, por ndërhyrja e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dështoi të japë ndonjë rezultat”. “ATCEUC dënon injorancën absolute të PANSA dhe Albcontrol Management në lidhje me bazat e një Dialogu të Shëndetshëm Social. Të dy i vendosin punonjësit e tyre nën një stres të jashtëzakonshëm shtesë që dëmton sigurinë e operacioneve të tyre. Për temat e sigurisë, është e natyrshme të kesh mendime të ndryshme brenda sektorit evropian të ATM-ve. Problemet mund të zgjidhen vetëm përmes një dialogu real dhe kuptimplotë dhe kurrë përmes qasjeve totalitare. ATCEUC nxit PANSA dhe Albcontrol të rivendosin menjëherë ATCO-të që ata pushuan dhe fton si Qeverinë dhe Autoritetet Kombëtare Polake dhe atë Shqiptare për të vlerësuar plotësisht praktikat e Dialogut Social të ekipit aktual të Menaxhimit të ANSP. Do të ishte e mençur të mos nënvlerësohej solidariteti midis Kontrolluesve Evropian të Trafikut Ajror kur dëshmojmë një manifestim kaq të qartë të abuzimit të pushtetit me të cilin po përballen kolegët tanë nga Polonia dhe Shqipëria!”, thuhet në reagim e ATCEUC.

1


Etiketa:

Share
Mbyll
CLOSE
CLOSE
Pas