Aktualitet

Ndarja nga jeta e Besim Zekthit, mesazhet e Metës, Ramës e Bashës





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:38 - 28/06/20 |
mapo.al

Mjeshtri i Madh, Besim Zekthi ka ndërruar jetë. Politikanë, artistë dhe shumë qytetarë e kujtojnë Zekthin si një ndër valltarët më të mirë në Shqipëri.


Presidenti Meta e quan kryeshqiponjë, kryeministri Rama si kërcimtarin legjendar, ndërsa Basha e cilëson me fjalët: Shqipja që na dha krahë


Statusi i Presidentit Meta:


LAMTUMIRË KRYESHQIPONJA E VALLES SË SHQIPEVE, BESIM ZEKTHI! 🦅 🇦🇱
Ndarja nga jeta e emblemës dhe solistit të pakrahasueshëm të Ansamblit të Këngëve e Valleve Popullore, Mjeshtrit të Madh dhe Nderit të Kombit, Besim Zekthi është thellësisht trishtuese


Falë talentit të spikatur dhe interpretimit të lartë e virtuoz si askush tjetër, ai i dha valles shqiptare, pjesë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore shqiptare, të gjithë shkëlqimin e merituar, duke u duartrokitur dhe vlerësuar nga shumë gjenerata.
Arti shqiptar humbi sot një prej personaliteteve më të shquara, që me krijimtarinë e tij koreografike, e bëri edhe më të famshëm identitetin dhe kulturën kombëtare në mbarë botën.
Edhe në periudhën më të errët të izolimit të vendit, virtuoziteti i Besim Zekthit dhe i artistëve si ai, arriti të lartësonte kulturën e popullit shqiptar dhe identitetit tonë europian edhe në skenat më prestigjoze botërore, ku mori të gjithë vlerësimin e merituar.
Falë emocioneve të papërshkruara në interpretimin e valleve ai rriti krenarinë, optimizmin dhe vetëbesimin e kombit tonë për ditë më të mira, mbështetur fort në rrënjët e traditave dhe vlerave më të mira kulturore e artistike të trashëguara brez pas brezi.
Përjetësisht krenarë e mirënjohës për kontributin e Besim Zekthit për promovimin denjësisht të pasurisë sonë kulturore kombëtare, duke i përçuar vlerat e saj tek brezat e artistëve të rinj dhe duke u shndërruar në një shembull të përjetshëm frymëzimi.
Ngushëllimet më të përzemërta familjes Zekthi, të afërmve, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve.
Vepra dhe kujtimi i Tij do të mbeten të paharruara!

Postimi i Ramës:

LAMTUMIRË KËRCIMTARIT LEGJENDAR, BESIM ZEKTHI 💔

Mesazhi i Bashës:

Mësova me hidhërim ndarjen nga jeta të Besim Zekthit, artistit legjendë, mjeshtrit të madh që e ngriti në majat më të larta interpretimin e valles shqiptare.

Me një kontribut të jashtëzakonshëm për mbi gjysëm shekulli në Ansamblin shtetëror të Këngëve dhe Valleve, Besim Zekthi ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të kulturës shqiptare në çdo skenë prestigjioze të botës. Ai u njëhsua në memorien kolektive me shqipen që fluturon e lirë,

Besim Zekthi ishte shqipja që na dha krahë, dhe kjo simbolikë e ushqente secilin prej nesh me shpresën se ditë më të mira do të vinin për kombin tonë. Bashkëpunimet e jashtëzakonshme të Besim Zekthit me Panajot Kanaçin, Rexhep Çelikun, Lili Cingun, apo edhe me rapsodin e papërsëritshëm Dervish Shaqën i dhanë publikut shqiptar valle të papërsëritshme si “Kreshnikët e Lirisë”, “Dasma e Rugovës”, “Komitët e Lirisë”, etj.

Artistë si Besim Zekthi janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë në botë, ata janë burim krenarie dhe frymëzimi, prandaj edhe ruajtja e trashëgimisë së tyre profesionale është detyrim për brezat e rinj që e lëvrojnë vallen, këngën dhe artin tonë burimor.

Largimi prej nesh i Besim Zekthit është një dhimbje e pangushëllueshme për familjen dhe një moment trishtimi për të gjithë artdashësit. I gjendem pranë me mendimet dhe lutjet e mija familjarëve dhe miqve të tij në këtë moment të rëndë. U prehtë në paqe!


Etiketa: , , , ,

Pas