Një punonjës policie që ka ndërhyrë për të ndarë një sherr mes një grupi të rinjsh në një fshat të Gjirokastrës është plagosur, pas goditjes me mjete të forta nga palët e përfshirë në grindje. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në Kërcullë, ku një grup të rinjsh u përplasën me njëri-tjetrin pasi kishin konsumuar pije alkoolike. “Si pasojë është plagosur me mjete të forta punonjësi i policisë L.A., 25 vjeç, i cili ka ndërhyrë për të qetësuar të rinjtë”, njoftoi policia. Burimet bëjnë të ditur se 25-vjeçari ka marrë plagë në kokë dhe trup, por është jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, sipas policisë, gjatë sherrit është vetëplagosur me armë zjarri edhe shtetasi Olsjam Cama, 22 vjeç. Mësohet se edhe ky kishte ndërhyrë për të ndarë sherrin. Policia ka ndaluar një nga personat e përfshirë në sherr, shtetasin Florian Kore, ndërsa ka shpallur në kërkim shtetasin Ervin Içi.