Kitaristi dhe tekstshkruesi i grupit të njohur të rrokut, “The Cars”, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare. Ric Ocasek u gjet pa ndjenja në shtëpinë e tij në Manhattan rreth orës 16:00, nga ish-bashkëshortja e tij, ish-modelja Paulina Porizkova. Mediat e huaja shkruajnë se shkaku i vdekjes ende nuk është bërë i ditur.
Risjellim në vëmendje se “The Cars” u themelua në vitin 1976 dhe u cilësua shumë shpejt si një ndër më të rëndësishmit të rrymës së rrokut “New Wave”. Grupi, i cili u nda në vitin 1988 për t’u ribashkuar sërish në vitin 2010, mbahet mend për hitet si “My Best Friend’s Girl”, “Just What I Needed”, “Shake It Up” dhe “Drive”.