Halil Minxolli, një nga figurat më të spikatura të artit të cirkut në Shqipëri ka ndërruar jetë në moshën 72-vjeçare. Përcjellja për në banesën e fundit bëhet më dt. 08.07.2018 në orën 11.00 në Varrezat e Sharrës.
Halil Myfit Minxolli ka lindur në Peshkopi, më 18.01.1946.
Në moshën 9-vjeçare, u aktivizua me rrethin e Zhonglerëve, në ish Pallatin e Pionierëve në Tiranë.
Në vitin 1962 angazhohet si amator në grupin akrobatik të Estradës së Shtetit, po atë vit prezantohet për herë të parë me një “Dyshe Zhonglerimi me shishe” në duet me Sekine Ahmeti, në “Prezantohem – Skënder Sallaku”
Në vitet 1966-1969 aktivizohet me Estradën e Ushtarit.
Minxolli diplomohet në IFK ” Vojo Kushi” Tiranë.
Në vitin 1969 Halil Minxolli fillon punë si zhongler profesionist, për të punuar pa ndërprerje deri në vitin 1999, kur u largua në pension. Në këtë angazhim të gjatë artistik ka qenë pjesëmarrës në të gjitha premierat e realizuara nga institucioni.
Ka ekzekutuar dhe krijuar një numër shumë të madh kombinimesh zhonglimi solo dhe me partnerë.
Artisti Minxolli ka meritë të veçantë në krijimin e numrave me përmbajtje dhe karakter kombëtar, duke bërë që arti i zhonglerimit të “flasë” shqip.
Për vite me rradhë në funksionin e Mjeshtrit ka drejtuar me profesionalizëm profilin e Zhonglerimit, duke bërë që të jetë ndër profilet më prodhues e bashkëkohorë, deri në dajlen e tij në pension.
Prej vitit 1996, si President i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Cirkut Profesionist dhe Amator, ka ndikuar në lartësimin e vlerave të cirkut Shqipëtar, ka mundësuar pjesëmarrjen e artistëve Shqipëtar në aktivitete ndërkombëtare, si dhe bashkëpunime në marrjen e instrumenteve dhe literaturës bashkëkohore për cirkun.
Pas daljes në pension vazhdoi punën e tij në përgatitjen e artistëve të rinj, si dhe të krijoj për ta numra të spikatur artistik.
Cirku Shqipëtar humbi një nga pionierët dhe kontribuesit profesionist të artit të zhonglerimit dhe familja njeriun e tyre të dashur.