Mjeku pneumolog Anibal Byberi ka ndërruar jetë në Spitalin COVID2. Mjeku ishte i shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, pasi ishte i prekur me Covid-19.
Byberi u shtrua dje me urgjencë te “Shefqet Ndroqi”, ku u shfaq në gjendje të rëndë dhe u vendos menjëherë në intubim.
Fatkeqësisht ai nuk ka mundur ta fitojë betejën me koronavirusin dhe është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme. Byberi ka punuar si mjek në Tropojë dhe ka mbajtur dhe postin e drejtorit në Spitalin e Tropojës.
Tre mjekë kanë ndërruar jetë
Shkon në tre numri i mjekëve në vendin tonë që kanë ndërruar jetë nga virusi i rrezikshëm.
I pari ishte Prof.Dr.Arjan Pushi, mjek Hematolog në QSUT, i cili pas disa ditë qëndrimi në spital në terapi intensive, humbi betejën nga koronavirusi.
Më pas ishte mjeku 69-vjeçar Hysni Shkjau me 40 vite eksperiencë në mjekësinë shqiptare, i cili nuk arriti të mposhtë virusin vdekjeprurës. Hysni Shkjau shërbente si mjek familjeje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Fushë-Arrëz të Pukës. Ai dyshohet se e mori virusin nga një prej pacientëve.
Ndërsa ndarja nga jeta e mjekut pneumolog Anibal Byberi tregon edhe njëherë tjetër se virusi vdekjeprurës nuk toleron askënd, edhe bluzat e bardha të cilët janë të destinuar ta luftojnë dhe mposhtin atë.