Ka ndërruar jetë si pasojë e koronavirusit mjeku i parë në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për mjekun shqiptar 64-vjeçar, Arifikmet Deari, nga Tetova.
Sipas një njoftimi të bërë nga Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, mjeku shqiptar ka qenë i shtruar në spitalin e Shkupit para 15 ditëve për probleme neurologjike, por kishte rezultuar edhe pozitiv me koronavirus.
“Mjeku Deari, i cili kishte vetëm edhe disa muaj deri në pension, është mjeku i parë që ka vdekur nga komplikimet e shkaktuara koronavirusi.
Shpreh keqardhjen time të thellë për familjen e tij. U bëj thirrje të gjithë punonjësve shëndetësorë që të ruhen dhe mbrohen në vendet e tyre të punës bazuar në protokollet në fuqi, por edhe jashtë institucioneve shëndetësore. U bëj thirrje edhe qytetarëve që të respektojnë masat, të mbrojnë veten e tyre, punonjësit shëndetësorë dhe të gjithë të tjerët”, shprehet Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Maqedonia e Veriut numëron 7,046 raste dhe 341 viktima nga Covid-19 .