Konferenca për shtyp e Kosovës para ndeshjes kundër Spanjës, që zhvillohet të mërkurën në orën 20:45, ka patur mjaft tension.
Menaxheri i Kombëtares, Bajram Shala, e ka detyruar gazetarin e “AS” që të përmendë emrin e Kosovës në pyetjen drejtuar trajnerit Bernard Challandes.
Sepse, trajtimi mediatik që i është bërë dardanëve nuk ka qenë i denjë. Ditë më parë, AS publikoi tabelën e grupit ku gjendet Kosova për kualifikimet për Kupën e Botës “Katar 2022”, por aty nuk figuroi emri i saj.
Më poshtë, biseda mes Bajram Shalës dhe gazetarit spanjoll:
Gazetari: Pyetje për trajnerin… a mendoni se Luis Enrique do të bëjë shumë ndryshime?
Shala: Pyetja ishte në drejtim të trajnerit të…..?
Gazetari: Trajnerit…
Shala: Trajnerit të….? Sepse nuk e kemi parë emrin e ekipit tonë kombëtar në mediat tuaja, duhet të sqarohet pyetja për trajnerin e kujt është.
Gazetari: Pyetja për trajnerin lidhur me Enriquen…
Shala: Po, por trajnerin e kujt sepse nuk e kemi parë emrin e kombëtares sonë në gazetat juaja.
Gazetari: Pyetja është për trajnerin!!!
Shala: Të cilit ekip???
Gazetari: Ahh, të Kosovës, më falni.