Cikël poetik nga Kostandin P. Kavafi
Kostandin P. Kavafi lindi në prill 29 vitin 1853 ne Egjipt dhe ndërroi jetë në 29 prill në vitin 1933 në Egjipt. Poeti grek i shquar për origjinalitetin e tij u bë një nga poetët më të rëndësishëm, jo vetëm i poezisë greke, por edhe asaj perëndimore.
Pjësën më të madhe të kohës jetoi në Aleksandri, Egjipt ku u apasionua me literaturën angleze dhe franceze aq sa edhe greqishtja e tij mori një theks britanik.
Prindërit e Kavafit i përkisnin të dy komunitetit grek të Kostandinopojës, Stamboll. Babai, me të vëllain në Angli dhe Kostandinopojë themeluan së bashku një firmë tregtare. Për të ndjekur interesat e biznesit familja vendosi të shpërngulej në Aleksandri ku edhe Kostandini lindi.
Në vitin 1870 i vdes i ati dhe dy vjet më vonë e ëma bashkë me djemtë e saj zhvendosen në Angli. Filialet e firmës së tyre të ngritura në Londër dhe Liverpul u rrënuan dhe pas shtatë viteve familja u detyrua të rikthehej në Egjipt, Aleksandri. U zhvendosen nga Egjipti në vitin 1882 kur britanikët bombarduan qytetin dhe më pas e pushtuan.
Vitet që Kavafi i ri kaloi në Angli lanë gjurmë të thella në formimin dhe individualitetin e tij. Shkroi shumë, por për arsye se ushtronte një censurë të ashpër ndaj vetes vetëm 200 nga poezitë e tij u publikuan.
Poezitë më të rëndësishme i shkroi pas moshës 40-vjeçare dhe për këtë e quante veten poet «i moshës së thyer». Duke pasur një natyrë skeptike ai mohoi dhe përqeshi vlerat tradicionale të botës kristiane, patriotizmin, heteroseksualitetin, Nuk u ndje i qetë gjatë gjithë jetës për shkak të mos konformitetit që e karakterizonte me rrethanat dhe kulturën e kohës.
Gjuha e tij është një përzierje e rafinuar dhe e stilizuar e greqishtes së quajtur Katarevuza e trashëguar nga Bizanti dhe e gjuhës së folur popullore. Stili dhe toni i saj janë të brendshme dhe realiste. Lirikat me tema të njohura historike e bënë atë shumë të njohur pas vdekjes.
Kthehu
Kthehu përsëri e më merr
Ndjesi e këndshme, kthehu e më merr
Kur të ringjallet kujtesa
e trupit dhe dëshira e vjetër sërish të derdhet në gjak,
kur buzët dhe lëkura ta kujtojnë e mishi
dhe duart të bëjnë sikur ende preken.
Kthehu sërish e më merr, natën
kur buzët të kujtojnë e mishi……..
Nga sirtari
Desha ta varja në murin e shtëpisë,
por lagështira e sirtarit e ka prishur
Nuk e vendos në kornizë këtë foto.
Duhet ta ruaja me kujdesin e duhur
Këto buzë, këtë fytyrë..
Ah për një ditë të vetme, për një orë
vetëm ta ktheja atë të shkuar…
Nuk e vendos këtë foto në një kornizë.
Më bën të vuaj kur e shoh në gjendje të tillë
Së paku të mos të ishte kaq e prishur,,,
Çfarë torture të luftosh për të mos u tradhtuar?!
Një fjalë o toni i zërit
nëse dikush të më pyeste se kush ka qënë,,,,,
Zëra
Ideale, zëra të dashur
të atyre që kanë vdekur ose si të vdekurit
për ne janë të humbur
Disa herë na flasin në ëndrra
e disa herë vibrojnë brenda nesh
e me tingullin për një çast jehona me vete sjell
poezinë e parë të jetës sonë
si një melodi që po shuhet në natën e vonë
Dashuria që dëshiroje
E pra dashuria që dëshiroje të të kisha dhënë
Dashuria që dëshiroja – ma thanë sytë e tu
të mpakur e të ndrojtur – e kishe ti për mua
u ndje e njëri-tjetrin kërkuan trupat tanë
përfshi lëkurën e gjakun,
por e fshehëm të dy të turbulluar
Qyteti
Po më thoje: «Do të shkoj në një tokë tjetër,
në tjetër det.
Në një një qytet më të mirë sesa ky
Çdo përpjekje që bëj është një dënim
Zemra ime është varrosur si një e vdekur
E sa mund ta duroj mëndja këtë zvetnim?
Ngado që kthehem, ngado që shikoj
shoh rrënojat e jetës sime
ku kam shpenzuar e djegur tërë ato vite»
Ti s’ke për të gjetur toka të reja,
nuk do të gjesh dete të rinj,
Qyteti do të të ndjekë gjithnjë.
Ke për të ecur në të njëjtat rrugë,
do të plakesh në të njëjtat lagje
do të thinjesh në të njëjtat shtëpi
do të mbarosh në këtë qytet
Mos shpreso për gjëra të tjera!
Nuk ka rrugë dhe as anije tjetër për ty
Tani që e ke shkatërruar jetën
në këtë cep te harruar
të gjithë botën e ke humbur.
Në pritje të barbarëve
Çfarë po presim të mbledhur në shesh?
– Barbarët që do të mbërrijnë mes nesh
Përse nuk po ndodh gjë në senat?
Përse senatorët s’po vendosin asgjë?
Sepse barbarët do të vijnë sot
Ç’kuptim do të kish të nxirrnin ligje senatorët?
Ligjet do t’i bëjnë sapo të mbërrijnë barbarët
Pse perandori është ngritur herët
ulur në fron me kurorë solemn
para portës kryesore të qytetit?
Sepse barbarët do të vijnë sot
perandori liderin prêt ta takojë
ka një pergamenë për t’i dhënë
plot me tituj dhe epitete të rëndë
Pse dy konsuj dhe pretorë
kanë mbërritur me të kuqet toga?
Përse mbajnë byzylykë me amestit
unaza që shkëlqejnë nga smeralde plot hir
Përse ata mbajnë cilindra kaq elegant
punuar mrekullisht në argjënd dhe ar?
Për barbarët që do të vijnë sot
për t’ua marrë barbarëve mendjen
Përse oratorët e shquar nuk po vijnë si zakonisht
të mbajnë fjalimet e tyre, të thonë ç’kanë për të thënë?
Sepse barbarët do të vijnë sot
ata mërziten nga retorika dhe fjalime
Përse gjithë ky hutim ky pështjellim
(sa serioze fytyrat e njerëzve janë bërë)
Përse rrugët dhe sheshet po zbrazen kaq shpejt
të gjithë në mendime përhumbur vërtet?
Sepse nata po bie dhe barbarët ende s’kanë ardhur
Disa nga njerëzit tanë në kufi po thonë
barbarët nuk ekzistojnë më
Po tani ç’pritet të ndodhë pa barbarë,
pa ata si do të na vejë halli?
Mure
Pa respekt, pa mëshirë, pa turp
ndërtuan mure të trashë dhe të lartë rreth meje.
Tash i ulur ndihem pa shpresë
S’mund të mendoj për tjetër gjë: ky fat më gërryen mendjen
sepse kisha shumë gjëra për të bërë jashtë
Kur ata i ndërtuan muret s’munda t’i vë re!
Asnjëherë nuk i dëgjova ndërtuesve asnjë zë
pa ndjerë ata më mbyllën nga bota përtej
Perktheu: Samir Perihana