Zor të gjendet ndonjë ushtrues i ironisë, shkrimtar apo karikaturist i famshëm, që t’i japë drejtim kësaj që ndodhi pasdite në Tiranë.
Edi Rama mbajti një leksion të gjatë e të gjërë për votën.
Ai gjeti rastin të sulmojë opozitën, ta përqeshë atë për procesin e primareve. Madje, shkoi edhe më larg kur foli për votën, për cilësinë, për standardet.
Kur dikush mendon se edhe pse rilindja dhe shefi i saj e kanë humbur me kohë e me vakt aftësinë për t’u skuqur, dhe se janë disa tema për të cilat nuk nund të flasin apo të mburren, të njohura botërisht si turpëruese për ta, ndodh paradoksi.
Edi Rama nuk ka lejuar zgjedhje në partinë e tij, edhe pse i kishte të fituara e do ishin krejt formale, por i jep mend të tjerave parti se si bëhen proceset.
Edi Rama ka frymëzuar dhe lejuar krimet elektorale më famëkeqe në historinë tonë moderne, si batërdia e Dibrës dhe e Durrësit, të njohura si dosjet 184 dhe 339, po del e tregon se si duhen organizuar zgjedhjet.
Edi Rama që ka pasur në 8 vite gangsterët dhe bandat më kriminale të vendit si shtabe zgjedhore kudo në çdo qytet të Shqipërisë, thotë se si duhet të votohet.
Edi Rama që e ka kusht nga Bashkimi Europian dhe Bundestagu gjerman, që të lejojë zgjedhje të lira e të ndëshkojë krimin elektoral, jep receta për votën.
Votoi reformën pa konsensus, ndryshoi Kushtetutën në mënyrë të njëanshme, shkeli marrëveshjen politike për zgjedhjet që po vijnë, e paprecedentë në këto 3 dekada, e sërish pa asnjë dridhje qerpiku, sot dha sugjerime për votën.
Edi Rama që mori Partinë Socialiste me drejtorinë e lejeve të ndërtimit në Bashki, flet për zgjedhjet në Partinë Demokratike.
Njeriu që solli në krye të bashkive dhe në Parlament, persona të dënuar për krime shumë të rënda, komunikon për vlerat e votës e si duhet të sillet kundërshtari.
Dhe gjithë duke trilluar.
Pa ju përmbajtur asnjë fakti.
“Mendo të kishte ndodhur kjo tek ne”, pyeste ai, ndërkohë që në PS, institucioni i votës prej kohësh është zevendësuar me zyrën e adhurimit të skenderbeut.
Ironi më të fortë se kjo zor të gjesh.
Nëse ka kurajon të japë leksione për votën, si mbahet një proces zgjedhor e të flasë si krijuesi i standardeve, përse të mos thotë se kemi Shqipërinë që duam, ekonominë që duam, taulantin që duam, shkollat që duam, maskat që duam, e kështu pa fund.