Aktualitet

Ndryshimet klimatike, protestë në Shqipëri dhe 150 vende të Botës






               Publikuar në : 14:15 - 20/09/19 |
mapo.alm

Nga Londra në Nju Jork, nga Melburni në Paris. Qindra mijëra aktivistë do të marrin pjesë në një protestë të përgjithshme globale sot, në atë që pritet të jetë aksioni më i madh i këtij lloji në historinë e planetit.


Marshimet nisën nga Melburni i Australisë ku sipas organizatorëve mbi 100 mijë persona dolën nëpër rrugë, me pankarta ku shkruhej, “Zgjohuni, klima po ndryshon”, apo premtime të thyera.



Disa aktivistë janë mbledhur edhe përpara kryeministrisë në Shqipëri. Në pamjet e siguruara nga “MAPO” shihen pankartat në duart e aktivistëve që shkruajnë: “E premtja për të ardhmen”, apo thirrje të tipit: “Ndryshoni politikat, jo klimën”.

Shqipëria i bashkohet për herë të dytë këtë vit, lëvizjes botërore #FridayForFuture #JavaperteArdhmen! Sot starton java e protestës klimatike, e cila do të vijojë deri në datë 27 Shtator 2019 dhe konsiston në zhvillimin e marshimeve dhe protestave sensibilizuese për ndërgjegjësimin e qeverive për marrjen e masave konkrete për të ruajtur dhe mbrojtur mjedisin.

 

 

 

 

Pjesëmarrësit nëpër botë, u kërkuan liderëve globalë në samitin e OKB të ndërmarrin për klimën masa urgjente për të ndalur një katastrofë mjedisore.

Protesta të ngjashme të frymëzuara nga aktivistja 16-vjeçare suedeze Greta Thunberg e të organizuara nga studentët, janë planifikuar në 150 vende gjatë së premtes. Qëllimi është që qytetarët rreth botës të flasin në një zë për parandalimin e efekteve të ndryshimeve klimatike në planet.

Pjesëmarrës nuk do të jenë vetëm të rinjtë, por edhe grupe humanitare, organizata në mbrojtje të ambientit,  punonjës dhe gjithashtu disa prej kompanive më të mëdha në botë.

Greva do të kulmojë në Nju Jork kur Thunberg, e kandiduar për çmimin Nobel të paqes, do të kryesojë manifestimin pranë selisë së OKB.

Aktivistja suedeze, Greta Thunberg, e cila ka frymëzuar studentë nga e gjithë bota për të vepruar kundër ndryshimeve klimatike, çoi misionin e saj në derën e Presidentit amerikan, Donald Trump. Asaj iu bashkuan qindra persona, kryesisht të rinj, me pankarta dhe thirrje për veprim kundër ndryshimeve klimatike.

“Jam shumë mirënjohëse për të gjithë ju. Ndjej krenari që keni ardhur këtu”, tha Thunberg.

Protesta ishte eventi i parë i nivelit të lartë në vizitën 6-ditore të Thunberg në Uashington. Aktivistja ka për qëllim të vendosë nën presion administratën Trump përpara samitit të Kombeve të Bashkuara për klimën, ku liderëve botërorë do t’u kërkohet të bëjnë më shumë për të zbutur ngrohjen globale.

Shembulli i saj është ndjekur nga dy milionë nxënës në 135 shtete të ndryshme, të cilët kanë zhvilluar greva në mbështetje të kauzës globale.


Etiketa: , , , , ,

Pas