Aktualitet

Ndryshimet në Kod/ Thirrja e Bundestagut: Kthehuni urgjent në Këshillin politik dhe prisni ODIHR-in








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:10 - 30/09/20 |
mapo.al

Numri dy i CDU/CSU David Whadephul ka bërë thirrje që politika t’iu rikthehet urgjentisht diskutimeve në Këshillin Politik, dhe për rezultatet të priten mendimet e ODIHR. Vetëm atëherë, reforma zgjedhore do njihet si parakusht i përmbushur nga parlamenti gjerman. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe reporteri për Shqipërinë në PE David Lega


Nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul, tha dje se ndryshimet në Kodin Zgjedhor do njihen si parakusht nga Bundestagu, vetëm pas marrjes së miratimit nga ana e ODIHR. Rekomandimi i grupit parlamentar më të madh në Bundestag është rikthimi urgjent në Këshillin Politik. Këto komente zoti Wadephul i bëri për median gjermane Dojçe Vele pas një takimi që pati me ministrin e Punëve të Jashtme Gent Caka në Berlin. Kujtojmë se dhjetë ditë më parë Wadephul, ishte një nga zyrtarët që sipas Dojçe Veles, nuk pranoi të takonte Kryeministrin Rama gjatë një vizite informale në Berlin.


“Ne e mirëpresim konsensusin e 5 qershorit. Ne pyesim, megjithatë, nëse ishte e mençur të vinte në diskutim këtë konsensus përsëri përmes ndryshimit kushtetues të njëanshëm të 30 korrikut. Prandaj rekomandimi ynë urgjent: kthimi te konsensusi në Këshillin Politik. Dhe i jepni ODIHR mundësinë për të vlerësuar ndryshimet e propozuara në Këshillin Politik. Vetëm kur ODIHR të thotë që reforma zgjedhore përputhet plotësisht me rekomandimet e OSBE/ODIHR, do të jetë më e lehtë për ne të themi se parakushti për reformën zgjedhore është përmbushur”, thotë numri dy i CDU/CSU.


Por duket se në të njëjtën linjë me Bundestagun është dhe Parlamenti Evropian. Reporteri për Shqipërinë atje, David Lega, me anë të një statusi në rrjetet sociale i ka bërë thirrje mazhorancës të përmbahet nga çdo ndryshim i njëanshëm dhe t’i qëndrojë marrëveshjes së 5 qershorit. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një parakusht themelor për integrimin në BE. Reforma zgjedhore e 5 qershorit u miratua në mënyrë konsensuale dhe u mbështet ndërkombëtarisht dhe duhej të zbatohej siç ishte rënë dakord. Nxisim autoritetet të përmbahen nga çdo ndryshim i njëanshëm dhe të respektojnë marrëveshjen konsensuale siç është zotuar”, shkruan Lega në Twitter.


Marrëveshja


Ndryshimet në Kodin Zgjedhor vijnë në një moment delikat, sidomos për sa i përket çështjes së integrimit. Në dhjetor, Gjermania, e cila ka dhe Presidencën e radhës së BE pritet të mbajë mbledhjen ndërqeveritare ku do të diskutohet hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Por në një kohë kur Maqedonisë së Veriut i mbetet si çështje e pazgjidhur vetëm një mosmarrëveshje me Bullgarinë në lidhje me komunitetet, Shqipërisë i rëndojnë rreth 15 kushte, për të cilat deri më tani nuk është bërë thuajse asgjë. Megjithatë Shqipërisë iu la një shteg në marsin e këtij viti, ku u hodh ideja e hapjes së negociatave të kushtëzuara.

Pra, në rast se nuk plotësohej një nga kushtet, Shqipërisë mund t’i ndërpritej menjëherë procesi. Në situatën e re Rama duhej të plotësonte vetëm një kusht, reformën zgjedhore. Gjermania, që mban dhe presidencën e BE-së prej qershorit, e shikonte këtë si hap të parë të vullnetit që zgjedhjet e ardhshme nuk do kishin më problemet e evidentuara. Por kryeministri Rama njihet si shkelës recidivist i marrëveshjeve. Në pesë qershor të këtij viti, pasi mori dhe konsensusin e opozitës, u firmos marrëveshja që ndryshonte disa pika të Kodit Zgjedhor, pa prekur sistemin zgjedhor proporcional rajonal, që parashikonte dhe koalicionet parazgjedhore.

Me llogaritë që s’i dilnin kurrkund, ai së bashku me deputetët zëvendësues të listave, hodhi idenë e ndryshimeve kushtetuese dhe prekjes sërish të Kodit Zgjedhor. Ky do ishte dhe momenti që mazhoranca aktuale do vihej para dyshimeve dhe paralajmërimeve serioze, se me këtë sjellje Shqipëria do e humbiste dhe një herë shansin për hapjen e negociatave.

Tërheqja e Ramës

Sot jemi në një situatë, ku Shqipëria shpreson të mos ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit. Nëse ndodh diçka e tillë, atëherë ajo do të harrohet në kalendat e burokracisë evropiane. Ditët e fundit ka pasur një presion të shtuar, në lidhje me ndryshimet kushtetuese ku mesazhi për të mos humbur mundësinë e hapjes së negociatave ka qenë i qartë. Dje asambleja e PPP-së, do e rendiste çështjen e Shqipërisë krahas Bjellorusisë dhe konfliktit mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.

BE dhe SHBA u shprehën me anë të ambasadorëve të tyre, duke vënë theksin në mosprekjen e marrëveshjes së 5 qershorit. SHBA e konsideroi si çështje nderi, ndërsa ambasadori Soreca, tregoi gishtin nga hapja e negociatave. Mazhoranca u tërhoq përkohësisht nga votimi i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese që i kishte lënë për datë 1 tetor, ndërsa përfaqësuesi i saj Damian Gjiknuri, ka thirrur ditën e nesërme mbledhjen e Këshillit Politik.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas