Mazhoranca ka ftuar Bashën dhe Kryemadhin që të ulen me kryeministrin Rama, lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Damian Gjiknuri i ka dërguar një letër anëtarëve të Këshillit Politik, duke u kërkuar të mblidhen në datën 21 ose 22 korrik.
Në këtë letër Gjiknuri thotë se janë të ftuar edhe kryetarët e opozitës jashtëparlamentare.
“Duke ju informuar se në këtë mbledhje Partia Socialiste do të përfaqësohet përveçse nga unë edhe nga kryetari Rama, ju bëj me dije se në rast dëshire edhe prezenca e kryetarëve përkatës të opozitës jashtëparlamentare, do të ishte plotësisht e mirëpritur nga ana jonë“, – shkruan në letër Damian Gjiknuri.
Më herët opozita e bashkuar u shpreh e gatshme për tu ulur në Këshillin Politik, por me kushtin që marrëveshja e 5 Qershorit të mos ndryshohet.
LETRA E PLOTE
Sikurse jeni në dijeni, përmes Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Shqipërisë ka filluar shqyrtimin e projektligjit për ndryshime në Kodin Zgjedhor, dokument i depozituar nga një grup deputetësh të maxhorancës dhe që përmban produktin e dakordësuar në tryezën e Këshillit Politik.
Gjithashtu, paralelisht përmes Këshillit për Legjislacionin dhe Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Kuvendi i Shqipërisë ka shqyrtuar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare të cilët propozojnë ndryshime në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë që lidhen me hapjen e listave zgjedhore dhe vendosjen e një pragu kombëtar.
Duke ndjekur deklarimet e opozitës jashtëparlamentare në lidhje me procesin e shqyrtimit nga Kuvendi të propozimit të deputetëve të opozitës parlamentare, për ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me vullnetin për të ballafaquar pikëpamjet tona përmes dialogut konstruktiv, ju propozoj:
Mbledhjen ditën e hënë apo të martë (përkatësisht në 20 ose 21 Korrik, sipas disponimit tuaj), ora 11:00, të një tryeze të Këshillit Politik me temë diskutimi ndryshimet e miratuara nga Komisioni i Ligjeve në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Duke ju informuar se në këtë mbledhje Partia Socialiste do të përfaqësohet përveçse nga unë edhe nga kryetari Rama, ju bëj me dije se në rast dëshire edhe prezenca e kryetarëve përkatës të opozitës jashtëparlamentare, do të ishte plotësisht e mirëpritur nga ana jonë.
Vendi i zhvillimit të tryezës propozoj të mbetet i njëjti në mjediset e Pallatit të Kongreseve.
Në pritje të përgjigjes suaj, Faleminderit, Damian Gjiknuri
LEXO EDHE:
Opozita e bashkuar i përgjigjet Ramës: Gati të rikthehemi në Këshillin Politik