Kryesore

Ndryshimi i Kushtetutës, Basha deklaratë për mediat: Kuvendi gjysmak shkelmoi konsensusin





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:46 - 30/07/20 |
mapo.al

Kryetari i PD, Lulzim Basha doli në deklaratë për mediat bashkë me krerët e partive të koalicionit opozitar, pasi Kuvendi ndryshoi Kushtetutën.


Basha tha se për herë të parë në Shqipërinë pluraliste, Kushtetuta ndryshohet pa konsensusin e opozitës. Ai tha se koalicionin e madh të shqiptarëve Edi Rama nuk e tjetërson dot.


“Kur të vijë dita e zgjedhjeve në Shqipëri do të vendosë vetëm vullenti i popullit shqiptar”, u shpreh Basha.


“Sot Kuvendi gjysmak i Shqipërisë tregoi se nuk udhëhiqet nga interesat e qytetarvë, por është çirak i interesave të Edi Ramës. Edi Rama refuzoi listat e hapura. Janë të hapura vetëm nga fundi i tyre, refuzoi propozimin tonë për t’i hapur 100% dhe për të mos prekur koalicionet. Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën ligjiet dhe kushtetutën. Shkelën me këmbë konsensusin. Kurrë më parë në historinë tonë 30-vjeçare të pluralizmit Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës. Kurrë më parë rregullat nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet”, u shpreh Basha.


Deklarata e plotë e Bashës: 

Sot, Kuvendi gjysmak i Shqipërisë tregoi sërish, se nuk udhëhiqet nga interesat e qytetarëve, por është vetëm një çirak i interesave politikë të Edi Ramës. Interesi i qytetarëve sot u shkel me këmbë nga kryeministri në ikje dhe vartësit e tij.

Qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura. Listat janë të hapura vetëm nga fundi i tyre, sepse Edi Rama refuzoi propozimin tonë për të hapur listat 100% dhe për të mos prekur koalicionet. Sot në kuvendin gjysmak, Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën me këmbë ligjet, shkelën Kushtetutën. Ata shkelën me këmbë historinë tonë. Ata shkelën me këmbë konsensusin, të cilin u detyruan ta firmosin.

Kurrë më parë në historinë tonë 30 vjeçare të pluralizmit, Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës. Kurrë më parë në këto 30 vjet, rregullat për procesin zgjedhor nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet. Ato kanë qenë një produkt konsensual, pavarësisht situatave të rënda politike që kemi kaluar në 3 dekada.

Kurrë më parë në 30 vjet, një kryeministër nuk ka vënë në mënyrë kaq brutale, interesin e vet personal, mbi interesat e të gjithë shqiptarëve. Rama kërkon të marrë peng Shqipërinë për të shpëtuar veten. Rama kërkon të marrë peng të ardhmen europiane të shqiptarëve për të ruajtur karriken e tij. Sepse siç ka bërë deri më sot, Shqipëria i është dashur Ramës vetëm për interesat e tij personale. Nuk do t’ia dalë! 

Ndryshimet e njënashme, të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për opozitën dhe, aq më pak, për qytetarët. Akti i sotëm sot është treguesi i fundit se Edi Rama e di që koha e tij po mbaron. Ai e ka humbur besimin e shqiptarëve dhe e vetmja që i ka mbetur, është të përpiqet sërish ta manipulojë sistemin, duke menduar se mund të zgjasë agoninë e pushtetit e tij të rrënuar.

Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për Opozitën, dhe aq më pak për qytetarët. Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi para shqiptarëve dhe partnerëve tanë edhe njëherë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret.

Makinacionet e kryeministrit në ikje, që ka frikë të përballet me qytetarët, nuk kanë për ta ndalur rotacionin politik. Ndryshimi është i pashmangshëm. Koalicioni ynë është me njerëzit, është me shqiptarët. Ne jemi bashkë për ta bërë këtë ndryshim. Ne duam dhe do të kujdesemi për vendin tonë, që ai të marrë prapë frymë lirisht. 

Atyre që kërcënojnë të na kthejnë në të shkuarën e partisë-shtet, ne do t’u tregojmë se nuk ka më kthim pas. Prandaj, ne do të vazhdojmë betejën për të mbrojtur demokracinë, për të mbrojtur votën e lirë, dhe për të fituar zgjedhjet bashkë me shqiptarët. Asgjë nuk e ndal dot koalicionin mbarëpopullor kundër Ramës. Për ditë më të mira për familjet tona, për prindërit tanë, për fëmijët tanë. Fuqia jonë është tek vota dhe mbështetja e qytetarëve.

Ky vullnet nuk zhbëhet dot nga maskarada si kjo e sotmja. Opozita e bashkuar do ta sjellë ndryshimin që duan të gjithë shqiptarët! Sado të përpiqen ta manipulojnë sistemin, koalicionin e madh të shqiptarëve nuk e tjetërsojnë dot. Ne qëndrojmë të bashkuar dhe flasim njëzëri: kur të vijë dita e zgjedhjeve, në Shqipëri do të vendosë vetëm vullneti i popullit shqiptar.


Etiketa: , , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas