Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca i ka kujtuar dhe një herë kryeministrit rëndësinë që ka votimi dhe zbatimi i marrëveshjes së 5 qershorit. Sipas tij, ndryshimet në Kushtetutë janë jashtë kornizës së rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Një ditë më parë ishte nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU Wadephul, i cili u shpreh se moszbatimi i marrëveshjes do sillte bllokimin e negociatave
Kryeministri Edi Rama ka vijuar dje të mbrojë nismën për ndërhyrjet në Kushtetutë, duke mos kursyer dhe nënkryetarin e grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestagun Gjerman Johann Wadephul, i cili e tha qartë se veprimet e mazhorancës rrezikojnë bllokimin e negociatave.
Zhgënjyes, i nxituar dhe zhbalancuar dhe që nënçmon vlerat e parlamentit të Shqipërisë, është për Ramën qëndrimi i numrit dy të grupit parlamentar të kancelares Merkel. Rama i ka kujtuar BE-së se Shqipëria është shtet sovran, por pohon faktin se është ajo që po troket në dyert e Evropës.
Soreca
Por duket se në të njëjtën vijë me Wadephul ka qenë dje dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca, një ndër investuesit e arritjes së marrëveshjes së 5 qershorit. Soreca tha se ndryshimet kushtetuese janë jashtë kornizës së rekomandimeve të OSBE/ODHIR, duke kërkuar votimin dhe zbatimin e saj ashtu siç është dhe pa ndryshime.
“BE-ja e ka mirëpritur marrëveshjen e arritur më 5 qershor, ishte një arritje e rëndësishme, ishte një proces gjithëpërfshirës. Tani është e rëndësishme që kjo marrëveshje të zbatohet sa më shpejt. Ky është prioriteti kryesor, pasi marrëveshja parashikon iniciativa të tilla si ngritja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, lançimi i programit për identifikim elektronik. Ftojmë Parlamentin ta miratojë këtë marrëveshje sa më shpejt.
Përmbyllja e Reformës Zgjedhore është kushti kryesor për hapjen e negociatave me BE-në, ndaj është shumë i rëndësishëm miratimi i saj. Ne kemi parë që janë bërë disa propozime shtesë, të ashtuquajturat ndryshimet kushtetuese për sistemin zgjedhor. Këto nuk janë pjesë të rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it. Janë jashtë tyre. Ne padyshim e njohim rolin e Parlamentit për sa i përket miratimit të elementeve shtesë të Reformës Zgjedhore në lidhje me sistemin zgjedhor. Ne inkurajojmë të gjitha palët e përfshira që të vazhdojnë diskutimet, dialogun, me të njëjtën frymë bashkëpunuese dhe me të njëjtin mekanizëm gjithëpërfshirës që u tregua gjatë miratimit të marrëveshjes së datës 5 qershor për Reformën Zgjedhore”, tha Soreca.
Takimi
Ndërkohë ditën e djeshme kreu i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës Ilir Meta ku në fokus të takimit kanë qenë lëvizjet e fundit, dhe acarimi i situatës politike pas pranimit nga ana e mazhorancës për të ndryshuar sistemin zgjedhor duke ndërhyrë në Kushtetutë. Gjatë takimit, presidenti Meta foli për “përpjekje të pashpresa për të cenuar Kushtetutën”, duke paralajmëruar se “çdokush që punon kundër të ardhmes europiane të vendit do të mbajë përgjegjësi individuale dhe të drejtpërdrejtë”.
Ai kërkoi, gjithashtu, “braktisjen e menjëhershme të çdo përpjekjeje që minon procesin e hapjes së bisedimeve për anëtarësim në BE dhe që do të prapësonte për herë të parë në historinë e Shqipërisë një marrëveshje të dakordësuar me ndërmjetësimin më të lartë ndërkombëtar”, u shpreh ai gjatë bisedës. Nga ana e tij kreu i opozitës e quajti të papranueshme nismën e ndërmarrë nga shumica ndërsa u shpreh se “kryeministri ka vendosur ta hedhë në kosh marrëveshjen e 5 qershorit dhe të ndryshojë në mënyrë të njëanshme Kushtetutën”.
Sipas tij ky do të ishte një hap me pasoja të rënda për procesin e integrimit europian të vendit, ndërsa nënvizoi deklaratën e një dite më parë të zëvendëskryetarit të Grupit të CDU/CSU-së në Bungestagun gjerman, Johann David Wadephul, sipas të cilit “Bundestagu nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që sipas tij e minojnë këtë marrëveshje. Prej frikës së Edi Ramës nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit, Shqipëria po rrezikon një izolim të dytë. Opozita e Bashkuar do të bëjë gjithçka që faturën, e cila do të jetë shumë e rëndë, të mos e paguajë Shqipëria dhe shqiptarët, por ta paguajnë ata që janë përgjegjësit e kësaj situate. Ndryshimi që duan shqiptarët është i pandalshëm dhe rrotacioni politik i pashmangshëm”, është shprehur Basha.
Bardhi: Nenet që shkeli Kryeministri në paktin e 5 qershorit
Partia Demokratike i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin për ndryshimet Kushtetuese në kuadër të Reformës Zgjedhore. Kreu i qeverisë tha më herët se hapja e listave nuk cenon koalicionet, por për Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi kjo është gënjeshtër, pasi në vetvete Rama ka për qëllim të ndalojë koalicionet parazgjedhore, pasi i druhet humbjes në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Me ndryshimet Kushtetuese Rama zhduk termin koalicion. Rama gënjeu kur tha se nuk preken koalicionet nga listat e hapura. Kjo ndërhyrje e njëanshme në Kushtetutë, shkel marrëveshjen e 5 qershorit”, u shpreh Bardhi.
Të paktën tri nene, sipas PD, shkelen nga kryeministri Edi Rama në marrëveshjen e arritur muajin e kaluar mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare, përkatësisht neni 19, 36 dhe 68.
“Edi Rama gënjeu para shqiptarëve dhe partnerët strategjikë sot, kur deklaroi se ndryshimet kushtetuese nuk prekin koalicionet. Faktet e mëposhtme nxjerrin zbuluar gënjeshtrat e Edi Ramës: Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike, koalicionet zgjedhore të partive politike, si dhe nga zgjedhësit. Pra, parashikimi aktual për koalicionet në Kushtetutë, është shumë i qartë.
Çfarë bën Edi Rama me ndryshimin e Kushtetutës, të miratuar nga Komisioni i Ligjeve? E zhduk termin koalicione dhe e riformulon nenin 68 të Kushtetutës, si më poshtë: ‘Kandidatët për deputetë paraqiten në nivel zone zgjedhore nga partitë politike ose nga zgjedhësit’. Kjo ndërhyrje e njëanshme në Kushtetutë shkel Marrëveshjen e 5 Qershorit”, tha Bardhi.
Ai theksoi se drafti i dakordësuar dhe firmosur nga palët, që Edi Rama thotë se do ta miratojë pa ndryshime, parashikon se “partitë pjesëtare të koalicionit të garojnë me lista shumemërore të veçanta”.
“Pra, marrëveshja, jo vetëm lejon koalicionet parazgjedhore, por u jep mundësinë partive politike brenda një koalicioni të garojnë me lista të veçanta”. Ja, ku është drafti, i dakordësuar mes palëve sipas Marrëveshjes së 5 Qershorit, ku thuhet shprehimisht se “Për partitë pjesëtare të koalicionit që garojnë me lista shumemërore të veçanta numri i kandidatëve në listën shumemërore nuk mund të jetë më i vogël se gjysma e numrit të mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse, shtuar dy. Ky nuk është neni i vetëm, që nxjerr zbuluar faktin se Edi Rama po prish marrëveshjen me heqjen e koalicioneve”, vijoi Sekretari i Përgjithshëm i PD.